Gjykata e Lartë në Shqipëri ka shtyrë seancat gjyqësore, me përjashtim të çështjeve urgjente, pas dëmeve materiale dhe në infrastrukturë të shkaktuara nga zjarri gjatë protestave të 17 tetorit, përcjell TV21. Nga zjarri janë dëmtuar edhe dosje gjyqësore, ndërsa institucioni po verifikon gjendjen e dokumentacionit dhe po vlerëson dëmet para rikthimit të plotë të veprimtarisë. Gjykata njofton se palët dhe përfaqësuesit e tyre ligjorë, çështjet e të cilëve janë prekur, do të informohen individualisht. Datat e reja të seancave do të publikohen përmes kanaleve zyrtare të institucionit.
“Si pasojë e zjarrit të shkaktuar gjatë protestave, më 17 tetor 2026, ambientet e Gjykatës së Lartë kanë pësuar dëmtime materiale dhe në infrastrukturë, përfshirë edhe dosje gjyqësore. Kjo situatë e jashtëzakonshme ka ndikuar në kushtet e zhvillimit normal të veprimtarisë gjyqësore, duke bërë të domosdoshme marrjen e masave për vlerësimin e plotë të dëmeve dhe garantimin e integritetit të dokumentacionit gjyqësor. Në këto rrethana, seancat gjyqësore të planifikuara për t’u zhvilluar në Gjykatën e Lartë, përveç çështjeve me natyrë urgjente, do të shtyhen deri në përfundim të procesit të verifikimit të dëmeve, evidentimit dhe vlerësimit të gjendjes së dosjeve gjyqësore, si dhe për të rikthyer kushtet e nevojshme për vijimin e rregullt të veprimtarisë së institucionit”, thuhet mes tjerash në njoftimin e gjykatës.
