Modernizohet Aeroporti i Ohrit, investim prej 2.7 milionë eurosh

TË FUNDIT

Me një investim prej 2.7 milionë eurosh është modernizuar aeroporti “Shën Apostull Pali” në Ohër. Terminali i pasagjerëve është rikonstruktuar dhe tashmë disponon me më shumë sportele, hapësirë të zgjeruar për check-in, zona të zgjeruara për kontrollin e sigurisë dhe bagazhit të dorës, si dhe një parking të riorganizuar. Gjithashtu, janë instaluar pajisje dhe teknologji moderne, me qëllim që shërbimi ndaj pasagjerëve të jetë më i sigurt dhe më efikas. Kryeministri Hristijan Mickoski, gjatë ceremonisë së vënies në përdorim të pjesës së modernizuar të aeroportit, vlerësoi se investimet e realizuara kanë përmirësuar ndjeshëm cilësinë e shërbimeve në aeroport.

 “Këtë vit, aeroporti ‘Shën Apostull Pali’ po shënon rekorde. Kemi pasur një ditë numrin më të madh të pasagjerëve në historinë e aeroportit – më shumë se 3.000. Gjithashtu, ka ditë kur kemi mbi 20 fluturime, që përbën një të dhënë të rëndësishme dhe për t’u vlerësuar”, tha Mikcoski.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikollovski, theksoi se pas një pune intensive, praktikisht po hapet një aeroport i ri. Sipas tij, ndërtesa e terminalit, së bashku me hapësirat ndihmëse, do t’u ofrojë pasagjerëve një përvojë dukshëm më të mirë krahasuar me atë të mëparshme.

“Aeroporti i Ohrit, vetëm nga janari deri në qershor të këtij viti, ka shërbyer mbi 240.000 pasagjerë, ndërsa të dy aeroportet këtë vit së bashku pritet t’i afrohen shifrës prej 4 milionë pasagjerësh. Kjo ishte diçka e paimagjinueshme për aeroportet tona, por ne do të vazhdojmë të rritemi”, theksoi Nikolloski.

Serkan Kaptan, drejtor ekzekutiv i TAV Maqedoni, theksoi se janë investuar 2.7 milionë euro në përmirësimin e infrastrukturës dhe në rritjen e cilësisë. Projekti është realizuar pa ndërprerë funksionimin e rregullt të aeroportit.

Kaptan bëri të ditur se deri më tani, në aeroportet e Maqedonisë së Veriut janë investuar gjithsej rreth 300 milionë euro.