Duke folur për zgjedhjet presidenciale, mbrëmë në Click Plus, zëvendëskryeministri Bujar Osmani lëshoi akuza në adresë të Lëvizjes “Besa” dhe “Aleancës për Shqiptarët” se po bëjnë pazare të fshehta me partitë politike maqedonase për rrethin e dytë të Presidencialeve, ndërsa sipas Osmanit, deri dje këto dy parti kanë thënë se është turp të votohet për një maqedonas.
“Unë bazohem në informacionet që kam për takimet që bëhen çdo ditë më liderët e partive politike maqedonase për të bërë një Pazar të ulët partiak, duke menduar se do të ndikojnë në vendimin e njerëzve se për kë do të votojnë”, theksoi zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani.
E nga Lëvizja Besa mohojnë një gjë të tillë. Arjanit Hoxha nga Lëvizja Besa, thotë që absolutisht nuk kanë pasur asnjë lloj komunikimi me partitë maqedonase për ndonjë mbështetje të mundshme për raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.
“Absolutisht nuk kemi pas asnjë lloj komunikimi që ka të bëjë me pazare politike për raundin e dytë. Normalisht që deklarata të tipit të zv/kryeministrit Bujar Osmani janë nga njerëz të cilët e dinë se si behën pazaret fshehurazi me njërën dhe tjetrën palë dhe ata çdo herë dyshojnë se mundet edhe palët e tjera të jenë njëjtë si ata për të bërë pazarllëqe fshehurazi, ashtu siç janë parë në opinion që kanë qenë të dëmshme për shqiptarët”, tha Arjanit Hoxha nga Lëvizja Besa.
Edhe nga Aleanca për Shqiptarët thonë se nuk bëjnë pazare me votuesit shqiptar madje dhe se për ta ky term është i panjohur. Shtojnë se ka qenë pikërisht BDI që dikur i bënte pazaret me LSDM në zgjedhjet lokale duke i ndihmuar ndihmuar njëra-tjetrës.
“E rikujtojme Bujar Osmanin edhe per pazaret e BDI me VMRO në zgjedhjen e gjykatëse dhe prokuroreve partiak, qe i dëgjuam tek bombat e Zaevit, që sot shqiptojnë dënime maksimale ndaj shqiptarëve. Pazare BDI bëri edhe me LSDM edhe VMRO per qytetin e Dibrës. Ndërsa ne bëjmë aleancë me votuesin shqiptar, i cili do ta ndëshkoj BDI, për pazaret herë me LSDM e herë me VMRO-në, në dem te shqiptarëve, dhe ne dobi te subjektit te tyre te BDI per te qendruar në pushtet si subjekt i pershtatshem dhe lojal herë i VMRO e herë i LSDM, dhe jo si përfaqësuese e elektoratit shqiptar”, u shpreh Flakron Bexheti nga Aleanca për Shqiptarët.
Reagoi edhe Blerim Reka i cili nuk arriti të kalojë në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.
Ai përmes një statusi një facebbok theksoi se nuk do lejojë tregti me vota dhe apelon që me 5 maj, qytetarët të dalin sa më masivisht në vend-votime dhe, siç thekson, ta shpëtojnë procesin Euro- Atlantik.
Përgatiti: Besir Arifi
