Evropa të mos na diskriminojë për faktin se nuk jemi pjesë e Bashkimit Evropian – të gjithë të kalojmë në linjë të shpejtë gjatë kontrollit të pasaportave në aeroporte. Këtë çështje do ta hapte kryeministri Hristijan Mickoski në bisedat me kryetaren e Komisionit Evropian, von der Leyen, e cila të mërkurën do ta vizitojë vendin tonë, por edhe me kolegët nga Bashkimi Evropian gjatë Procesit të Berlinit. Arsyeja është sistemi elektronik për hyrje dhe dalje nga vendet e BE-së, i cili nisi të zbatohet që nga dje dhe vlen për të gjithë qytetarët që vijnë nga vendet jashtë zonës Shengen, përfshirë edhe Maqedoninë.
“Nëse me të vërtetë duam që deri në vitin 2030 ta shohim rajonin si pjesë të Evropës, mendoj se Europa së paku duhet të mos na diskriminojë. Të gjithë të mund të jemi qytetarë të Evropës dhe të gjithë të mund të kalojmë kontrollin e pasaportave pa u diskriminuar për shkak se nuk jemi pjesë e BE-së. Të kalojmë të gjithë në linjë të shpejtë, të gjithë kemi pasaporta biometrike, dhe siç thonë ata – nëse ka vullnet, ka edhe mënyrë. Kjo të jetë hera e parë që Bashkimi Evropian jep një mesazh konkret për Ballkanin Perëndimor”, deklaroi Hristijan Mickoski – kryeministër.
Kryeministri kërkoi që të shqyrtohet më shpejt iniciativa e vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe tonën, për të lehtësuar hyrjen dhe daljen e transportuesve. Ai kërkoi gjithashtu që të funksionojë “linja e gjelbër”, e cila ishte paralajmëruar nga Komisioni Evropian.
Nga Asociacioni i transportuesve të kamionëve më herët për TV21 paralajmëruan se sistemi i ri do të shkaktojë kolaps të ekonomisë maqedonase dhe të ardhura më të ulëta në buxhetin shtetëror. Gjithashtu, do t’i detyrojë kamionistët të zhvendosin biznesin jashtë vendit. Ata paralajmëruan se për shkak të rregullit për qëndrim 90-ditor brenda kufijve të BE-së, brenda dy muajve një kamionist do ta arrijë limitin.
“Disa tashmë po mendojnë dhe po hapin kompani jashtë. Do të ndikojë në vetë shoqëritë tregtare të transportit, do të ndikojë në të gjithë ekonominë në vendin tonë, pasi importi dhe eksporti në këtë vend, i cili është i varur nga importi, në 96% të rasteve realizohet me transport rrugor. Furnizimi me lëndë të para, mallra tregtare, madje edhe ilaçe dhe nevoja të tjera që kemi do të ngadalësohet ose do të kushtojë më shtrenjtë, për shkak se do të duhet të angazhohen disa transportues të huaj”, dekalroi Biljana Muratovska, Asociacioni i Transportuesve “Makam Trans”.
Kryetari i OEMVP-së Nuhi Aliu, thotë se deri tani nuk kanë marrë reagime të mëdha nga transportuesit.
“Ankesa të mëdha nuk kemi, ka disa ankesa më të vogla që kërkojnë disa çështje teknike të thjeshtohen, në mënyrë që komunikimi të realizohet edhe më shpejt”, tha Nuhi Aliu, biznesmen.
Sistemi për hyrje/dalje parashikon mbledhjen e të dhënave biometrike – fotografi e fytyrës dhe katër gishta – për të gjithë qytetarët nga vendet jashtë zonës Shengen. Do të numërohen ditët e qëndrimit, të cilat nuk duhet të kalojnë 90 ditë.
