BOSHNJAKOVSKI DHE ZAEVI IA KUJTOJNË LIGJIN OSMANIT, “FLAMURI MUND TË PËRDORET VETËM NËSE E LEJON LIGJI”

0

Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane Bujar Osmani në emisionin Click Plus, foli edhe për vendosjen e flamurit shqiptarë në  kalanë e Ohrit dhe dënimin që iu shqiptua shqiptarit nga Kosova.  Osmani tha se flamuri mund të përdoret ku do në Maqedoninë e Veriut dhe se askush nuk mund ta pengojë një gjë të tillë.

“Ta dini që flamuri shqiptarë është flamurë zyrtarë dhe do përdoret jo vetëm në kala, por do të përdoret çdokënd edhe atë në institucione”

Po na dënojnë morë zotëri edhe te kalaja e Shkupit para disa viteve ndodhi e njëjta . E dënuan?

“Askush”

Zotërinë me 1000 e ca euro  dhe me 5 vite ndalesë?

“Ajo do të shqyrtohet, është çështje e ndikim të zgjedhjeve, por ju garantoj nxirreni flamurin ku të doni dhe si të doni për shkak se është e garantuar me ligj”, u shpreh zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani.

Por zëdhënësi i qeverisë Mile Boshnjakovski tha se flamuri mund të përdoret vetëm aty ku lejohet me ligj.

“Në Maqedoni ka ligj për përdorimin e flamujve. Aty ku lejohet, lejohet. Kurse aty ku ligji e ndalon dhe shkelet do të ketë dënime. Sa i përket procesit gjyqësor ne nuk mund të komentojmë dhe të përzihemi”, theksoi zëdhënësi i Qeverisë Mile Boshnjakovski.

Edhe kryeministri Zaev për këtë çështje na adresoi tek ligji i RMV.

“Ligjet në vendin tonë janë të qarta dhe precize dhe ato duhet respektuar. Dihet kur përdoret flamuri i një bashkësie etnike, në çfarë rrethana dhe në çfarë dimensione. 1/3 kundrejt 2/3. Ka rregulla se si përdoret. Ka ligje, kaq vite jemi duke folur për flamurin dhe përdorimin e tij, u mësuam dhe duhet të mësojmë se ligjet duhet të respektohen në tërësi”, potencoi kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

E në ligjin për përdorimin e flamurit thuhet:

Neni 4

“Në Nenin 6 Paragrafi 1 në fjalinë hyrëse pas fjalës “bashkësisë” shtohen fjalët: “dhe janë më shumë se 50% të popullatës në atë njësi të vetëadministrimit lokal”. Alineja 1 ndryshohet si vijon: “- gjate ngjarjeve multilaterale, ndeshjeve dhe tubimeve tjera (publike, shkencore, kulturore artistike, sportive etj.), në të cilat njësia e vetëadministrimit lokal është organizator, merr pjesë ose prezantohet, në pajtim me rregullat dhe praktiken e mbajtjes së atyre tubimeve dhe”. Në Alinenë 2 pas fjalës “tjerë” shtohet fjala “publike”.

Ndryshe arbëreshët e Italisë gjatë një vizite në Kalanë e Ohrit shpalosën një flamur të madh shqiptarë. Pas paraqitjes së rastit në polici si dhe pas procedurave dhe vendimit të gjykatës së Ohrit, shtetasit zviceran Gjergj Prekoçaj i cili ishte pjesë e grupit arbëresh, i është ndaluar hyrja për 5 vjet në Maqedoni, ndërsa është gjobitur me 1080 euro.

Përgatiti: Salije Sadiku

OSMANI: OPOZITA SHQIPTARE PO BËN PAZARE TË FSHEHTA, REAGOJNË “BESA”, “ALEANCA” DHE BLERIM REKA

0

Duke folur për zgjedhjet presidenciale, mbrëmë në Click Plus, zëvendëskryeministri Bujar Osmani lëshoi akuza në adresë të Lëvizjes “Besa” dhe “Aleancës për Shqiptarët” se po bëjnë pazare të fshehta me partitë politike maqedonase për rrethin e dytë të Presidencialeve, ndërsa sipas Osmanit, deri dje këto dy parti kanë thënë se është turp të votohet për një maqedonas.

