Vrasja e 32-vjeçarit në Ferizaj, Prokuroria: Një grua dyshohet se kreu vrasjen, u ndalua edhe babai i saj

TË FUNDIT

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se ka ndaluar për 48 orë dy persona, një grua të dyshuar për veprën penale “Vrasja” dhe babanë e saj (M.B.), lidhur me rastin e vrasjes së 32-vjeçarit F.H., i cili u gjet pa shenja jete mbrëmjen e 28 qershorit në një banesë në rrugën “Sejdi Sejdiu” në Ferizaj.

Trupi i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Komunikata e plotë:

Ndalohen dy persona për veprën penale “Vrasja” në Ferizaj

Ferizaj, 29 Qershor 2026– Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se më datën 28 qershor 2026, rreth orës 22:50, në një banesë në rrugën “Sejdi Sejdiu” në Ferizaj, është pranuar informata se një person është gjetur pa shenja jete.

Në vendin e ngjarjes ka dalë prokurori kujdestar nga Departamenti për Krime të Rënda dhe nga aty në bashkëpunim të plotë me Sektorin e Hetimeve Rajonale dhe me njësitë tjera relevante kanë ndërmarrë veprime hetimore, me qëllim të ndriçimit të rrethanave të kësaj çështje penale.

Lidhur me ketë rast, me vendim të prokurorit të shtetit, është ndaluar e dyshuara në kohëzgjatje prej 48-orësh, për shkak të dyshimit të veprës penale “Vrasja” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Gjithashtu, është ndaluar edhe babai i saj (M.B)., deri në sqarimin e plotë të rrethanave dhe përfshirjes së tij në këtë rast.

Trupi i pajetë i viktimës F.H., është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML), në Prishtinë.

Aktualisht, Prokuroria Themelore në Ferizaj është duke punuar për të sqaruar tutje të gjitha rrethanat dhe motivin e kësaj çështje penale.