Erdhën për të përuruar fillimin e ndërtimit të Sahat Kullës në Tetovë. Rreth 200 mijë euro janë siguruar nga Komuna e Konjës së Turqisë, ndërsa pjesa tjetër do të duhet të sigurohet nga Ministrisë së Kulturës e Maqedonisë.
Kryetari i Tetovës, Bilall Kasami, tha se kjo është faza e parë – gërmimi i themeleve ku ka qenë sahat kulla, ndërsa Ministri i kulturës tha se rikthimi i saj në qytet ka qenë ëndërr e tij e kahershme, por që nuk kishte gjetur përkrahje.
“Dhe tashmë si ministër i Kulturës dhe Turizmit e kemi edhe kryetarin e Tetovës, i cili është i interesuar që ta përfundojë këtë projekt. Besoj se së shpejti do të fillojnë edhe punimet. Tanimë i kemi hapur themelet për t’i marrë masat e duhura me të cilat do të ndërtohet Sahat Kulla”, u shpreh Sedat Sulejmani – Ministër i Kulturës.
“Jemi këtu që të rikthejmë një objekt simbol të së kaluarës së Tetovës, me të cilin do të vazhdojë të identifikohet qyteti ynë. Pra bëhet fjalë për objektin ikonik të Tetovës, Sahat Kullën e Tetovës, e cila para gati një shekulli është rrënuar dhe për të cilën ka pasur edhe më herët disa iniciativa për ta rikthyer, por nuk kanë qenë fatkeqësisht serioze, dhe duhej që të vijmë ne që ta marrim seriozisht këtë projekt dhe të rinisin punimet”, u shpreh Bilall Kasami – Kryetar i Komunës së Tetovës.
Drejtori i Qendrës për Konservim, Aleksandar Jordanski, tregoi se ajo daton në gjysmën e dytë të shekullit të 16-të, konkretisht midis viteve 1566-1567.
Gazetari: Por, sigurisht, jo si sahat kullë?
Drejtori: Jo si sahat kullë në kuptimin e një objekti me mekanizëm ore nga ajo periudhë. Për mua, një gjë e tillë do të ishte shumë e hershme.
Ministri: Mund të ketë qenë një kullë, por jo domosdoshmërish me orë, pasi në atë kohë ekzistonte edhe Xhamia e Orës, që dëshmon për periudhën e hershme.
Drejtori: Pra, si kullë po, por si sahat kullë me mekanizëm ore, kjo duket e pamundur.
Gazetari: Pikërisht për këtë arsye, sahat kullat në përgjithësi fillojnë të shfaqen më vonë, gjatë shekujve të 17-të dhe 18-të.
Projekti i Kullës së Sahatit është i vitit 2006.
