Rritet numri i të plagosurve në Stamboll, zv/presidenti thotë se dyshohet për sulm terrorist të kryer nga një grua

TË FUNDIT

Të paktën gjashtë persona janë vrarë dhe 81 janë plagosur nga shpërthimi në një zonë të frekuentuar në qendër të Stambollit, thanë autoritetet turke më 13 nëntor.

Sulmi ndodhi në orën 16:20, sipas kohës lokale, në një rrugë në zonën e Sheshit Taksim, tha guvernatori i Stambollit, Ali Yerlikaya.

Zëvendëspresidenti i Turqisë, Fuat Oktay, tha se besohet se shpërthimi është sulm terrorist, i kryer nga një grua.

Ndërkaq, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha se keqbërësit do të ndëshkohen.

Duke folur në një konferencë për media në Stamboll, Erdogan dënoi sulmin “e poshtër” dhe tha se këtij sulmi po i “vjen era terror”.

Në vendin ku ndodhi shpërthimi ka dyqane dhe restorante dhe në momentin e sulmit shumë persona ishin në atë rrugë.

Një grua, që ishte në një dyqan në rrugën Istiklal, tha se pas shpërthimit kishte kaos.

“Kam parë njerëz të plagosur që rrokulliseshin në rrugë”, tha ajo për BBC.

“Njerëzit filluan të vraponin në panik… Ka pasur tym të zi. Zhurma ishte e fortë, pothuajse shurdhuese”, tha një tjetër dëshmitar, Cemal Denizci, për agjencinë AFP.

Rruga Istiklal, ku ndodhi sulmi, edhe më herët kishte qenë cak i sulmeve vetëvrasëse me bomba më 2016.

Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve, Anadolu, pesë prokurorë janë caktuar që ta hetojnë këtë ngjarje.

Zona ku ndodhi shpërthimi është evakuuar.