Sot duhej të diskutohej dhe eventualisht të votohej Ligji për përfaqësim të drejtë në Kuvend, por kjo pikë u hoq nga rendi i ditës. Kjo ngjalli shumë reagime nga opozita shqiptare. Koordinatorja e grupit parlamentar të Frontit Evropian Rina Ajdari kërkoi sqarim dhe kritikoi Kryetarin e Kuvendit Afrim Gashin përse nuk vjen në seancë.
“Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat ju vet e keni propozuar, vet e keni sjell në Kuvend dhe tash nuk keni fuqi edhe për pak ta kaloni. T’ju ndihmojmë ne të dalim prej salle dhe vazhdoni këtu, por a e dini ku është problemi? Është te legjitimiteti që dikush neve na kanë dhënë me votë”, tha Rina Ajdari, deputete e Frontit Evropian.
Reagime pati edhe nga deputetë të Lidhjes shqiptare dhe Aleancës për shqiptarët. Sipas tyre pushteti po bën përpjekje ta kontrabandojë këtë ligj.
“Këto vonesa i bënë për të përdorur ndonjë formë shantazhi ndaj deputetëve, joshje ndaj deputetëve apo çka? Apo na ndjekin ku jemi e ku s’jemi me kamerat e ‘Safe City’ në mënyrë që pastaj ta kontrabandoni një ligj që është shumë i rëndësishëm për gjithë qytetarët”, u shpreh Zijadin Sela, Deputet i LSH-së.
“Nuk mundet një ligj bazik që buron nga Marrëveshja e Ohrit, vlera e dytë themelore e Kushtetutës të trajtohet si leckë, nuk mundet deputetët që kanë marr legjitimitetin e popullit t’i trajtoni si lecka, tendenca për manipulim është më se e qartë”, theksoi Elmi Aziri, Deputet i LSH-së.
“Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat dje me vet vullnet të lirë e shmangi dhe e largoi nga procedura për tu votuar. Ne këtu jemi si deputetë, të thirrur për prezencë në seancat plenare…”, theksoi Rijad Shaqiri, deputet i ASh-së.
Nënkryetarja e Kuvendit tha se sipas Rregullores së re, neni 170 të që për herë të parë u përdor, kryetari i Kuvendit ka të drejta ta shtyjë një pikë se kur do të votohet dhe ai është pasi të përfundoj diskutimi.
“Pika 8 nuk është mënjanuar nga rendi ditës, ekziston, vetëm se në përputhje me nenin 170 që absolutisht drejton mundësinë që kryetari ta ricaktojë ditën, është pjesë e rregullores së re që për herë të parë u përdor në Këtë Kuvend edhe pse është sjell nga përbërja e kaluar, do të punojmë sipas kësaj rregullore dhe asnjë tjetër”, deklaroi Vesna Bendevska, nënkryetare e Kuvendit.
Kujtojmë që Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat duhet të miratohet me votim të dyfishtë apo me badenter. TV21 kontaktoi me kryetarin Gashi, por nuk mori përgjigje se kur ky ligj do të jetë në rend të ditës për diskutim.
