Maqedonia shënon 35 vjet pavarësi! Krerët e shtetit me urime dhe mesazhe për 8 Shtatorin

TË FUNDIT

Në fillim të ceremonisë, kryeministri Mickoski priti kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashi, ndërsa së bashku morën pjesë në ndërrimin e flamurit të Maqedonisë para Qeverisë. Fjalim në ceremoninë “Ditë e ndritur”, mbajti kryeministri Hristijan Mickoski.

“Gjatë këtyre tre dekadave e gjysmë kemi ndërtuar institucione, kemi krijuar sistemin tonë monetar dhe ekonomik, jemi bërë anëtare e Kombeve të Bashkuara, jemi bërë anëtare e NATO-s, kemi kaluar nëpër embargo, kriza, konflikte, tronditje ekonomike dhe ndarje politike. Jemi përballur me pyetje të vështira për të ardhmen tonë. Dhe në shumë momente kemi treguar se një shtet i vogël mund të ketë një vullnet të madh për mbijetesë”, tha Mickoski.

Kemi përgjegjësi të brezit për t’i përfunduar detyrat e pashmangshme, për ta çrrënjosur krimin dhe korrupsionin, për të vendosur sundim të pakompromis të ligjit dhe për të ndërtuar një shoqëri të qetë dhe të drejtë, me qytetarë të barabartë dhe të denjë.

Këtë e porositi në urimin e saj për 35-vjetorin e pavarësisë presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, e cila u akordoi Urdhrin “8 Shtatori” Jordan Plevneshit dhe Rade Siljanit, ndërsa pas vdekjes nderoi edhe Xhevat Gegën, Meto Jovanovskin dhe Gligor Çemerskin.

“8 Shtatori nuk është vetëm një datë historike dhe as një e kaluar e përfunduar, por detyrimi ynë i përhershëm, të cilin çdo brez e merr përsipër, me detyrën për ta ruajtur, ndërtuar dhe bërë më të mirë shtetin që ka trashëguar. Ndërsa shteti nuk është vetëm një tërësi institucionesh, por buron dhe u përket qytetarëve”, u shpreh Siljanovska-Davkova.

Ditën e Pavarësisë, 8 Shtatorin, e uroi edhe kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, i cili tha se shteti ndërtohet çdo ditë.

“Këtë përvjetor duhet ta shohim me besim dhe optimizëm, përmes asaj që kemi ndërtuar, por edhe përmes asaj që mbetet për të bërë. Republika jonë është shtëpi e qytetarëve me përkatësi të ndryshme etnike, gjuhësore, fetare dhe kulturore. Kjo larmi nuk duhet të jetë burim ndarjesh, por forca jonë e përbashkët. Në themelet e shtetit tonë duhet të qëndrojnë gjithmonë barazia dhe ndjenja se çdo qytetar ka vendin e tij të barabartë në shtet”, deklaroi Gashi.

Me rastin e 35-vjetorit të pavarësisë, përfaqësues të krerëve të shtetit dhe delegacione të institucioneve vendosën kurora dhe lule të freskëta në varret e ish-presidentëve të Maqedonisë, Kiro Gligorov dhe Boris Trajkovski, si dhe të kryeministrit të parë, Nikolla Klusev, duke nderuar kontributin e tyre për pavarësinë, krijimin dhe zhvillimin e shtetit.