Varrimi i Mlladiqit përplas BE-në me Serbinë! Von der Leyen dhe Costa: Pamjet janë tronditëse

TË FUNDIT

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, reagoi duke thënë se pamjet nga varrimi i Ratko Mlladiqit në Beograd janë “tronditëse” dhe se elementet e mbështetjes zyrtare, si dhe prania e disa zyrtarëve të lartë serbë në varrim, janë “thellësisht të dhimbshme”. Von der Leyen shkroi në rrjetin social X se pamjet nga Beogradi,  nga varrimi i Ratko Mlladiqit, tregojnë dështimin për t’u përballur me “kapitullin e errët të historisë së vonë evropiane” dhe janë në kundërshtim me vlerat që mbështesin rrugëtimin e Serbisë drejt Bashkimit Evropian.

“Ratko Mlladiqi ishte një kriminel lufte i dënuar. Ai ishte përgjegjës për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ai vdiq ndërsa vuante dënimin me burgim të përjetshëm për gjenocidin në Srebrenicë dhe krime të tjera”, u shpreh Ursula von Der Leyen – presidentja e Komisionit Evropian.

Reagoi edhe Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa. Edhe ai në një postim në rrjetin social X, tha se pamjet nga varrimi janë tronditëse, duke theksuar se Mlladiqi ishte përgjegjës për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

“Elementet e mbështetjes zyrtare dhe prania e disa zyrtarëve të lartë serbë në varrim janë thellësisht të dëshpëruese. Ato tregojnë një dështim për t’u përballur me një kapitull të errët të historisë së fundit të Evropës dhe bien ndesh me vlerat mbi të cilat mbështetet rruga e Serbisë drejt Bashkimit Evropian”, pohoi Antonio Costa – presidenti i Këshillit Evropian .


Ndryshe Mlladiqi vdiq më 27 gusht, ndërsa vuante dënimin me burgim të përjetshëm në Hagë për gjenocidin në Srebrenicë, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Edhe pse BE-ja më herët e kishte paralajmëruar Serbinë kundër glorifikimit të kriminelit të dënuar të luftës, megjithatë atij i janë bërë nderime të shumta, si në media, ashtu edhe në publik.

Në mesin e atyre që erdhën për t’i bërë nderime ishin edhe ministrat e Mbrojtjes, Kulturës, Drejtësisë dhe Punës, djali i Aleksandar Vuçiqit, si dhe ambasadori rus në Serbi, Aleksandar Bocan-Harçenko.

Komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, më herët anuloi vizitën e planifikuar në Beograd, e cila ishte caktuar për 10 shtator.