“Unë bazohem në informacionet që kam për takimet që bëhen çdo ditë më liderët e partive politike maqedonase për të bërë një Pazar të ulët partiak, duke menduar se do të ndikojnë në vendimin e njerëzve se për kë do të votojnë”, theksoi zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani.

E nga Lëvizja Besa mohojnë një gjë të tillë. Arjanit Hoxha nga Lëvizja Besa, thotë që absolutisht nuk kanë pasur asnjë lloj komunikimi me partitë maqedonase për ndonjë mbështetje të mundshme për raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.

“Absolutisht nuk kemi pas asnjë lloj komunikimi që ka të bëjë me pazare politike për raundin e dytë. Normalisht që deklarata të tipit të zv/kryeministrit Bujar Osmani janë nga njerëz të cilët e dinë se si  behën pazaret fshehurazi me njërën dhe tjetrën palë dhe ata çdo herë dyshojnë se mundet edhe palët e tjera të jenë njëjtë si ata për të bërë pazarllëqe fshehurazi, ashtu siç janë parë në opinion që kanë qenë të dëmshme për shqiptarët”, tha Arjanit Hoxha nga Lëvizja Besa.

Edhe nga Aleanca për Shqiptarët thonë se nuk bëjnë pazare me votuesit shqiptar madje dhe se për ta ky term është i panjohur. Shtojnë se ka qenë pikërisht BDI që dikur i bënte pazaret me LSDM në zgjedhjet lokale duke i ndihmuar ndihmuar njëra-tjetrës.

“E rikujtojme Bujar Osmanin edhe per pazaret e BDI me VMRO në  zgjedhjen e gjykatëse dhe prokuroreve partiak, qe i dëgjuam tek bombat e Zaevit, që sot shqiptojnë dënime maksimale ndaj shqiptarëve. Pazare BDI bëri edhe me LSDM edhe VMRO per qytetin e Dibrës. Ndërsa ne bëjmë aleancë me votuesin shqiptar, i cili do ta ndëshkoj BDI, për pazaret herë me LSDM e herë me VMRO-në, në dem te shqiptarëve, dhe ne dobi te subjektit te tyre te BDI per te qendruar në pushtet si subjekt i pershtatshem dhe lojal  herë i VMRO e herë i LSDM, dhe jo si përfaqësuese e elektoratit shqiptar”, u shpreh Flakron Bexheti nga Aleanca për Shqiptarët.

Reagoi edhe Blerim Reka i cili nuk arriti të kalojë në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.

Ai përmes një statusi një facebbok theksoi se nuk do lejojë tregti me vota dhe apelon që me 5 maj, qytetarët të dalin sa më masivisht në vend-votime dhe, siç thekson,  ta shpëtojnë  procesin Euro- Atlantik.

Përgatiti: Besir Arifi

BFI NDRYSHON QËNDRIMIN, FTON QYTETARËT TË DALIN NË ZGJEDHJE

0

Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë ndryshoi qëndrimin.

Ndonëse Resi ulema Sulejman Rexhepi më 23 prill tha se nuk do të thërret për dalje në votim në zgjedhjet presidenciale, institucioni të cilin ai e drejton doli me një apel përmes së cilit thërret qytetarët që më 5 maj, të dalin masivisht dhe të shfrytëzojnë të drejtën e tyre qytetare të votës.

“Të dielën, më 5 maj, besimtarët myslimanë duhet të dalin masivisht dhe të shfrytëzojnë të drejtën e tyre qytetare të votës për më shumë të drejta, për shtet ligjor dhe demokratik, për të drejta fetare dhe kombëtare për të gjithë popujt që jetojnë në Maqedoninë e Veriut, për anëtarësim në NATO dhe në BE, rrugë të cilën si besimtarë dhe si BFI e kemi trasuar me vite, në vazhdimësi”, thonë nga Bashkësia Fetare Islame.

