Edhe sot studentët para Rektoratit, kërkojnë realizimin e kërkesave

0

Dhjetëra studentë protestues të udhëhequr nga nënkryetari i Parlamentit Studentor Patriot Kelmendi dhe senatori Rifat Krasniqi që nga ora 8:00 e mëngjesit janë duke qëndruar tek dyert e Rektoratit, ku kërkojnë realizimin e kërkesave të tyre.

Studenti i Fakultetit Teknik, Rilind Zogaj për KosovaPress ka thënë se do të qëndrojnë para Rektoratit deri sa të kthehet kushti që me shtatë provime të kalohet viti i parë dhe jo me nëntë, pasi siç thotë ai Fakultetit Teknik dhe ai i Mjekësisë e kanë të vështirë që me nëntë provime të kalojnë vitin.

Edhe senatori, Rifat Krasniqi, tha se do vazhdojnë ta bllokojnë punën e Rektoratit deri sa të realizohen kërkesat e studentëve. Ai madje thotë se edhe nesër do të bllokohet Rektorati, duke mos përjashtuar që nga pas protestës së nesërme do të ketë protesta dhe demonstrata.

Njëjtë thotë edhe nënkryetari Patriot Kelmendi, sipas të cilit bllokimi i Rektoratit do të vazhdojë deri në realizimin e kërkesave të studentëve.

Ai për KosovaPress tha se ky bllokim ka ardhur si pasojë e mos reflektimit të rektorit në kërkesat e tyre duke mos e thirrur mbledhjen e senatit.

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Ramadan Zejnullahu sot nuk është dukur në Rektorat.

Studentët kanë deklaruar se do të qëndrojnë para dyerve të Rektoratit deri në orën 16.

KMDLNJ: Të funksionalizohet Kuvendi

0

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka reaguar në lidhje me ngjarjet që sot kanë ndodhur në Kuvendin e Kosovës.

KMDLNj e ripërsëritë qëndrimin se përdorimi i gazit lotsjellës nga cilado palë është veprim i dhunshëm që për pasojë e ka rrezikimin e shëndetit për të gjithë të pranishmit ndërsa për ata me sëmundje kronike paraqet rrezik edhe për jetën e tyre. Përkundër masave të shtuara të sigurisë dhe kontrollit, gazi lotsjellës u fut në hapësirat e Kuvendit për t’u aktivizuar në kohën kur parashihej fillimi i seancës.

KMDLNj vlerëson se nuk ka masa sigurie apo kontrolli që mund të përdoren e që do të pengojnë futjen e gazit lotsjellës në Kuvend prandaj është e parëndësishme se kush e futi gazin lotsjellës brenda apo kush e aktivizoi për faktin se opozita po vepron e sinkronizuar mirë dhe nuk po fshihet pas këtyre veprimeve por po e bënë në mënyrë të hapur dhe shumë transparente.

Deri më tani Kryesia e Kuvendit, kryetari e as vet deputetët nuk po gjejnë zgjidhje për kët ë situatë prandaj KMDLNj pati propozuar që presidentja e Kosovës të shfrytëzojë mandatin dhe detyrimin kushtetues për të garantuar funksionalitetin e institucioneve të Kosovës të cilat nuk mund të funksionojnë pa një punë normale të Kuvendit të Kosovës.

KMDLNj vlerëson se nuk duhet të thirret seanca e ardhshme e Kuvendit të Kosovës pa u krijuar kushtet, qoftë përmes marrëveshjes pozitë-opozitë, ndërhyrjes së presidentes së Kosovës apo ndonjë formë tjetër që e përjashton dhunën, si mjet i zgjidhjes së problemit.

Qeveria fton opozitën të heq dorë nga dhuna e t’i kthehet dialogut

0

Qeveria e Republikës së Kosovës dënon ashpër përdorimin e sërishëm të gazit lotsjellës helmues në seancën e Kuvendit të Kosovës, me të cilin sërish është sulmuar Kuvendi i Kosovës dhe është rrezikuar shëndeti dhe jeta e të zgjedhurve të popullit të Kosovës.

