PUSHTETI DHE VMRO-DPMNE NUK LËSHOJNË PE, NJË DITË PARA RAPORTIT, ASNJË PËRPARIM PËR SPECIALEN

TË FUNDIT

“Unë mendoj se këto ditë mundemi që deri në publikimin e raportit më 29 maj, ta rrumbullakojmë këtë proces dhe të dyja anët që ishin pjesë e procesit negociues të publikojnë se është arritur marrëveshje”, theksoi kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev.

Kështu shpresonte Kryeministri para një jave, por sot, një ditë para publikimit të progres raportit të Komisionit Evropian ende nuk ka kurrfarë përparimi për projektligjin për prokurorinë.

Po atë ditë ministrja e Drejtësisë Renata Deskoska tha me të qeshur se “shumë punë në shtetin tonë janë zgjidhur në momentin e fundit andaj që gjithçka është e mundur”. Por sot, nga Kabineti i Deskoskës pohojnë se nuk ka asnjë përparim për këtë çështje.

“Nuk ka përafrim të qëndrimeve në lidhje me ligjin për Prokurorinë Publike dhe deri në këtë moment nuk është caktuar takim i ri. Për momentin nuk ka klimë që cilado nga palët të tërhiqet nga pocizionet e saj. Nuk do të lejojmë sjellje të ligjt me ­çdo kusht”, thonë nga Ministria e Drejtësisë.

E njëjtë si Ministria e Drejtësisë, as VMRO-DPMNE-ja nuk tërhiqen nga qëndrimet e tyre.

“VMRO-DPMNE i rri pas qëndrimit se sjellja e këtij ligji është e nevojshme të bëhet me koncensus të gjerë, por gjithashtu edhe në bazë të standardeve dhe praktikës gjyqësore nga Këshilli i Evropës në Strasburg”, tha Antonia Milloshovski nga VMRO-DPMNE.

Nesër pritet që Komisioni Evropian të publikojë progres-raportin për Maqedoninë e Veriut, ndërsa vendi ende nuk e ka rregulluar çështjen e funksionimit të mëtejshëm të Prokurorisë Speciale, e përfshirë në projektligjin për Prokurorinë.

Pushteti dhe opozita kanë dallime të thella për punën e PPS-së në të ardhmen, sidomos për përdorimin e dëshmive dhe vazhdimin e lëndëve të nisura pas 30 qershorit të 2017-tës.

Përgatiti: Besir Arifi