Gazetari Zoran Bozhinovski në FB faqen dhe portalin e tij “Burevesnik” ka publikuar kopje të dokumenteve, të cilat sipas tij janë të UDB-ës jugosllave. Sipas tyre, UDB-ja ka pranuar informacione nga njëfarë “ Ibri” lidhur me aktivitet e atëhershme ‘’armiqësore” të Hazbi Likës, Rizvan Sulejmanit, Aziz Pollozhanit dhe Hysni Shaqirit.
Në një telefonatë që zhvilluam me ish-deputetin Hysni Shaqiri, ai thotë se nuk është befasi publikimi i këtyre dokumentave. Sipas tij, ndryshe nga disa të tjerë, ai nuk e ka pasur mundësinë të arrijë deri tek informacionet nga sherbimet sekrete. Ai thotë se ka pasur vlerësime për disa ngjarje dhe veprime të tija politike në kuadër te BDI-së që nuk kanë qenë te publikuara. Sipas tij, nxjerrja e këtyre materialeve nuk përben asnjë risi.
“Tek ne në Ballkan gjithçka ndodh dhe gjithçka menaxhohet nga shërbimet sekrete. Pa pasur lidhje me shërbimet sekrete dhe pa të kontrolluar shërbimet sekrete, në Ballkan e veçanërisht në Maqedoni, politikë s’munden të bëjnë shqiptarët. Shqiptaret nuk munden të bëjnë politikë e as biznes pa qenë të lidhur me shërbimet. Prandaj kjo strukture e kriminalizuar me këto hapësira të krijuara është përfshirë në shërbimet sekrete, duke mos kursyer as interesin e përgjithshëm”, thotë Shaqiri.
Një koment lidhur me këtë çështje kërkuam edhe nga Ministri i Drejtësisë, Adnan Jashari. “Unë jam ministër i drejtësisë dhe nuk mund ta lëshoj vetën që të merrem me çështje që për çdo ditë, në veçanti për personalitete publike, po keqinfomohet opinioni në portale të ndryshëm, pasi nuk di më sa portale informative ka nëpër Maqedoni. Ka ligje në Republikën e Maqedonisë si në shtetet tjera, në bazë të informatave të vërtetuara, të dihet se çka duhet bërë, ka mundësi të iniciohet, pasi të vërtetohet gjendja faktike, por gjithmonë e përsëris – vetëm në bazë të informative të vërtetuara”, theksoi ai.
Dokumentet, për të cilat thuhet se janë të shërbimeve sekrete, kanë dalë në dritë përsëri në prag të gjykimit të Hysen Musliut, që akuzohet për montim të dokumenteve kundër udhëheqësve të BDI-së.