Qeveria e Kosovës i konsideron sjellje të papërgjegjshme dhe në shpërputhje me çdo kod etik, moral dhe praktikë demokratike, veprimet e kundërligjshme dhe anarkike që përfaqësuesit e pakicës politike po ushtrojnë ndaj institucioneve dhe të zgjedhurve të popullit, duke përdorur mjete luftarake, me qëllim që të pengojnë funksionimin normal të shtetit të Kosovës, transmeton Koha.net.

Qeveria e Republikës së Kosovës i bën thirrje përfaqësuesve të opozitës që të heqin dorë nga dhuna dhe sulmet mbi institucionet kushtetuese të Republikës së Kosovës dhe që agjendat e tyre politike të përpiqen t’i realizojnë përmes mjeteve demokratike.

Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh përkushtimin e saj maksimal për debat të bazuar në rregullat demokratike dhe brenda institucioneve përfaqësuese, me qëllim të ruajtjes së konsensusit nacional, si dhe të përkrahjes së partnerëve ndërkombëtarë, SHBA-ve dhe vendeve të BE-së, për procese madhore që lidhen me të ardhmen e qytetarëve dhe të Republikës së Kosovës dhe që janë vullneti suprem i popullit të Kosovës.

Një muaj paraburgim për 5 aktivistet e VV-së

0

Gjykata Themelore në Prishtinë -Departamenti i Përgjithshëm, me rastin e vendosjes sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së sigurisë ndaj tani të pandehurve, Premton Ibërdemaj, Ylli Hoxha, Uran Hasani, Arbër Kaqorraj dhe Armend Loshaj, pas mbajtjes së seancës dëgjimore vendosi që ndaj të njëjtëve të caktoi paraburgimin në kohëzgjatje prej 1 muaji.

Vendimi për caktimin e paraburgimit mund të kundërshtohet me ankesë drejtuar Gjykatës së Apelit.

Gjykata ka refuzuar kërkesën për caktimin e masës së sigurisë ndaj të pandehurve: Shpat Selmanaj, Endrin Cacaj, Visar Dobraj, dhe Ardonis Mulaj.

Prindërit paralajmërojnë bojkot në SHF "Imri Elezi" – klasat të mbipopulluara!

0

Që nga shtatori, kërkesat për hapjen e paraleleve të reja në SHF ‘’Imri Elezi’’  për të parandaluar mbipopullimin e paraleleve, po hasin në vesh të shurdhër.

Prindërit paralajmërojnë se nëse nuk zgjidhet ky problem deri të hënën, që nga e marta mësimi do të bojkotohet. “Ne si prindër kemi kërkuar nga organet kompetente që të zgjidhin këtë problem sa më shpejtë. Në të kundërtën, që nga dita e martë do të marrim masat, masë që është shumë e hidhur edhe për fëmijët tanë Jemi të vetëdijshëm, por do të ftojmë edhe nxënës të tjerë të na bashkëngjiten, të solidarizohen me moshatarët e tyre dhe të bojkotojnë mësimin total në shkollë, përderisa nuk zgjidhet ky problem bojkoti do vazhdojë”, thotë Milazim Azemi, njëri nga prindërit.

Ministri i Arsimit, Abdilaqim Ademi ia hedh fajin vet shkollës, përkatësisht drejtoreshës, e cila sipas tij duhet të organizojë mësimin në kuadër të shkollës, e jo të bëjnë kërkesë për një paralele të re dhe t’u kujtohet të adresojnë problemet pasi të fillojë viti shkollor.

Drejtoresha e shkollës shpjegon se gjatë regjistrimit gjithçka ka shkuar në rregull dhe se në momentin kur ka filluar të rritet numri i nxënësve, kanë bërë kërkesë deri te organet kompetente. “Në fillim të shtatorit, përkatësisht prej 20 gushtit, prindërit vetëm se kanë filluar të regjistrojnë fëmijët në shkollën tonë. Dhe, vetëm se kur e kemi parë se numri e ka arritur kulmin, atëherë ne e kemi bërë kërkesën. Domethënë që ne nuk kemi mundur t’i mbyllim dyert, me arsye për ato nxënës se janë me vonesë. Ku do të shkonin ata nxënës”, thotë drejtoresha Koxhaxhiku.

Numri i madh i nxënësve në paralele është dukuri pothuajse në të gjitha shkollat shqipe, por më e theksuar në Shkup. Në shkollat fillore “Imri Elezi”, “Ismail Qemali” dhe “Petar Zdravkovski- Penko”, në një klasë mësojnë nga 35 deri 40 nxënës, numër ky që vështirëson punën e mësimdhënësve.

