Në paraqitjen e tij në emisionin “10 Minuta” të TV 21, nënkryetari dhe deputet i PDSH, Orhan Ibrahimi foli për negociatat mes katërshes partiake për zbatimin e marrëveshjes së Përzhinos, për buxhetin dhe për skenën politike shqiptare.
Sipas tij, në negociatat e zhvilluara PDSH ka arritur ti realizojë kërkesat kryesore të saja. “Në këto marrëveshje, në vija të trasha, ato pozicione në për të cilat ka insistuar PDSH, janë arritur. Çështja e parë – në fushatë zgjedhore nuk do të ketë më konkurse zgjedhore. Dihet botërisht se BDI në fushata zgjedhore në të kaluarën hapte konkurse. Dhe, me ato konkurse, për shembull për 200 vende që u parashiheshin në ato konkurse, i mbante varur me shpresë 2-3 mijë të rij. E, kjo do të parandalohet. Është një hap shumë pozitiv, që e kishim paralajmëruar edhe më herët. Çështja e dytë është KSHZ. Me konsensus do të merren të gjitha vendimmarrjet aty. Nuk do të ketë mbivotim”, tha Ibrahimi.
Lidhur me propozim-buxhetin që aktualisht po diskutohet në Kuvend, Ibrahimi edhe këtë buxhet, si edhe ata të mëparshmit, e cilësoi si të strukturuar në dëm ët popullatës shqiptare, për çka, sipas tij, fajin e ka koalicioni qeveritar. “Tetë vitet e fundit BDI dhe VMRO kanë projektuat buxhete monoetnike, buxhete që në esencë eksploatojnë djersën, mundin dhe paratë e shqiptarëve. Po e njëjta gjë edhe sot bëhet me propozimin e ri të buxhetit. Ligjin për përdorimin e gjuhën shqipe – e zyrtarizon gjuhën shqipe që ne si subjekt politik shqiptar në mënyrë të prerë kemi thënë se s’është e vërtetë, ndërsa BDI në vazhdimësi ka thënë se është zyrtare”, theksoi ai.
Lidhur me paraqitjet e partive të reja opozitare, ai vlerëson se kjo është sponzoruar nga BDI, që të përçahet vota opozitare shqiptare sikur në vitin 2011. “Gjithë ajo energji që tentohet të harxhohet në subjekte të vogla politike është në një formë të amnistohet BDI, që të ndodhe efekti i vitit 2011. Në vitin 2011 vullneti i shqiptarëve ishte ta dënojë BDI me votë popullore. Ishin 125 mijë vota për PDSH dhe disa subjekte te vogla politike ndërsa 114 mijë për BDI. Me deputet ishim 15 me 10. Të njëjtin efekt sot e sponzoron BDI, që vota që do të dënojë BDI-në të shpërndahet në subjekte të vogla, që nuk kanë kapacitet të marrin në mbrojtje hisen shqiptare”, vlerësoi nënkryetari dhe deputet i PDSH Ibrahimi në intervistën për TV21. .
