“Bllokohet” pllaka përkujtimore e Nënës Terezë, Asani dhe Shilegov me akuza ndaj njëri-tjetrit

TË FUNDIT

Gjelbërimin që e ka vendosur Qyteti i Shkupit në qendër të qytetit, ka pamundësuar qasjen deri te pllaka përkujtimore e shtëpisë së Nënës Terezë.  Kjo pllakë paraqet shtëpinë ku ka lindur dhe jetuar për 18 vjet shenjtorja dhe humanistja me famë botërore, por turistët nuk do të mund të vendosin lule e as të  shkrepin fotografi për të shënuar datat e rëndësishme që lidhen me Nënën Terezë.

Fatbardha Curri:
“Edhe nëse doni ta fotografoni pllakën përkujtimore të shtëpisë së Nënës Terezë, juve ju duhet ta tejkaloni gjelbërimin ku është mbjell bari”.

Kjo situatë, ka ngjallur reagimin e Institutit të Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore. Drejtori Skender Asani thotë se pavarësish thashethemeve se a është këtu apo jo shtëpia e Nënës Terezë, faktet tregojnë se kjo është shenjë e asaj.

“Pavarësisht thashethemeve, të gjitha faktet flasin se këtu ka qenë shtëpia ku ajo ka lindur andaj ky vendim tashmë disa vjet konsiderohej si shenj e shtëpisë së Gonxhe Bojaxhiut – Nënë Terezës dhe ishte shndërruar në një pikë pelegrinazhi për admiruesit e personalitetit të saj. Por, ja tash, me një vendim që nuk e dimë si është marrë, kur është marrë dhe nga kush është marrë ky park i ka mbuluar shenjat e shtëpisë së Nënës Terezë”, tha Skender Asani, Drejtor i ITSHK-së.

Këtë reagim instituti do ta dërgojë me shkrim te Qyteti i Shkupit, Parlamenti, Presidenca dhe Qeveria e Maqedonisë së Veriut. Kërkuan që të ndërrohet pllaka përkujtimore dhe të jetë edhe në gjuhën shqipe, sepse tash për tash aty figurojnë vetëm anglishtja dhe maqedonishtja.

Gjelbërimi është vendosur nga Qyteti i Shkupit. Dje kryetari Petre Shilegov nuk pranoi të prononcohet, me arsyetimin se të mërkurën do të sqarojë në detaje dilemat rreth vendosjes së gjelbërimit.

Petre Shilegov: “Të mërkurën kam konferencë për këtë çështje”.

Sot u pyet konkretisht për reagimin e Asanit, por Shilegov ia ktheu me kritika të ashpra dhe i pyeti:

Petre Shilegov, Kryetar i Shkupit:
“Më vjen keq që ata që shqetësohen dhe paraqiten tash, kanë heshtur kur ajo parcelë u shit që të ndërtohet ndërtesë më vjen keq. Nesër do të kem konferencë tematike dhe do t’i japim të gjitha detajet për këtë punë”.

Në vitin 2015 parcela ku qëndron shtëpia e Nënës Terezë iu dha kompanisë private “Amadeus Grup” për të ndërtuar kompleks tregtar i njohur si “Shkallët spanjolle”. Pas reagimeve në publik dhe meqë kompania kishte ngecur me nisjen e punimeve, leja u prish dhe ndërtimi nuk filloi.