Interpelancë ndaj guvernatorit të Bankës Popullore, Trajko Sllaveski, dhe debat mbikëqyrës në Kuvend për rastin e Alta Bankës, paralajmëroi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe. Sipas tij, hyrja e Alta Bankës në vend është një proces kriminal dhe duhet të ketë përgjegjësi. Ai tha se edhe kryeministri Mickoski, edhe guvernatori Sllaveski duhet të japin përgjigje nëse janë bërë verifikimet dhe nëse ekziston konfirmim për prejardhjen e parave, para se kapitali i Alta Bankës të hynte në Stopanska Banka Manastir. Filipçe akuzoi se ky proces i dyshimtë korruptiv, siç e quajti ai, po zhvillohet në dëm të qytetarëve, të cilëve tashmë u janë bllokuar llogaritë.
“Hristijan Mickoski, grupi i organizuar kriminal dhe guvernatori Trajko Sllaveski, duket qartë se do të ndihmojnë që qytetarëve t’u plaçkiten nga 150 deri në 180 milionë euro. Sot degët nuk punojnë, ndërsa qytetarëve nuk u funksionojnë as kartelat dhe as bankomatët. Si do t’i tërheqin qytetarët paratë e tyre? Pse guvernatori thotë se, edhe pse nuk mund t’i tërheqin paratë e tyre, ata kanë detyrim t’i paguajnë kreditë? Paramendoni çfarë kulmi i paturpësisë! Me çfarë parash do t’i paguajnë njerëzit kreditë?”, tha Filipçe
Që nga mëngjesi ka nisur edhe një përplasje në rrjetet sociale mes Filipçes dhe guvernatorit Sllaveski lidhur me vendimin e djeshëm, të cilin Sllaveski e shpjegoi në një konferencë të jashtëzakonshme për media, duke deklaruar se Alta Banka po vendoset nën administrim dhe se qytetarët do të mund të tërheqin vetëm një shumë të caktuar parash. Pavarësisht pamundësisë për t’i marrë paratë e tyre, Sllaveski u porositi se duhet të vazhdojnë t’i paguajnë kreditë.
“Me qëllim të mbrojtjes së pasurisë së bankës, në ditët në vijim do të vlejnë kufizime të caktuara për pagesat nga llogaritë e klientëve të bankës. Në interes të qytetarëve dhe me qëllim të kryerjes së pagesave të përditshme, është përcaktuar një limit javor për daljen e mjeteve nga llogaritë e personave fizikë, në vlerë prej 10.000 denarësh, i cili mund të shfrytëzohet përmes kartelave të lëshuara nga banka. Theksojmë se, sikurse edhe deri më tani, kredimarrësit duhet të vazhdojnë t’i përmbushin me kohë detyrimet e tyre ndaj bankës”, tha Sllaveski.
Problemet me këtë bankë nisën pasi Banka Popullore e Serbisë ia revokoi licencën Alta Bankës, pas së cilës, nga Banka Popullore e Maqedonisë, në atë kohë siguruan se revokimi i licencës së Alta Bankës në Serbi nuk kishte asnjë ndikim në bankën këtu. Por vetëm një ditë më vonë, banka u vendos nën administrim, ndërsa qytetarët nuk mundën të dispononin me mjetet e tyre financiare.
