Mesazhet nga Samiti i BE-së për Ballkanin Perëndimor se procesi i zgjerimit për vendet e rajonit është i hapur, sipas kryeministrit Hristijan Mickoski, janë zëri më i fortë nga Unioni në lidhje me procesin e integrimit evropian. Ai vlerëson se non-pejperi franko-gjerman, i cili tashmë është operacionalizuar në Bruksel, do t’i rrisë marrëdhëniet mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.
“Ky dokument dhe ajo reformë mundësojnë mekanizëm me të cilin do të kemi përdorim më të madh të disa mjeteve nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe ai në asnjë mënyrë nuk është në konflikt me zgjerimin. Unë isha i vetmi që nga vendet e Ballkanit Perëndimor kisha takime bilaterale edhe me presidentin francez Makron edhe me kancelarin gjerman Merc dhe saktë e di çfarë u diskutua në ato takime dhe saktë e di çfarë do të vijë në periudhën që është para nesh”, tha Hristijan Mickoski, kryeministër.
Mickoski në samitin në Tivat kishte takime me Makronin dhe me Mercin, por jo edhe me kryeministrin bullgar Rumen Radev, i cili përsëriti se për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian janë të nevojshme ndryshime kushtetuese. Është e papranueshme, tha ai, që Bullgaria të bëjë thirrje për respektim të të drejtave të njeriut ndërsa ka 14 vendime të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Për Samitin në Tivat, kryetari i opozitës LSDM, Venko Filipçe, theksoi se procesi i integrimit evropian po hyn në një fazë kyçe dhe se vendi duhet ta shfrytëzojë kohën në të cilën BE-ja qartë po i hap dyert për zgjerim.
“Për herë të parë në këtë formë publike të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian thonë se Ballkani Perëndimor i përket Evropës. Ofrojnë mekanizma, për herë të parë lehtësues, me të cilët lehtësohet integrimi ynë evropian, me të cilët përfitimet e anëtarësimit merren shumë më herët dhe ndihen edhe gjatë negociatave e jo vetëm pasi vendi të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian. Mendoj se këtë derë duhet ta shfrytëzojmë derisa është e hapur në këtë formë, të mos e humbasim shansin, sepse bëhet fjalë për të ardhmen e shtetit”, u shpreh Venko Filipçe, kryetar i LSDM-së.
Në Samitin në Tivat u propozua non-pejperi franko-gjerman për vendosjen e një sistemi të afrimit gradual drejt Bashkimit Evropian.
