Gjatë vitit 2020 në rajonin e Pollogut kanë ndërruar jetë 10 persona nga aksidentet e komunikacionit.
Kjo shifër është më e ulët në krahasim me atë të vitit 2019 kur jetën e kishin humbur 14 persona.
Fatmir Rexhepi zëdhënës i sektorit për punë të brendshme në Tetovë thotë se qytetarët më shumë duhet të respektojnë rregullat e komunikacionit.
“Sektori për punë të brendshme ka regjistruar 10 viktima në rajonin që mbulon, krahasuar me vitin 2019, SPB ka regjistruar 14 viktima në aksidente. Apelojmë tek qytetarët e Tetovës dhe Gostivarit që të respektojnë rregullat e trafikut që kur lëvizin në rrugë regjionale apo magjistrale si këmbësor të njëjtit të lëvizin në drejtimin e kundër të automjeteve që të kenë dukshmëri në krahasim me veturat që lëvizin në drejtim të tyre”, tha Fatmir Rexhepi – zëdhënës i SPB-Tetovë.
Në tërë Maqedoninë deri në nëntor të këtij viti nga aksidentet komunikacionit jetën e kanë humbur 160 persona që do të thotë se 11% e viktimave vijnë nga rajoni i Pollogut. Inxhinieri i komunikacionit Blerim Neimi thotë se mungesa e ndriçimit në hyrje-daljet e vendbanimeve dhe mungesa e shenjave të komunikacionit, më së shumti shkaktojnë aksidente në pollog.
“Gjendja e rrugëve nuk është në nivelin e duhet në rajonin e Tetovës dhe periferisë kërkon një infrastrukturë më të mirë sa përket kahjeve të automjeteve pastaj njerëzit që lëvizim në këmbë e tjerë pasi që benë të pamundshme që ata të lëvizin në shtigjet e tyre dhe kështu duke kaluar rrugën vjen te aksidenti rrugor. Zgjidhja është vendosja e shenjave që është një mungesë e madhe rrugëve të Pollogut, vendosja e ndriçimit në vende ku ka hyrje dalje të fshatrave apo vendbanimeve dhe pajisja e sinjalizimeve”, theksoi Blerim Neimi – profesor.
Si rajon më i rrezikshëm është ai i rrugës rajonale Tetovë-Jazhincë ku brenda një viti ka nga 70 deri në 80 aksidente të komunikacionit .
” 70 deri në 80 aksidentet mesatarja vjetore është dhe kjo është si pasojë e ngarkesës së rrugës dhe përfundimisht duhet të gjendet një zgjidhje përfundimtare një opsion i ri i rrugës për ti shmangur ngarkesës, mungesa e disa shenjave të komunikacionit moskultura e vozitjes tejkalimi i shpejtësisë dukshmëria e dobët që është në këtë rrugë dhe për këtë shkaka është shpallur si rruga me fatkeqësi më të larta”, potencoi profesori Blerim Neimi.
Vetëm të dielën e kaluar në rajonin që mbulon SPB Tetovë jetën e kanë humbur dy persona si pasojë e aksidenteve të trafikut.
Ndërkohë në nivel botëror, sipas të dhënave të Organizatës botërore të shëndetësisë, në vit në aksidente rrugore jetën e humbin rreth 1,3 milionë njerëz, që paraqet 2,2 përqind nga vdekshmëria globale.
Këto të dhëna tregojnë se mbi 3.500 persona në ditë vdesin si pasojë e aksidenteve rrugore, ndërsa rreth 140.000 persona lëndohen. Prej tyre, madje 15.000 persona bëhen viktimë e invaliditetit të përhershëm.
