Për tre muaj u shpenzuan 64% nga deficiti buxhetor! Deri në fund të vitit, ose huamarrje e re ose shkurtim i buxhetit

TË FUNDIT

Në tre muajt e parë ministritë shpenzuan 408 milionë euro nga 638 të parashikuara për deficitin buxhetor për vitin 2026. Në përqindje, 64 nga deficiti i parashikuar për të gjithë vitin. Kjo do të thotë se deri në fund të vitit kanë mbetur edhe 230 milionë euro për financimin e “vrimës” buxhetore. Nëse në nëntë muajt e mbetur arkëtimi i të ardhurave nuk shkon sipas planit ose paraqiten fatura dhe obligime të reja që nuk janë parashikuar me buxhetin për këtë vit, financimi do të bëhet në dy mënyra. Ose me një deficit të ri, më të madh buxhetor, i cili do të parashihet me rishikimin e buxhetit dhe do të nënkuptojë huamarrje shtesë, ose me shkurtim të shpenzimeve. Ekziston edhe një mundësi e tretë, e ajo është rritje e konsiderueshme e të ardhurave. Sipas ministres së financave, shpenzimi i shpejtë i deficitit nuk paraqet asgjë të re.

 “Këto janë vendime të ministrave të cilët konsiderojnë se në këtë tremujor të parë duhet t’i paguajnë obligimet, nuk do t’i paguajnë në të dytin apo në të tretin, do t’i paguajnë në të parin. Këto janë shpenzime të planifikuara që ata vendosin si do t’i paguajnë. Por kjo nuk do të thotë se deri në fund të vitit ata do të marrin para shtesë në anën e shpenzimeve, sepse obligimet e tyre i kanë servisuar në pjesën e parë të vitit”, tha Gordana Dimitrievska-Koçoska, ministre e Financave.

Ndryshe, në tremujorin e parë të vitit, grumbullimi i disa tatimeve dhe detyrimeve kryesore në buxhet po zhvillohet me ritëm të ngadalësuar. Tatimi mbi vlerën e shtuar ka realizim pak mbi 20 për qind, ose gati pesë pikë përqindje më pak se niveli që do të konsiderohej për tremujorin e parë, përkatësisht rreth 25 për qind. Po ashtu, grumbullimi i akcizës lëviz rreth 18%. Sipas kryeministrit Hristijan Mickoski, kjo është një lëvizje normale për këtë periudhë të vitit dhe nuk paraqet devijim.

 “Kështu që në tremujorin e parë është gjithmonë kështu, dhe nëse i shikoni të dhënat më 27 prill, realizimi i buxhetit, afërsisht kemi diku rreth 29% të të ardhurave të parashikuara, diku rreth 33% të shpenzimeve, diku rreth 35% është realizimi i investimeve kapitale. Kështu që gjithçka ka lidhjen e vet dhe për momentin nuk kemi hapësirë për panik, qytetarët të jenë të sigurt, të qetë, ka kush të mendojë dhe të udhëheqë politika stabile”, u shpreh Hristijan Mickoski, kryemiistër.

Sipas Mickoskit, në këtë krizë të madhe energjetike, edhe pse do të ketë sfida, fokusi mbetet në ruajtjen e stabilitetit të buxhetit dhe mbrojtjen e standardit të qytetarëve. Prandaj, aktualisht po zhvillohen bisedime me OKTA për vazhdimin e zbritjes së çmimeve të karburanteve prej dy denarë për benzinën dhe tre për dizelin. Po ashtu, në varësi të lëvizjes së çmimeve në tregjet ndërkombëtare, nga maji është e mundur ulje shtesë e akcizave, ku për benzinën ato do të barazoheshin me ato të dizelit, përkatësisht do të ishin nga katër denarë për litër.