Vetëm para 10 ditëve kreu i BFI-së para mediave tha se askush mos të kërkojë nga ai që të del dhe të thërret për dalje në votim, pasi siç tha, një gjë të tillë nuk do ta bënte asnjëherë.

“Kanë kërkuar që unë të dal, t’i apeloj popullit se votoni këta, se këta janë xhenetli, shumë të mirë janë. Këtë punë mos ta kërkojnë prej meje kurniher. Po nuk ka mandat askush edhe jashta meje atë ta kërkoj.  Ju garantoj me jetë”, u shpreh kryetari i Bashkësisë Fetare Islame, Sulejman Rexhepi.

TV21 kërkoi përgjigje nga BFI, se pse ka ndryshuar qëndrim, dhe pse tani apelon që qytetarët të dalin për të votuar. Zëdhënësi i BFI-së Agron Vojnika tha se BFI-asnjëherë nuk kanë thënë që qytetarët të mos të dalin në votime. Ai tha se apeli për të dalë në zgjedhje është bërë për të mirën dhe të ardhmen e fëmijëve të vendit.

Përgatiti: Mevludin Imeri

Rishfaqet" Blerim Reka: Apel për dalje më 5 maj

0

Kandidati për president Blerim Reka i cili nuk arriti të kalojë në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale u rishfaq sot përmes një statusi në facebook.

Ai theksoi se nuk do lejojë tregti me vota dhe apelon që me 5 maj, qytetarët të dalin sa më masivisht në vend-votime dhe, siç thekson,  ta shpëtojnë  procesin Euro- Atlantik.

Më poshtë iu sjellim postimin e plot të Blerim Rekës:

Të nderuar qytetare dhe qytetarë,

Në prag të rrethit të dytë të zgjedhjeve, më lejoni që të ju falemnderoj edhe një herë për votat tuaja në rrethin e parë.

Rreth 80,000 vota, për vetëm tri javë në politikë; nuk mund të injorohen, sidomos, që ato u dhanë në zgjedhjet presidencijale me daljen më të ulët (42% në total, nga 20% në komunat shqiptare) dhe me pavlefshmërinë më të lartë të flet-votimeve, (rreth 33.000 sish!). Këto vota tuaja, mbështetën konceptin tim “Një Republikë për të gjithë- me ligjin mbi të gjithë”: si udha e vetme për NATO dhe BE.

Edhe sot po e përsëris ate që e thash në fillim të fushatës sime, se nuk do lejoj tregëtinë me vota. As unë, e askush tjetër nuk jemi shit-blerës të votave tuaja, prandaj as nuk kemi të drejtë të ndikojmë në atë se për kë duhet të votoni këtë të diele.

Tregëtia me votat tuaja është kundër konceptit tim për Republikën, kundër sundimit të ligjit si shtyllë e saj dhe kundër demokracisë dhe lirisë së qytetarëve. Pse atëherë u dashka të mbahen zgjedhjet, nëse liderët në rrethin e dytë sillen si pronar të votave tuaja?

Prandaj, duke i qëndruar besnik këtij parimi, ju siguroj që nuk ka pas as takime, as komunikim, as me kundër-kandidatët e as me liderët partiak të tyre, lidhur me thirrjen e mundshme të qytetarëve për të votuar këtë ose atë kandidat presidencial.

Unë mund vetëm të ju apeloj, që me 5 maj, të dilni sa më masivisht në vend-votime dhe ta shpëtoni procesin Euro- Atlantik.

KU MBETËN ZOTIMET E LIDERËVE PËR LOJËRAT E FATIT? LËVIZJA ANTI-BIXHOZ: VAZHDON HAPJA E KAZINOVE TË REJA

0

Lëvizja Anti-Bixhoz, i kujtoi liderëve politik në Maqedoninë e Veriut për zotimet që kishin bë në lidhje me dislokimin e lojërave të fatit nga vendbanimet dhe objektet shkollore e fetare.

