Përplasje VMRO-LSDM për rrugën evropiane të vendit! Akuza për bllokim dhe lëshime në procesin eurointegrues

TË FUNDIT

Kush e pengon të ardhmen evropiane të vendit dhe kush pranon çdo lloj lëshimi për të ardhur në pushtet? Kritika për rrugën eurointegruese të vendit ishin në fokus në përplasjet e sotme partiake pushtet-opozitë. VMRO-DPMNE akuzon se Filipçe e vazhdon politikën e Zaevit dhe pa kushte i pranon kërkesat bullgare në garën për pushtet. Thonë se Filipçe shkon një hap më tej dhe hapur i relativizon kërkesat bullgare, duke pretenduar se identiteti maqedonas nuk është i rrezikuar.

“Në kohë kur nga Bullgaria vijnë mesazhe me të cilat kontestohen pjesë të historisë maqedonase, gjuhës dhe identitetit kulturor, Filipçe mbetet i heshtur ndaj atyre pozicioneve dhe pa rezervë i mbështet lëshimet që kërkohen nga Maqedonia. Është e qartë se për të është më e rëndësishme të sigurojë mbështetje politike nga jashtë sesa të qëndrojë pas qëndrimeve dhe ndjenjave të qytetarëve maqedonas. Maqedonia ka nevojë për një rrugë evropiane dinjitoze, por me garanci të qarta dhe pa kushte të reja identitare”, tha Brane Petrushevski nga VMRO-DPMNE.

Zothen se VMRO-DPMNE nuk do të lejojë kompromise me interesat kombëtare dhe se nuk ka kthim të politikave që sillnin ndarje dhe lëshime në dëm të Maqedonisë. Ndërkohë, kreu i opozitës LSDM, Venko Filipçe, me kundërakuza. Thotë se VMRO premtoi të ardhme evropiane, ndërsa për dy vite solli izolim. Rikujtoi pushtetin se premtuan përpjekje maksimale për përparim në proceset eurointegruese dhe anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian, përmbushje të reformave dhe përshtatje të plotë me legjislacionin evropian, nga të cilat nuk ka asgjë.

“Nuk ka asnjë reformë, ka ligje që miratohen në Kuvend, të cilat nuk janë sipas rekomandimeve të Bashkimit Evropian dhe Evropa i kthen mbrapsht. Normalisht, ata njerëz nuk janë naivë. Rruga evropiane është plotësisht e bllokuar. Hristijan Mickoski po e çon vendin në izolim, ndërsa rajoni po ecën përpara. Dhe ai del dhe thotë nuk do të lëvizim asnjë hap, do të presim me dekada, problemet t’i lëmë t’i zgjidhin fëmijët.”, deklaroi Venko Filipçe – kryetar i LSDM.

Sipas Filipçes, në vend të përparimit në integrimet evropiane dhe reformave, shteti është i bllokuar dhe rruga evropiane ka ngecur plotësisht.