Gjurmët të aksionit policor në lagjen e trimave të Kumanovës që ndodhi më 9 maj akoma janë gjithkund. Me të hyrë në lagje, shihet shtëpia e parë e shpuar nga plumba. Muret e biruara, dritaret e thyera, kulm i prishur – kanë mbetur si kujtim nga kjo ngjarje për banorët. Por, nuk janë vetëm këto pamje që i kujtojnë ato që ndodhën. Banorët kujtojnë me trishtim ditën kur gjithçka që kishin, u rrënuaa.
Lagjja ka filluar të rindërtohet. Shumë punëtorë ia kanë mësyrë t’i kryejnë paralelisht ndërtimet e shumë shtëpive. Gjurmët e plumbave janë gjithkah nëpër shtëpi, thotë një banore e moshuar. Ajo cek se ato ditë nuk do t’i harrojë asnjëherë. “Kjo padijeni siç thonë – me të gjetur nën jorgan. Të bëhet lufta, me fëmijë e me krejt. Ne kur kemi marrë vesh, ngado ia kemi mbajtur. Jo, asnjëherë, kjo nuk harrohet kurrë. Pak ma mirë ka qenë. Që kanë hyrë, deri sa të vdes, nuk harrohet”, thekson kjo banore.
Edhe kryefamiljari Azemi, rrëfen për vështirësitë që ka kaluar familja e tij. “Na kujtohet më së shumti që gjithë familja Azemi kemi qenë brenda, bile në atë shtëpi që jemi familja ka nga 5 a 6 të verbër, edhe është shumë çështje e rëndë. Prej se ka krisë, rreth gjysmë ore, kemi qenë brenda”, kujtohet Qemal Azemi, një prej banorëve të Lagjes së Trimave.
Salie Fejzullahu është ende nën frikë prej aksionit të bërë në atë ditë. Ajo rrëfen se sa është vështirë të të njohin si banore të kësaj lagjeje “Neve na shohin si viktima të këtij rasti, dhe shohin gjynah te ne. Dhe, kur tregojnë, normalisht kemi emocione të tilla, sa që as nuk mundemi të flasim. Tash kemi trauma, nuk mundemi as të flemë rehat, as nuk zgjohemi rehat, siç jemi zgjuar para atij aksioni”, tregon ajo.
Pas 5 muajve, Lagjja e Trimave po ndërtohet e re. Plagët për këta banorë janë ende të freskëta, por ata janë me shpresë se do të vijnë ditë më të mira.
Miradije Hasani
