Gjashtë të akuzuar për falsifikim të patentë shoferëve! Një punonjëse e MPB-së dyshohet se ka shtuar kategori në patenta

TË FUNDIT

Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë personave për falsifikim të dokumenteve. Mes të akuzuarve është edhe një punonjëse e Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila, sipas Prokurorisë, nga viti 2020 deri në gusht të këtij viti ka përdorur kodet e saj për të ndryshuar patenta shoferi dhe për të shtuar kategori.


Pesë të akuzuarit e tjerë janë shoferë, të cilët, edhe pse nuk kishin dhënë provimin për kategoritë C dhe D, në bashkëpunim me punonjësen kanë kërkuar lëshimin e patentave me kategori shtesë.
Me këto dokumente kanë aplikuar për certifikata të kompetencës profesionale dhe më pas kanë drejtuar autobusë ose kamionë në transport ndërkombëtar.


Për tre të akuzuar është kërkuar vazhdimi i paraburgimit, ndërsa për tre të tjerë, që janë të paarritshëm, është kërkuar paraburgim pas gjetjes së tyre. Prokuroria po heton edhe 21 persona të tjerë të dyshuar si ndërmjetës ose përdorues të patentave të falsifikuara.