 

Orhan Ibrahimi në "10 Minuta": BDI sponzoron përçarjen e votës shqiptare!

0

Në paraqitjen e tij në emisionin “10 Minuta” të TV 21, nënkryetari dhe deputet i PDSH, Orhan Ibrahimi foli për negociatat mes katërshes partiake për zbatimin e marrëveshjes së Përzhinos, për buxhetin dhe për skenën politike shqiptare.

Sipas tij, në negociatat e zhvilluara PDSH ka arritur ti realizojë kërkesat kryesore të saja. “Në këto marrëveshje, në vija të trasha, ato pozicione në për të cilat ka insistuar PDSH, janë arritur. Çështja e parë – në fushatë zgjedhore nuk do të ketë më konkurse zgjedhore. Dihet botërisht se BDI në fushata zgjedhore në të kaluarën hapte konkurse. Dhe, me ato konkurse, për shembull për 200 vende që u parashiheshin në ato konkurse, i mbante varur me shpresë 2-3 mijë të rij. E, kjo do të parandalohet. Është një hap shumë pozitiv, që e kishim paralajmëruar edhe më herët. Çështja e dytë është KSHZ. Me konsensus do të merren të gjitha vendimmarrjet aty. Nuk do të ketë mbivotim”, tha Ibrahimi.

Lidhur me propozim-buxhetin që aktualisht po diskutohet në Kuvend, Ibrahimi edhe këtë buxhet, si edhe ata të mëparshmit, e cilësoi si të strukturuar në dëm ët popullatës shqiptare, për çka, sipas tij, fajin e ka koalicioni qeveritar. “Tetë vitet e fundit BDI dhe VMRO kanë projektuat buxhete monoetnike, buxhete që në esencë eksploatojnë djersën, mundin dhe paratë e shqiptarëve. Po e njëjta gjë edhe sot bëhet me propozimin e ri të buxhetit. Ligjin për përdorimin e gjuhën shqipe – e zyrtarizon gjuhën shqipe që ne si subjekt politik   shqiptar në mënyrë të prerë kemi thënë se s’është e vërtetë, ndërsa BDI në vazhdimësi ka thënë se është zyrtare”, theksoi ai.

Lidhur me paraqitjet e partive të reja opozitare, ai vlerëson se kjo është sponzoruar nga BDI, që të përçahet vota opozitare shqiptare sikur në vitin 2011. “Gjithë ajo energji që tentohet të harxhohet në subjekte të vogla politike është në një formë të amnistohet BDI, që të ndodhe efekti i vitit 2011. Në vitin 2011 vullneti i shqiptarëve ishte ta dënojë BDI me votë popullore. Ishin 125 mijë vota për PDSH dhe disa subjekte te vogla politike ndërsa 114 mijë për BDI. Me deputet ishim 15 me 10. Të njëjtin efekt sot e sponzoron BDI, që vota që do të dënojë BDI-në të shpërndahet në subjekte të vogla, që nuk kanë kapacitet të marrin në mbrojtje hisen shqiptare”, vlerësoi nënkryetari dhe deputet i PDSH Ibrahimi në intervistën për TV21.       .

Molos Parthini dhe “Shvercerat” : Të lirohet Ismail 'Ballist' Morina!

0

Një grup qytetarësh sot para Ambasadës së Shqipërisë në Shkup kërkuan lirimin e menjëhershëm të tifozit të mirënjohur Ismail “Ballist” Morina, që njihet për lëshimin e dronit në stadiumin e Beogradit, i cili u arrestua në Tiranë një ditë para ndeshjes së kombëtares shqiptare me Armeninë.

Arrestimi i tij ka nxitur reagime edhe në Shkup, dhe se pjesë e këtij reagimi ishte edhe iniciativa e sotme e këtij grupi të qytetarëve të udhëhequr nga Molos Parthini.

