Në dy vendkalimet kufitare në kufirin Maqedoni e Veriut-Shqipëri, afër Dibrës, Bllatë dhe Xhepçishtë, u vërejt një frekuencë e shtuar e udhëtarëve gjatë fundjavës. Kjo është kryesisht për shkak të mbërritjes së gurbetçarëve nga Italia, të cilët vijnë në atdheun e tyre me automjetet e tyre, duke përdorur komunikacionin detar, me tragete nëpër portin e Durrësit. Në të njëjtën kohë, edhe për shkak të ardhjes nga Greqia në vendlindje për festat e Vitit të Ri të shtetasve shqiptarë, banorë të fshatrave kufitarë, veçanërisht të zonës së Gollobërdos.

“Në vendkalimin kufitar “Bllatë”, gjatë fundjavës, respektivisht më 26 dhe 27 dhjetor, hynë dhe dolën rreth 3.427 pasagjerë, nga të cilët 688 shtetas nga Maqedonia e Veriut dhe 2.739 shtetas të huaj. Në vendkalimin Xhepçishtë-Trebishtë, 390 pasagjerë hynë dhe dolën, 29 prej tyre janë shtetas tanë dhe 361 janë shtetas të huaj”, deklaroi për MIA-n Stefan Dimoski, zëdhënës i Sektorit të Punëve të Brendshme – Ohër.
Gjithashtu frekuencë e rritur u regjistrua në vendkalimin Qafë Thanë afër Strugës, ku sipas mediave shqiptare, në dy ditët për fundjavë, më shumë se nëntë mijë pasagjerë bënë hyrje-dalje. Rreth pesë mijë prej tyre janë për hyrje në territorin e Shqipërisë.