Nga Lëvizja Anti-Bixhoz theksuan se beteja e tyre do të vazhdoj deri në momentin e fundit për të sjell një ligj sa më të mirë dhe që do t’i shërbej shoqërisë. Nga Lëvizja Anti-Bixhoz potencuan se, jo që nuk janë ndërmarrë masa, por janë hapur edhe disa kazino të reja.

“Nga takimi me drejtorin e inspektoriatit të tregut të Maqedonisë së Veriut morëm premtimin se ato do të zhvillojnë kontrolle të rrepta nëpër objektet e lartë përmendura, nga ana e tyre për të mbrojtur qytetarët nga kjo murtajë e quajtur kumar. Mirëpo pas dy ditëve të kontrolleve nga inspektoriati  fatkeqësisht drejtoria e humbi frontin duke ndërprerë kontrollet. Prandaj pyesim se kush qëndron pas këtij urdhri duke penguar zbatimin e ligjit ekzistues duke shkuar deri në hapjen e objekteve të reja dhe akomodimin e tyre nëpër vendbanime”, u shpreh Jushi Emrullai nga Lëvizja Anti-bixhoz.

Hoxha: Qeveria miraton propozim ligjin për njohje reciproke të patentë shoferit në mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës

0

Zëdhënësi i Qeverisë, Muhamed Hoxha, bëri të ditur se Qeveria e Maqedonisë së Veriut në mbledhjen e fundit ka miratuar propozim ligjin për njohje reciproke të patentë shoferit në mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.

Zëdhënësi i Qeverisë Muhamed Hoxha tha se ligji për ratifikimin e marrëveshjes në mes Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe Qeverisë së Kosovës për njohje reciproke të patentës do të dorëzohet për miratim në Kuvend.

Derkoski, pret që dita zgjedhore të jetë demokratike, ashtu siç ishte më 21 prill në rrethin e parë zgjedhor

0

Kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve Oliver Derkoski, në pres konferencë për mediat theksoi se materiali është përpunuar në kohë dhe gjatë ditës 12 ekipet e KSHZ-së do ta shpërndajnë materialin zgjedhor. Derkoski tha se fushata zgjedhore në prag të rrethit të dytë kaloi në atmosferë të qetë pa prishje serioze të procesit dhe se kandidatët i janë përmbajtur agjendave të tyre. Kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Oliver Derkoski tha se është e rëndësishme që të dielën të kemi një ditë të pastër, të lirë dhe korrekte në të cilën do të vërtetojmë atë që ndodhi në ditën e parë të zgjedhjeve, dhe se qytetarët të dalin dhe në mënyrë demokratike të tregojnë se mund të realizojnë zgjedhje të pastra që  do të nënkuptojnë parakusht për shumë punë tjera për të cilat aspiron shteti ynë.

Në takimin e Parisit shkohet për njohje reciproke

0

Nuk do të flitet as për taksën as për kufijtë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në konferencën e tij të parë pas samitit të Berlinit, tha se është qartësuar qe nuk ka nevojë të diskutohet për taksën më dhe se nuk ka pse të bisedohet më për idetë për kufijtë.

Kreu i ekzekutivit foli edhe për takimin bilateral të Parisit që do të mbahet më 1 korrik. Ai tha se tani shkohet për njohje reciproke dhe për ketë siç tha ai kanë pajtim me presidentin dhe të gjithë.

Haradinaj theksoi nevojën e koordinimit me Amerikën që sipas tij është grantuese e një marrveshjeje. Takimin e Parisit ai e quajti serioz pasi që është takim bilateral ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Dhe sipas kryeministrit në Paris duhet të shkohet të përgatitur.

