Nëse gjendet zgjidhje për protokollin, pjesa tjetër e propozimit francez mund të pranohet nga ana jonë. Kështu deklaroi mbrëmë në emisionin 10 minuta të TV21 ministri i jashtëm Bujar Osmani. Ai shtoi se është në komunikim të vazhdueshëm me Francën dhe Bullgarinë me qëllim që të arrihet një propozim i cili do t’i ketë parasysh gjërat senzitive.
“Mendoj se ka hapësirë të mjaftueshme që kryesimi francez të mundet t’i rregulloj çështjet e ndjeshme për ne dhe çështjet e ndjeshme për Bullgarinë. Ne kemi thënë që çështjet tona të ndjeshme janë gjuha, çështjet historike të mos jenë bazë e procesit Evropian dhe kuptohet që negociatat të fillojnë menjëherë para se të fillojmë me ndryshimet kushtetuese. Pala bullgare ka ndryshimet kushtetuese, të drejtat etnike dhe të pakicës”- deklaroi Bujar Osmani, Ministër I Jashtëm.
Por për prishje të pozicioneve negociuese dhe strategjisë shtetërore, Osmani fajëson dikë tjetër. Ai tha se kishte tentime me vetëdije për shkatërrim të strategjisë shtetërore, pa saktësuar se kush ka bërë një gjë të tillë, por vetëm shtoi se të gjitha këto do të shqyrtohen në periudhën në vijim.
“Kishte njerëz të cilët janë lajmëruar në telefona të minsitrave, redaktorëve të mediumeve, të partive politike në Maqedoni, duke ju dhënë informacione të rrejshme, ndërsa kjo ndodhte kur ne nuk kishim qëndrim publik, derisa unë kam shpjeguar se përse ne nuk kishim qëndrim sepse u morëm vesh që deri sa nuk ka votim të besimit në Qeverinë bullgare ne të mos ndikojmë aspak”- pohoi Bujar Osmani, Ministër I Jashtëm.
Por deputetja opozitare e VMRO-DPMNE-së Gordana Siljanovski- Davkoka, për dështimet në politikën e jashtme fajësoi pikërisht ministrin Osmani, të cilin e quajti pediatër i keq.
“Atë që e flet z. Osmani i cili ndoshta është politikan më i harxhuar, sepse atij duhet t’i llogariten edhe ajo që bënte në Sekretariatin për euro integrime. Nuk është mirë ta them, por ai sillet si një pediatër I keq, ashtu na trajton neve, si fëmijë, mendon se mënyrë e re të shprehjes së tij të mbushur me improvizime, me pasaktësi, pa siguri, mendon se tingëllon bukur”- deklaroi GORDANA SILJANOVSKA-DAVKOVA, DEPUTETE E VMRO-DPMNE.
Ndryshe Osmani mbrëmë theksoi se nuk është refuzuar propozimi francez në tërësi, por vetëm pjesa kontestuese për Maqedoninë siç janë gjuha, identiteti dhe çështjet historike.