Grupimi i qytetarëve pasi lexoi kërkesën për lirimin Ballist Morinës, u drejtua drejt hyrjes së ambasadës, por që dyert ishin të mbyllura. Por megjithatë Molosi la porosinë bashkë me fotografinë e Ballistit dhe mesazhin “Lironi Ballist Morinën”.
“Mëkati më i madh që ka Ballisti, është dashuria e pafund e tij ndaj kombit, vendit, popullit, ndaj gjithë asaj që simbolizon frymën kuq e zi, dashuri e cila tejkalon çdo kufi. Dashurinë që Ballisti ka për këtë flamur, për kombin, për popullin shqiptarë tejkalon edhe dashurinë që ai ka për familjen dhe fëmijët e tij. Ftoj Kapitenin e Kombëtares Lorik Cana, që në emër të tij dhe në emër të çunave të Kombëtares të angazhohet  për lirimin e Morinës”, tha Molos Parthini. 

Edhe aktivisti qytetar, Bujar Idrizi kërkoi lirimin e shpejt të Ballist Morinës, sepse sipas tij, ky tifozë i ka bërë krenarë të gjithë shqiptarët. “ Si një person, i cili së bashku me Molosin nga Shkupi, na bënë të gjithëve krenarë, na dhuruan nga një simbol kombëtarë me të cilën veçmë kanë filluar shqiptarët të identifikohen. Unë besoj ashtu siç tha edhe Molosi, Ballisti duhet të kthehet mes nesh, dhe të mos e përsërisim atë gabimin të cilin e kemi bërë tërë kohës në historinë tonë, më shumë ti nderojmë heronjtë tonë kombëtarë pas vdekjes së tyre sesa që janë në mesin tonë”, theksoi Idrizi.
Zërave për lirimin e Ballist Morinës i janë bashkëngjitur edhe tifozët “Shvercerat” nga Shkupi. Udhëheqësi i tyre, Omer Bunajku theksoi për TV21  se Ballist Morina është personalitet dhe një hero kombëtar, që është ndër meritorët për kualifikimin e kombëtares në Evropianin Francë 2016. “Ballist Morinën duhet të shpallim hero kombëtarë, ndoshta edhe fitorja, ndoshta edhe plasmani në Evropianin Francë 2016 është merita e tij. Ato tre pikë nuk e di a do ti kishim marrë apo jo, është pikëpyetje e madhe. Prandaj, nuk është vetëm puna e tre pikëshit, por është krenaria e të gjithë shqiptarëve që e kanë ndjerë në atë momente anembanë botës, jo vetëm në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni, po gjithkund ku ka shqiptarë”, thotë Bunjaku.

Ndërkohë, grupi i tifozërisë “Ballistët” në qendër të Tetovës filluan mbledhjen e nënshkrimeve për lirimin e Ballist Morinës, ndërsa për këtë ka filluar edhe peticion online i organizuar nga Tifozat Kuq e Zi në Shqipëri.

Blerim Ismaili

Ermira Mehmeti: Reforma ose largohem – Bejta: Askë në BDI s'e mbajmë me zor

0

Deputetja e deritanishme e Bashkimit Demokratik për Integrim, shprehu pakënaqësitë e saj me partinë në të cilën ishte aktiviste deri më tash. Ajo kërkoi reforma të menjëhershme përbrenda kësaj partie, në të kundërtën ajo pretendon të largohet nga ky subjekt politik ku kontribuoi vite me radhë.

Sipas saj, situata ka eskaluar deri në atë masë sa që vërtet më nuk ka bashkëpunim të sinqertë me disa nga drejtuesit e partisë, e për këtë është në dijeni është edhe kryesia e partisë. “Unë për vendimin tim e kam njoftuar kryetarin e partisë, ai e din se situata në parti seriozisht ka eskaluar, dhe mendoj se shansi për të bërë reformën tash më ka nisur të harxhohet, ose reformat të menjëhershme ose alternative të tjera, nuk e përjashtoj faktin që un personalisht të largohem nga BDI”, deklaroi Mehmeti.

Ajo kërkoi nga mediumet që të informojnë se ajo po largohet nga BDI, mirëpo nuk pranoi ta thotë para kamerave, edhe pse gazetarët tentuan disa herë me pyetje nga të cilat merrnin tjera përgjigje. “Lirisht mundeni te spekuloni se Ermira po shkon prej BDI, por un nuk do e them personalisht”, tha Mehmeti.

