Nuk do të flitet as për taksën as për kufijtë
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në konferencën e tij të parë pas samitit të Berlinit, tha se është qartësuar qe nuk ka nevojë të diskutohet për taksën më dhe se nuk ka pse të bisedohet më për idetë për kufijtë.
Kreu i ekzekutivit foli edhe për takimin bilateral të Parisit që do të mbahet më 1 korrik. Ai tha se tani shkohet për njohje reciproke dhe për ketë siç tha ai kanë pajtim me presidentin dhe të gjithë.
Haradinaj theksoi nevojën e koordinimit me Amerikën që sipas tij është grantuese e një marrveshjeje. Takimin e Parisit ai e quajti serioz pasi që është takim bilateral ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Dhe sipas kryeministrit në Paris duhet të shkohet të përgatitur.
“Duhet si Kosovë t’i shprehim falënderim kancelares Merkel, Gjermanisë për marrjen e kësaj iniciative dhe presidentit të Francës. Samiti e ka stabilizuar rajonin, procesin. Takimi i Parisit që do të mbahet është ngjarje bilaterale Kosovë-Serbi. Kosova duhet tani të plotësojë formatin e vet, sepse tani bëhet fjalë për dialog, e aty duhet të jenë edhe kryesuesit e delegacionit shtetëror. Përveç krerëve institucional, do të ishte mirë të vijnë edhe opozita. Është qartësuar që s’ka nevojë të diskutohet për taksën sepse dialogu po vazhdon. Nuk shkojmë më për të biseduar për kufij. Ne kemi dhënë konfirmim për takimin e Parisit, kam kërkuar që nga pala e Kosovës të paraqiten edhe kolegë të tjerë. Macron e ka pranuar këtë. Idetë e kaluara kanë shtyrë që të ndërrohet formati i dialogut, diskutimet për kufijtë kanë bërë që dialogu të hiqet nga formati i kaluar. Jem i në situata shumë më serioze dhe më të qëndrueshme”, tha Haradinaj.
Shefi i Qeverisë Ramush Haradinaj tutje u shpreh se bashkë me presidentin Thaçi në Paris do të kenë qëndrime të njëjta./21Media
