Tetëdhjetë e tetë të sëmurë dhe nëntë persona të burgosur janë paraqitur sot për të realizuar të drejtën e tyre për të votuar në Komunën e Bërvenicës, në votimet e parakohshme, pasi ndërroi jetë ish-kryetari i kësaj komune. Anëtarë të Komisionit Zgjedhor Komunal që në mëngjes kanë dalë në terren për t’iu mundësuar të sëmurëve dhe atyre me pamundësi lëvizjeje ta realizojnë të drejtën e tyre, thotë kryetarja e Komisionit Zgjedhor Komunal, Nedime Sallai.
“Në gjithsej 24 vendvotime në Komunën e Brvenicës, nga personat e paaftë dhe të sëmurë janë paraqitur gjithsej 88, ndërsa 9 janë të burgosur, të cilët i presim brenda ditës të realizojnë të drejtën e tyre. Sipas vendimit, lista zgjedhore në Komunën e Brvenicës u përmbyll me gjithsej 16.256 votues”, tha Sallai.
Sallai njoftoi se nga shpallja e zgjedhjeve deri më tani gjithçka ka shkuar siç duhet.
“Deri më tani, nga shpallja e zgjedhjeve, ka shkuar gjithçka në rregull. Komisioni Komunal ka përgatitur të gjitha materialet dhe deri më tani gjithçka shkon sipas Ligjit për zgjedhje demokratike dhe shpresojmë se edhe nesër i gjithë procesi do të shkojë siç na ka hije si qytetarë, ndërsa ne do të jemi në koordinim me gjithë rrjedhën e votimeve”, shtoi më tej Sallai.
Në zgjedhjet e gjashta me radhë në Komunën e Brvenicës, garojnë për të parin e komunës gjashtë kandidatë, katër nga koalicionet dhe dy të pavarur. Deri te zgjedhjet e parakohshme në Komunën e Brvenicës ka ardhur si pasojë e ndërrimit jetë të ish-kryetarit nga një atak kardiak muaj më parë.