Nga kryesia e Bashkimit Demokratik për Integrim morëm përgjigje të ndryshme. Bujar Osmani na tha se nuk është në dijeni në lidhje më këtë çështje. Ndërsa, Nevzat Bejta tha se kjo situatë është shumë demokratike dhe se BDI nuk mban askënd me zor. Ai kërkoi që të gjithë ata aktivistë që largohen të japin llogari se çfarë kanë bërë gjatë bashkë qeverisjes.“Nëse është e vërtet se Ermira Mehmeti është larguar , është pjesë e demokracisë, lirisë, barazisë dhe drejtësisë, dhe na nuk e ndalim asnjë, edhe asnjë nuk e lutim e me zor nuk e mbajmë, po përpara se të largohen ata nga strukturat e BDI-së duhet të japin llogari për periudhën e shkuar gjer sa kanë qenë, se çfarë kanë bërë për shoqërinë shqiptare dhe tjerët të cilët jetojnë në Maqedoni”, theksoi Bejta.

Ermira Mehmeti nuk është e vetmja zyrtare e BDI-së që si duket po ia kthen shpinën kësaj partie. Edhe më herët ka pasur largime nga ky subjek,t kurse sipas deputetes Mehmeti, së shpejti do të ketë edhe raste të tjera të largimit, me që aktiviteti i partisë nuk po përçon zërin e aktivistëve.

Besian Leka

 

Hysni Shaqiri për 'dokumentat' për bashkëpunëtorët e UDB: Nuk jam i befasuar nga kjo gjë!

0

Gazetari Zoran Bozhinovski në FB faqen dhe portalin e tij “Burevesnik” ka publikuar kopje të dokumenteve, të cilat sipas tij  janë të UDB-ës jugosllave. Sipas tyre, UDB-ja ka pranuar informacione nga njëfarë “ Ibri” lidhur me aktivitet  e atëhershme ‘’armiqësore” të Hazbi Likës, Rizvan  Sulejmanit,  Aziz Pollozhanit dhe Hysni Shaqirit.

Në një telefonatë që zhvilluam me ish-deputetin Hysni Shaqiri,  ai thotë se nuk është befasi publikimi i këtyre dokumentave. Sipas tij, ndryshe nga disa të tjerë, ai nuk e ka pasur mundësinë të arrijë deri tek informacionet nga sherbimet sekrete. Ai thotë se ka pasur vlerësime për disa ngjarje dhe veprime të tija politike në kuadër te BDI-së që nuk kanë qenë te publikuara. Sipas tij, nxjerrja e këtyre materialeve nuk përben asnjë risi.

“Tek ne në Ballkan gjithçka ndodh dhe gjithçka menaxhohet nga shërbimet sekrete. Pa pasur lidhje me shërbimet sekrete dhe pa të kontrolluar shërbimet sekrete, në Ballkan e veçanërisht në  Maqedoni, politikë s’munden të bëjnë shqiptarët. Shqiptaret nuk munden të bëjnë politikë e as biznes pa qenë të lidhur me shërbimet. Prandaj kjo strukture e kriminalizuar me këto hapësira të krijuara është përfshirë në shërbimet sekrete, duke mos kursyer as interesin e përgjithshëm”, thotë Shaqiri.

Një koment lidhur me këtë çështje kërkuam edhe nga Ministri i Drejtësisë, Adnan Jashari. “Unë jam ministër i drejtësisë dhe nuk mund ta lëshoj vetën që të merrem me çështje që për çdo ditë, në veçanti për personalitete publike, po keqinfomohet opinioni në portale të ndryshëm, pasi nuk di më sa portale informative ka nëpër Maqedoni.  Ka ligje në Republikën e Maqedonisë si në shtetet tjera, në bazë të informatave të vërtetuara, të dihet se çka duhet bërë, ka mundësi të iniciohet, pasi të vërtetohet gjendja faktike, por gjithmonë e përsëris – vetëm në bazë të informative të vërtetuara”, theksoi ai.

Dokumentet, për të cilat thuhet se janë të shërbimeve sekrete,  kanë dalë në dritë përsëri në prag të gjykimit të Hysen Musliut, që akuzohet për montim të dokumenteve kundër udhëheqësve të BDI-së.

Zvërlevski: Prokuroria Speciale është jokushtetuese – Janeva: Do të punoj edhe me gjysmën e ekipit!

