Ky nuk është burg, këtu kushdo hyn e kushdo del – kështu reagoi u.d. drejtor i Drejtorisë për zbatimin e sanksioneve, Alksandar Pandov pasi që këto ditë ka kryer inspektim të jashtëzakonshëm në burgun në Shutkë. Mbikëqyrja është zbatuar nga ora 23 deri në orën 3 të mëngjesit, ndërsa Pandov thotë se këtë e ka bërë pasi që ka marrë informacione se çdo ditë mungojnë numër i madh i të burgosurve. Kjo është punë shumë e rrezikshme, për shkak se i burgosuri mund të kryejë vepra të rënda penale, ndërsa në të njëjtën kohë të ketë alibi se është në burg, thotë Pandov.
“Nga ata 180 të burgosur, ne shkonim nga njëra pjesë në pjesën tjetër, nga një qeli në qeli thirreshin të burgosurit, 11 të burgosur nuk ishin të pranishëm në qelitë e tyre. Katër persona nga ato 11 të cilët nuk i gjetëm në burgun në Shkup, në mëngjes në orën 4 e 55, katër nuk gjendeshin aty dhe janë në arrati”, tha Aleksandar Pandov.
Një pjesë e të burgosurve kanë marrë informacione se do të bëhet inspektim nga drejtori i Drejtorisë dhe janë kthyer në burg para se të shkojë Pandov. Për këtë gjendje në burgun e Shutkës, Pandov e akuzon drejtorin Filip Andov – Sokol, për të cilin paralajmëroi se policia e burgut përsëri është ankuar se të burgosurit sillen si të duan dhe ata janë edhe më të fuqishëm për shkak se i mbron vetë drejtori. Pandov paralajmëroi se së shpejti do të ndryshohen drejtorët e burgjeve.
“Kur do të përgatisim procesverbalin, do të parashtrojmë edhe deri te Prokuroria, në ndërkohë unë e informova kryeministrin e Maqedonisë, Hristijan Mickoski, dhe e luta që jo vetëm Sokolin, për shkak se sipas informacioneve të mia, në pjesën më të madhe të burgjeve në R. e Maqedonisë, nuk po them se është e njëjta, por gjendja është e ngjashme se burgjet tek ne janë shndërruar në hotele”, tha Pandov.
Megjithatë, edhe pse flet kështu, Pandov menjëherë pas emërimit të tij, nënshkroi leje 10-ditore për të burgosurit për rastin e “27 prillit”. Arsyetohet se ka firmosur të gjitha kërkesat për të cilat kanë pasur dokumentacion për probleme shëndetësore dhe se këtë e ka bërë për pesë të burgosur, mes të cilëve edhe një nga rasti i sulmit në Kuvend. Për rastin e Katica Janevës, tha se jo vetëm asaj, por edhe të gjithë atyre që nuk do të jenë në vendin e punës, do t’u merret e drejta për punë. Janeva ka të drejtë të kërkojë të punojë sërish, por a do t’i japë leje, Pandev u përgjigj – le të kërkojë.
