Bëri foto të papërshtatshme në godinën qeveritare, kryeministri japonez shkarkon nga detyra të birin

TË FUNDIT

Kryeministri japonez Fumio Kishida ka pushuar nga puna si ndihmës qeveritar djalin e tij më të madh, Shotaro. Vendimi ka ardhur pas disa fotove ku shfaqej Shotaro duke pozuar në shkallët simbolike me tapet të kuq bashkë me miqtë e tij, duke imituar anëtarët e kabinetit qeveritar, teksa vetë ai qëndronte në qendër, vendi që i rezervohet kryeministrit.

Fotot e shkrepura në dhejtor të 2022, u publikuan nga revista e përjavshme Shukan Bunshun, që nuk dihet se nga i kanë siguruar.

“Veprimet e tij vitin e kaluar në një hapësirë ​​publike ishin të papërshtatshme dhe vendosa ta shkarkoj për të marrë përgjegjësinë”, tha kryeministri. “Sigurisht, përgjegjësia për emërimin e tij bie mbi mua dhe e marr seriozisht këtë çështje”, shtoi ai.

Qeveria ka thënë gjithashtu se Shotaro do të heqë dorë nga pagesa dhe shpërblimet. Fumio Kishida, një lider konservator, u akuzua nga ligjvënësit e opozitës për nepotizëm, kur ai emëroi djalin e tij si sekretar politikash. Ai tha në një seancë parlamentare se emërimi kishte të bënte me “vendosjen e personit të duhur në vendin e duhur”.