Filipçe: Qeveria solli varfëri, jo përmirësim të jetesës! Stojanoski: Për 2 vite paga mesatare u rrit me 8.000 denarë

TË FUNDIT

Qeveria dhe opozita me akuza të ndërsjella për standardin e jetesës së qytetarëve dhe për çështjen nëse jetohet më mirë tani apo para dy vitesh. Kreu i LSDM-së Venko Filipçe akuzoi se për dy vite, në vend të jetës më të mirë, qeveria ka sjellë varfëri më të madhe. Ai tha se analiza e tyre tregon se pas dy vitesh nga mandati i kësaj qeverie, 90% e premtimeve të dhëna para dy vitesh nuk janë përmbushur. Shtoi se dështimi më i madh është pikërisht në ekonomi dhe standardin e jetesës, që ishin premtimet kyçe para zgjedhjeve.

“Pagat po shkrijnë, rritja e çmimeve është e madhe, ndërsa ne kemi standardin më të ulët në rajon, punëtorët kanë pagat më të ulëta në rajon dhe thjesht jemi më të varfrit. Inflacioni prej 4,8% është pothuajse dy herë më i madh se ajo që ata e parashikonin në platformën e tyre parazgjedhore. Ushqimi është i shtrenjtë, në nivel vjetor shtrenjtimi është rreth 10%. Çmimet e larta nuk do të kthehen më mbrapa sepse Qeveria nuk ka ndërmarrë asnjë masë, dhe për këtë ne paralajmëruam me kohë”, tha Venko Filipçe – kryetar i LSDM-së.

Sipas Filipçes, në vend të pagave më të larta dhe kushteve më të mira për jetë, qytetarët përballen me varfëri në rritje, çmime të larta dhe investime të ulëta. Ai tha se Maqedonia ka standardin më të ulët të jetesës në rajon, ndërsa çmimet e ushqimit vazhdojnë të rriten. Nga ana tjetër, pushteti pretendon se politikat ekonomike po japin rezultate dhe se të ardhurat e të punësuarve po rriten. Sipas tyre, të dhënat zyrtare konfirmojnë se pagat në Maqedoni shënojnë rritje të dukshme.

“Në mars 2024 paga mesatare neto ishte 40.496 denarë, ndërsa në mars 2026 arriti 48.433 denarë. Kjo do të thotë se për dy vite paga mesatare neto është rritur për gati 8.000 denarë, përkatësisht për 19,6 për qind. Në të njëjtën periudhë, rritja e çmimeve ishte 7,8 për qind. Kur rritja e pagave korrigjohet me rritjen e çmimeve, rritja reale e pagës mesatare është gati 11 për qind”, u shpreh Bojan Stojanoski – deputet i VMRO-DPMNE-së.

Nga VMRO-DPMNE thonë se qëllimi i tyre mbetet i qartë: pagat të vazhdojnë të rriten më shpejt se çmimet, të hapen vende pune më të paguara dhe qytetarët të kenë standard më të lartë jetese.