U dhurohet autoambulancë, po s’kanë mjekë! Banorët e Shuto Orizares ankohen për shërbimet shëndetësore

TË FUNDIT

Kjo autoambulancë iu dhurua Poliklinikës në Shuto Orizare, por e njëjta nuk do të qëndroj këtu. Kjo për shkak se poliklinika nuk ka shërbim të ndihmës së shpejtë, prandaj automjeti do të dërgohet në Poliklinikën e Çairit. Banorëve të Shuto Orizares u mungojnë edhe shumë shërbime të tjera të shëndetësisë primare, si dhe staf mjekësor. Shprehen të pakënaqur me kushtet në këtë institucion shëndetësor.

“Shërbimet shëndetësore janë katastrofale, nën zero, mbrëmë rreth orës 5 shkova me djalin në spital por s’ishte askush aty, nuk kishte mjek. Nuk di çfarë të them, nuk ekziston ekip kujdestar, personat e moshuar nuk mund t’i sjellim këtu, nuk ka kujdestarë”

“Ndonjëherë ka mjekë, ndonjëherë jo. Pinë kafe nga një orë. Çfarë është kjo, duke pirë kafe, hapeni more derën. Jo thonë prisni. Nuk mund të grindemi ne duhet të presim, të këtillë janë doktorët tanë”

Për mungesën e kushteve shëndetësore folën edhe nga Lëvizja qytetare “Avaja” .

“Në poliklinikën në Shuto Orizare duhet të zgjerohen hapësira, të rriten kompetenca, me qëllim që komuniteti të ketë më shumë shërbime mjekësore që do t’i mundësohen.  –Cilat shërbime mungojnë këtu? Mungon rëntgen, mungon hapësira për marrje të infuzioneve dhe një pjesë e madhe e mbrojtjes shëndetësorë primare”, pohoi Elvis Shakiri – Lëvizja “AVAJA”.

Ndonëse autoambulanca është donacion nga Fondacioni “Shoqëri e hapur” me iniciativë nga lëvizja qytetare “Avaja”, në përurim erdhën edhe përfaqësues qeveritarë. Me këtë rast pyetëm se a do të vazhdojë të funksionojë shëndetësia me donacione të huaja dhe çfarë do të bëj qeveria në këtë drejtim.

“Shteti kontribuon por gjithnjë mundet edhe më shumë. Donacionet nuk janë për t’i nënvlerësuar, duhet të inkuadrohen në sistem, por edhe shteti duhet të kontribuoj. Ministria e Shëndetësisë ka pasur një sfidë të madhe dy-tre vitet e fundit, duke u përballur me krizën, gjithsesi edhe përtej gjitha problemeve arritëm të dalim nga kriza”, tha Bojan Mariqiq, zëvendëskryeministër.

Sipas Elvis Shakirit nga “Avaja”, në janar të vitit 2023 pritet të realizohet punësimi i dy infermierëve, duke rrumbullakuar kështu të gjithë mbështetjen që “Avaja” ofron për përmirësimin e shëndetit dhe qasjen në shërbimet shëndetësore në Shuto Orizare.