Pishina e Tetovës hap dyert për qytetarët, dy ditë në javë është e rezervuar vetëm për gratë dhe vajzat

TË FUNDIT

Pasi nxënësit nisën pushimet verore, pishina e qytetit të Tetovës, është lëshuar në përdorim për të gjithë qytetarët. Ata që takuam thonë se hapësira të tilla duhen edhe në qytete të tjera, por edhe në fshatra. Shprehen se këtu i sjellin fëmijët për të mësuar notin, por edhe për shkak të përfitimeve shëndetësore.

Pishina në Tetovë është e hapur nga e hëna deri të premten nga ora 08:30 deri në ora 16:30, ndërsa gjatë fundjavës nga ora 09:00 deri në orën 21:00. Udhëheqësi i njësisë për sport në Komunën e Tetovës, Muhamed Avziu, thotë se interesimi është i lartë, ndërsa theksoi se të mërkurën dhe të shtunën deri në orën 12:00 pishina është e rezervuar vetëm për gratë dhe vajzat.


“Interesimi është i madh. Shohim, shohim se numri i vizitorëve tek pishina vjen ditë e ditës më shumë, por fluksi më i madh normalisht është gjatë, gjatë fundjavës. Pishina e qytetit vizitohet nga fëmijët, i sjellin prindërit e tyre, por kemi edhe prej të moshuarve që vijnë e vizitojnë pishinën tonë. Tani kemi edhe shumë që vijnë me rekomandime të mjekut, që kanë ndonjë problem me nyjat, me trupin, edhe ato vijnë e vizitojnë pishinën tonë”, tha Muhamed Avziu – udhëheqës i Sektorit për Sport në Komunën e Tetovës.


Në qytetin e Tetovës kanë filluar të ndërtohen edhe dy pishina të tjera të këtilla – një në shkollën e mesme “Kirili dhe Metodi” dhe një në shkollën “Naim Frashëri”. Në qytet ka edhe shumë pishina të hapura që menaxhohen nga bizneset private.