0

Prokurori republikan, Marko Zvërlevski, do të nisë iniciativë para Gjykatës Kushtetuese me të cilën do të kontestojë Ligjin për prokurorin special, sepse, siç tha ai sot, ligji është jokushtetues dhe i aprovuar në kundërshtim me ligjet e vendit. Ai shtoi se Prokuroria Speciale është politike, për dallim nga Prokuroria Shtetërore, e cila është e pavarur.

“Në prokurorinë publike ekziston dëshpërim dhe ofendim i madh i prokurorëve publikë, sepse është zgjedhur prokurori publike paralele. Ja, edhe rekomandimet e djeshme për të ngritur iniciativë për kundërkushteteshmëri, kjo është ofendim për gjithë prokurorinë. Po, do të ngremë iniciativë. Prokuroria publike, sipas ligjit, është e obliguar të ngrerë iniciativa në qoftë se me ndonjë akt shkelet ligjshmëria ose kushtetutshmëria, veçanërisht nëse kjo prek punën e prokurorisë publike“, deklaroi Marko Zvërlevski, prokuror publik republikan.

Paraprakisht, edhe avokati Tome Todorovski ngriti iniciativë para Gjykatës Kushtetuese për rishikimin e kushtetutshmërisë e ligjit për prokurorë specialë. Ai ka kërkuar që gjyqi të sjellë masë të përkohshme për ndalim të zbatimit të ligjit derisa gjykatësit kushtetues nuk vërtetojnë se vallë është ai në përputhshmëri me kushtetutën.

Gjatë bisedave që zgjatën pothuajse 4 orë, kundërshtimet ishin rreth asaj se me prokurorë duhet të punojë Janeva. Kryetari i Këshillit të Prokurorëve, Petar Anevski, pas mbarimit të seancës së sotme, deklaroi se vendimi për të zgjedhur vetëm 7 ndihmës të Janevës është sjellë në bazë të vlerësimit për vëllimin e punës që do ta ketë Prokuroria Speciale. “Sipas numrit të lëndëve që i kemi parasysh, e të cilat po përpunohen tani ose do të përpunohen, konsiderojmë se ky është numër i mjaftueshëm i prokurorëve publikë. E dyta, në të ardhmen edhe vetë prokurori publik në planet e tij personale dhe financiare thotë se ky numër nuk është përfundimtar dhe se numri i tyre mund të rritet ose të zvogëlohet”, theksoi Anevski.

Për përgjysmimin e ekipit të saj, prokurorja speciale Janeva tha se është e befasuar dhe se fare nuk ka qenë e informuar për këtë vendim të Këshillit. Ajo vlerëson se me këtë është shkelur marrëveshja e Përzhinos e arritur mes katër partive m[ të mëdha me ndërmjetësuesit ndërkombëtarë. Janeva nuk precizoi se vallë do të jepte dorëheqje nëse nuk zgjidhet këshilli. “Shpresoj se këshilli i prokurorëve publikë do ta zgjedhë edhe pjesën tjetër të ekipit tim. Ekip tjetër nuk ka, dhe kjo do të jetë me të cilën do të punojmë“, deklaroi Janeva.

Janeva theksoi se nuk heq dorë nga ekipi dhe plani i propozuar që e dorëzoi para një jave deri te këshilli i prokurorëve publikë, mirëpo ajo thotë se do të punojë edhe me këtë ekip që e zgjodhi këshilli sot.

Për buxhetin prej 4 milionë eurosh në vit, të cilin Janeva e kërkoi nga shteti, edhe Anevski, edhe Zvrëlevski pajtohen se ai është shumë i madh, duke marrë parasysh faktin se më tepër prokurori publike në Maqedoni janë para kolapsit.”Duhet të keni parasysh se disa prokurori publike janë para kolapsit. Ato janë prokuroria në Kërçovë, Manastir, e cila ka mungesë prej tre prokurorëve, prokuroria në Gostivar, e cila ka 1000 lëndë, prokuroai publike e Shkupit që është në gjendje shumë të vështirë”, thotë Anevski.

Këshillli i prokurorëve sot vendosi të përgjysmojë ekipin e Janevës dhe në vend të 14 prokurorëve të kërkuar, t’i aprovojë vetëm 7. Për prokurorë specialë u zgjodhën Lejla Kadriu, Ljubomir Llape, Marija Gjorgjeva, Stveço Donev, Burim Rrustemi, Elizabeta Josifovska dhe Fatime Fetai.