“Për paga luftojmë, nuk lutemi” është motoja e protestës që Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë do ta mbajë më 1 Maj.
Punëtorët ftohen të marrin pjesë masivisht për të kërkuar paga më të larta dhe kushte më të mira pune.
Kryetari i LSM, Sllobodan Trendafillov, duke u bazuar mbi të dhënat e DAP thotë se më shumë se 260 mijë punëtorë jetojnë me të ardhura nën 600 euro.
“Kjo është 50% e fuqisë punëtore në Maqedoni që merr pagë nën 600 euro. Këta punëtorë të mos na ndalin në rrugë dhe të na dërgojnë porosi e të na ankohen, por të qëndrojnë me ne krah për krah dhe të tregojnë se nuk janë të kënaqur me lartësinë e pagës, pagën që ua çojnë familjeve të tyre. Me harmonizimin mizëri të pagës minimale 1667 denarë në muajin mars të këtij viti, rritja e shportës sindikale minimale për 3304 denarë nga fillimi i vitit tregon se një familje – nëse dy punëtorë janë me minimale, u mungon ndonjë qindëshe për të realizuar nevojat më bazike ushqimore për familjet e tyre”, u shpreh Slobodan Trendafillov – Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë.
Sipas LSM në Maqedoni nuk ka të dhëna të sakta për punëtorë që kanë humbur jetën në vendin e punës. Sindikata thotë se është 30 në vit, ndërsa siç tha edhe Trendafillov, Inspektorati punës përmend një shifër më të ulët.
“Vlerësojmë se kushtet e sigurta të punëtorëve janë barabartë të rëndësishme sa edhe paga në shoqërinë tonë. Në Maqedoni, paga të cilën e marrim përgjatë një viti nëse jemi me pagë minimale është diku 6.000 euro. Jeta e një individi, varësisht a jemi të siguruar për 100 apo 200 denarë, kap vlerën rreth 5.000 deri 10.000 euro nëse ndërroni jetë në vendin e punës. Kjo nuk duhet të jetë rregull në Maqedoni, punëtori ta humb jetën në vendin e punës”, pohoi Slobodan Trendafillov – Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë.
Protesta e 1 Majit do të nisë në orën 11:00 para Shtëpia e Punëtorëve në Shkup. Pritet të marrin pjesë shumë sindikata nga sektorë të ndryshëm, përfshirë edhe disa që tashmë kanë arritur marrëveshje për rritje pagash.
