Mbi 38 mijë gra në Maqedoninë e Veriut janë të regjistruara si fermere, por shumë prej tyre përballen me mungesë të sigurisë financiare, pushimit të lehonisë, sigurimit shëndetësor dhe mbrojtjes sociale.
Këto sfida u diskutuan në panelin “Të korrat pa emrin e saj: Gratë rurale dhe puna e padukshme”, të mbajtur në Europe House në Strumicë, në kuadër të fushatës “Vish ndryshimin”, të iniciuar nga Delegacioni i Bashkimit Evropian dhe ambasadat e vendeve anëtare.
Sipas të dhënave të prezantuara, në vitin 2021 vetëm 4,1 për qind e grave në zonat rurale figuronin si pronare të pronave, ndërsa në nivel kombëtar vetëm 12 për qind e grave kanë në pronësi tokë.
Në diskutim janë trajtuar shkaqet e këtyre pabarazive, përfshirë edhe praktikat që lidhen me trashëgiminë. Edhe pse vajzat kanë të drejtë ligjore për të trashëguar, ato shpesh heqin dorë nga pjesa e tyre në favor të vëllezërve. Në këtë ndikojnë traditat e kahershme dhe pritshmëria se, pas martesës, vajza do t’i “përkasë një familjeje tjetër”. Në diskutim u theksuan edhe pengesat tradicionale që i bëjnë vajzat të heqin dorë nga trashëgimia në favor të vëllezërve. Mesazhi kryesor ishte se kontributi i grave fermere duhet të shoqërohet me të drejta dhe mundësi të barabarta.
