Që nga marrja e detyrës më 2019 si president i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski e vizitoi sot për herë të parë Kosovën, ku u prit presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani me ceremoni shtetërore.
Pas takimit, Osmani e Pendarovski dolën në konferencë për medie, me ç’rast Presidentja Osmani e falënderoi homologun nga Maqedonia për qasjen konstruktive për procesin e liberalizimit të vizave për vendin tonë, proces për të cilin presidentja Osmani tha se BE-ja nuk i ka mbajtur premtimet.
Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, kur foli për dialogun Kosovë-Serbi tha se duhet një zgjidhje që nuk i rrezikon vendet e tjera të rajonit.
“Republika e Maqedonisë së Veriut mbështet zgjidhjet e përbashkëta që do të kontribuojnë reciprokisht për stabilitetin rajonal dhe që nuk do ta rrezikojnë sigurinë e shteteve fqinje. Dialogu është mekanizmi i vetëm nëpërmjet të cilit pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë vendet e rajonit kanë arritur të bëjnë një përparim në shumë fusha, prandaj si shtet i mbështesim përpjekjet e aleatëve tanë evropianë dhe amerikanë për gjetjen e zgjidhjes së çështjeve të hapura”, tha Stevo Pendarovski, president i Maqedonisë së Veriut.
Në këtë konferencë të dy presidentët i shprehën qëndrimet e tyre për iniciativën “Ballkani i Hapur”, të cilën Kosova e ka refuzuar. Presidentja, Vjosa Osmani, tha se kjo iniciativë nuk është ndërtuar në përputhje me parimet themelore të bashkëpunimi ndërfqinjësor, ndërsa presidenti i Maqedonisë, Pendarovski tha se me vetëm tri shtete kjo iniciativë nuk mund të ketë sukses.
“T’jua rikujtoj se që kur nisi si iniciativë më 2019, unë isha politikani i parë që shpreha rezervat. Kësaj iniciative i mungon diçka, dhe në vend se të jenë gjashtë shtetet, brenda saj janë vetëm tri. Derisa kjo iniciativë nuk i përfshin të gjitha shtetet nuk do të sukses. Qëndrimi im është se mund të jetë vetëm një nga mjetet për përmirësim tregtar e ekonomik, por jo politik. Mund të jetë vetëm pjesë e Procesit të Berlinit, por jo ta zëvendësojë atë. Procesi i Berlinit është iniciativë që ka institucione, ka resurse që Ballkani i Hapur nuk i ka”, theksoi Stevo Pendarovski, president i Maqedonisë së Veriut.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përmendi edhe rastin e Kumanovës. Tha se janë të gatshëm t’i ndihmojnë Maqedonisë së Veriut për një hetim ndërkombëtar.
Ndërsa, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Pendarovski, iu shmang përgjigjes për rastin e Kumanovës.
Presidentin e Maqedonisë së Veriut, e priti në takim edhe kryeministri Albin Kurti. Mediet u lejuan të marrin vetëm pamje.
Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, u prit në takim edhe nga kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.
