Mos u izoloni, flisni dhe kërkoni mbështetje! Pacientet me kancer të gjirit apel grave

TË FUNDIT

Në muajin rozë, pacientet që me vite luftojnë me kancerin e gjirit, bëjnë thirrje që gratë me kancer të mos izolohen, por të flasin hapur për sëmundjen, të ndajnë përvojat dhe të kërkojnë mbështetje. Ato theksojnë rëndësinë e kontrolleve të rregullta dhe të një mbështetjeje të përbashkët, për ta përballuar më lehtë trajtimin dhe për të vazhduar jetën me forcë.

Rreth 1.000 raste të reja të kancerit të gjirit regjistrohen çdo vit në vend, ndërsa rreth 7.000 gra aktualisht trajtohen ose janë trajtuar nga kjo sëmundje. Ministri i Shëndetësisë Sasho Klekovski theksoi rëndësinë e diagnostikimit të hershëm dhe paralajmëroi një koncept të ri për skriningun e kancerit të gjirit, pasi programi aktual është vlerësuar si joefektiv. Ai njoftoi gjithashtu se dy barna për kancerin e gjirit janë përfshirë në listën pozitive, ndërsa këtë vit është krijuar edhe një bord multidisiplinar për trajtimin e pacienteve.


“Për momentin problemi kryesor është programi i skriningut i kancerit të gjirit, me revizionin që u bë nga Enti shtetëror i revizionit mund të themi se është i pasuksesshëm dhe duhet në tërësi ta rimodelojmë konceptin dhe besoj se shumë shpejt bashkë me Hema-Onko do të gjejmë gjuhë të përbashkët për të promovuar koncept të ri për programin e skriningut”, tha ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski.

Kanceri i gjirit është shkaku më i shpeshtë i vdekjes nga sëmundjet malinje te gratë në Maqedoni. Sipas të dhënave, vetëm në vitin 2024 shkalla e vdekshmërisë arriti në 39,4 raste për 100 mijë gra, niveli më i lartë në 15 vitet e fundit. Me mesazhin se zbulimi i hershëm mund të shpëtojë jetë, shoqatat HEMA ONKO dhe Medicus Help organizuan sot “Mëngjesin e Piknikut Rozë” në Parkun e Qytetit në Shkup.