Sekretari gjeneral i NATO-s vizitë në Maqedoni! Rutte: NATO s’është e përfshirë në Iran, por do të mbrojë çdo vend anëtar

TË FUNDIT

“Maqedonia është një aleat i rëndësishëm i NATO-s dhe kontribuon për sigurinë në anën lindore të Aleancës,” theksoi sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Mark Rutte, gjatë vizitës së tij zyrtare në vend. Pas bisedave me presidenten Siljanovska në vilën Vodno, ai foli edhe për luftën në Lindjen e Mesme dhe tha se NATO nuk është i përfshirë në ngjarje, por nëse ka nevojë, do të mbrojë çdo vend anëtar.

“E dimë që Irani është eksportues i kaosit dhe përgjegjës për dekada për sulme terroriste dhe tentativa atentatesh. Mund t’ju them nga përvoja ime personale dhe nga vendi im, ku ekziston një diasporë iraniane që është nën kërcënim nga regjimi iranian. NATO nuk është i përfshirë, por mund t’ju siguroj se NATO do të mbrojë çdo pjesë të territorit të Aleancës. Komandantët tanë ushtarakë punojnë çdo ditë për këtë dhe kanë një qasje 360 gradëshe duke marrë parasysh çdo kërcënim terrorist”, tha Rutte.

Vetëm prania e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në vendin tonë, në kohën kur po zhvillohet lufta në Lindjen e Mesme, tregon se NATO është me ne, theksoi presidentja Siljanovska. Megjithatë, ajo tha se nuk mund të parashikojë çfarë do të ndodhë nëse NATO ndërhyn në veprimet ushtarake dhe nëse Maqedonia do ta mbështeste këtë.

“Aktualisht zoti Rutte është te ne dhe prania e tij këtu është një shenjë e qartë se NATO është me ne. Në fjalimin e tij u konfirmua se NATO do të mbrojë të gjitha vendet anëtare nëse ndodhen nën sulm. Kjo është e para. E dyta, nuk mund t’ju përgjigjem se çfarë do të ndodhë nëse NATO ndërhyn në rajon, ku aktualisht zhvillohen luftërat, sepse dimë që NATO mbron territorin e vendeve anëtare”, tha Gordana Siljanovska-Davkoka

Siljanovska gjithashtu theksoi se garancia më e madhe për paqen dhe sigurinë, jo vetëm të vendit tonë, por edhe të Ballkanit Perëndimor, është integrimi i shpejtë dhe i plotë në Bashkimin Evropian, duke shtuar se duhet të kapërcehen pengesat artificiale dhe të përqendrohemi te kriteret e Kopenhagenit.