BDI-Tetovë me akuza për shitje të tokës komunale! Qamili: Tetovarët e dinë kush e shiti gjysmën e Tetovës

TË FUNDIT

BDI – dega Tetovë nga sheshi i qytetit prezantoi ekspozitën që e pagëzuar si “ekspozita e turpit”.

Sipas tyre, komuna e Tetovës përpiqet të shesë tokë ndërtimore prej 56 mijë metrave katrove në bazë të planit 1 euro për metër katror.

“Siç kemi njoftuar edhe më herët, bëhet fjalë për mbi 56 mijë metra katrorë pronë të qytetarëve të Tetovës, e cila, përmes skemave tashmë të njohura për opinionin, si ajo e Monopolit, tentohet t’u “falet” njerëzve të afërt me pushtetin. Motivi kryesor janë përfitimet e majme materiale të udhëheqësisë aktuale dhe rrethit të ngushtë pranë tyre. Sot po ju paraqesim disa nga lokacionet kyçe që janë në këtë listë të zezë, duke e ilustruar qartë atë që duan ta bëjnë kumbari i shitjes së pronës publike, Adnan Azizi, dhe ekzekutori e nënshkruesi i këtij plani, Bilall Kasami”, tha Arbresha Neziri –BDI Tetovë.

Zëvendëskryetari i Tetovës Albi Qamili përmes një përgjigje me shkrim këto i quajti shpifje, duke theksuar se populli e di kush e shiti gjysmën e Tetovës, e që sipas tij janë Teuta Arifi dhe Bjaram Rexhepi.

“Është detyrë e mediave që t’i verifikojnë faktet para se të transmetojnë lloj-lloj shpifje si të mirëqena. Nuk bëhet fjalë për asnjë shitje. Kemi miratuar planin vjetor, që është procedurë ligjore të cilën e miratojmë çdo vit, për 5 vjet me radhë, për t’i mbrojtur pronat publike nga uzurpimi. Populli e di se kush e shiti gjysmën e Tetovës për 1€/m2. Bajram Rexhepi, Teuta Arifi dhe BDI-ja”, theksoi Albi Qamili – zv/kryetar i komunës Tetovës .

Kalimi i planit vjetër në këshillin e komunës së Tetovës për tokat shtetërore hapi debatin në Tetovë, ku opozitarja BDI akuzon se ata janë duke shitur tokën e komunës, ndërsa nga komuna e Tetovës thanë se ai është vetëm plani vjetor që komuna të dije ku janë pronat e saj.