A paguhen mjaftueshëm policët? Sindikata ankohet se marrin nga 15 mijë denarë, nga Ministria mohojnë

TË FUNDIT

Një pagë minimale e një polici pa orë shtesë të punuara është rreth 15 mijë denarë.
Pika në MPB aktualisht është 29 denarë dhe paga bazë pa 45% dhe 30% llogaritet duke i shumëzuar pikët me 29 denarë. Për shembull, një punonjës policie me 530 pikë shumëzuar me 29 denarë merr 15.370 denarë, shumë kjo më e vogël se paga minimale e cila për momentin ka arritur në 20,175 den.
Nga Sindikata e Pavarur e Policisë thonë se deri tani kanë bërë rreth 500 padi si për pagat e vogla por edhe për mospagesën e kujdestarive.

“Policit të cilit i rritet paga për 5% bazuar në përvojën dhe stazhin pensional, rritja me autorizimin 20 ose 30% për ne është e pakontestueshme dhe është një shumë që është më pak se paga minimale. Avokat të cilët kanë diku 500 padi, bazuar në shuma të caktuara, punonjësit e policisë konkretisht të punësuarit të cilët kanë 520 dhe 530 pikë për të cilat i mbulon padia, presim për kohë të shkurtër të dalin proceset gjyqësore me pagesën e parave dhe atëherë do të marrim një faktor përkatës kush është në të drejtë”- deklaroi Goce Dellçev –Kryetar I Sindikatës të Pavarur.

Kërkuam qëndrim nga Ministria e Punëve të Brendshme për të konfirmuar nëse paga minimale në polici është 15 mijë denarë, por përgjigjen që morëm nga atje ishte siperfaqësore duke thënë se paga bruto për policët kap shifrën e 26.422 denarve.

“Ju njoftojmë se paga minimale nga shkurti 2023 në shumën bruto është 26.422,00 denarë në përputhje me ligjin për pagë minimale në fuqi, ndërsa me pagesën e pagës për muajin shkurt 2023 për punëtorët në MPB, shuma e pagës më të ulët të paguar për një punonjës pa punë të mëparshme, është më e lartë se paga minimale e përcaktuar me ligj”- thonë nga MPB-ja.

Megjithatë nga Sindikata e Pavarur e Policisë thonë se nuk e kanë të qartë se në çfarë është bazuar MPB në këtë përgjigje sepse faktet flasin ndryshe.

“E lus ministrin të mos e gënjen Sindikatën e Policisë dhe t’i tregojë përralla dhe të pavërteta me të cilat na involvon dhe na vendos në situate ku përsëri të vijmë në një moment në të cilin duhet të fillojmë sërish me procese gjyqësore me të cilat sërish do të marrim padi gjyqësore të cilat patjetër ministria do të paguaj si në të kaluarën”- tha Goce Dellçev –Kryetar I Sindikatës të Pavarur.

Për ta vërtetuar këtë TV21 kontaktoi disa punonjës policie të cilët dëshironin të mbeten anonim dhe të cilëve muajve të fundit u është marrë autorizimi për një kohë të caktuar, ata thanë se pa autorizim me stazh mbi 10 vite në polici marrin rrogë prej 16,500 denarëve.