“Duhet si Kosovë t’i shprehim falënderim kancelares Merkel, Gjermanisë për marrjen e kësaj iniciative dhe presidentit të Francës. Samiti e ka stabilizuar rajonin, procesin. Takimi i Parisit që do të mbahet është ngjarje bilaterale Kosovë-Serbi. Kosova duhet tani të plotësojë formatin e vet, sepse tani bëhet fjalë për dialog, e aty duhet të jenë edhe kryesuesit e delegacionit shtetëror. Përveç krerëve institucional, do të ishte mirë të vijnë edhe opozita. Është qartësuar që s’ka nevojë të diskutohet për taksën sepse dialogu po vazhdon. Nuk shkojmë më për të biseduar për kufij. Ne kemi dhënë konfirmim për takimin e Parisit, kam kërkuar që nga pala e Kosovës të paraqiten edhe kolegë të tjerë. Macron e ka pranuar këtë. Idetë e kaluara kanë shtyrë që të ndërrohet formati i dialogut, diskutimet për kufijtë kanë bërë që dialogu të hiqet nga formati i kaluar. Jem i në situata shumë më serioze dhe më të qëndrueshme”, tha Haradinaj.

Shefi i Qeverisë Ramush Haradinaj tutje u shpreh se bashkë me presidentin Thaçi në Paris do të kenë qëndrime të njëjta./21Media

Përdorimi i flamurit, Boshnjakovski i përgjigjet Osmanit

0

Mbrëmë në emisionin Click Plus, zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani tha se flamuri mund të përdoret ku të duash dhe askush nuk mund të të bëjë asgjë.

Por i këtij mendimi nuk është zëdhënësi i Qeverisë Mile Boshnjakovski i cili tha se në vend ka ligj për përdorimin e flamujve dhe nëse ai shkelet do të ketë dënime.

“Në Maqedoni ka ligj për përdorimin e flamujve. Aty ku lejohet lejohet. Kurse aty ku ligji e ndalon dhe shkelet do të ketë dënime. Sa i përket procesit gjyqësor ne nuk mund të komentojmë dhe të përzihemi”, u shpreh zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakovski.

BFI me apel: Të dielën të votojmë për NATO dhe BE!

0

Rijaseti i Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut, në mbledhjen e rregullt të mbajtur më 30 prill, para rrethit të dytë të Zgjedhjeve presidenciale 2019, u është drejtuar zgjedhësve myslimanë me këtë Apel:

-Të dielën, më 5 maj, besimtarët myslimanë duhet të dalin masivisht dhe të shfrytëzojnë të drejtën e tyre qytetare të votës për më shumë të drejta, për shtet ligjor dhe demokratik, për të drejta fetare dhe kombëtare për të gjithë popujt që jetojnë në Maqedoninë e Veriut, për anëtarësim në NATO dhe në BE, rrugë të cilën si besimtarë dhe si BFI e kemi trasuar me vite, në vazhdimësi.

Të gjithë votuesit, pa përjashtim, e kanë formuar bindjen e tyre dhe tashmë e dinë se për cilin kandidat të votojnë. Duke votuar për vlerat evropiane dhe amerikane, të gjithë zgjedhësit vihen në krah të forcave që ia duan të mirën këtij vendi, që e duan lirinë dhe pavarësinë, që e duan paqen me vetveten dhe me Zotin.

BFI vazhdimisht ka bërë dhe bën thirrje që besimtari i saj, krahas lidhjes me Zotin, të jetë në lidhje edhe me rrethin, me shoqërinë, jo për t’u bërë vegël e ndokujt, por për të pritur prej faktorëve vendimmarrës më të mirën për vetveten dhe për ummetin mysliman. Lidhja me Evropën e përparuar dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, jemi thellë të bindur, do të sigurojë një të sotme dhe një të ardhme më të mirë për të gjithë besimtarët, pavarësisht se cilës fe i takojnë. Besimtarët islamë të Maqedonisë së Veriut – shqiptarët, turqit, torbeshët, boshnjakët, romët, ashkalinjtë, egjiptianët dhe gjithë të tjerët presin shumë nga Presidenti i tyre i ardhshëm, presin shumë nga puna dhe vendimet e tij, prandaj ata krejt lirshëm, ashtu siç u ka hije, të dielën, më 5 maj 2019, të dalin dhe të votojnë duke shfrytëzuar të drejtën dhe obligimin e tyre kushtetues.

Rijaseti i BFI në RMV

Reisul Ulema h. Sulejman ef. Rexhepi