Problemi me qëndrimin e shoferëve në “Shengen” Maqedonia po e zgjidh vetë, me 6 vende janë arritur ose po arrihen marrëveshje

TË FUNDIT

Zëvendëskryeministri dhe ministër i Transportit, Aleksandar Nikolloski, është i kënaqur me punën e bërë për tejkalimin e problemeve me qëndrimin e shoferëve profesionistë të Maqedonisë në zonën Shengen dhe thekson se përmes procesit që shteti e udhëheq vetë, përmes bisedimeve dypalëshe, tashmë po u lëshohen viza pune afatgjata.

“Tashmë jemi marrë vesh me Zvicrën, me Kroacinë, Rumaninë, jemi në fazën përfundimtare të marrëveshjes me Slloveninë, me Austrinë dhe me Gjermaninë, gjë që në njëfarë mënyre e zgjidh të gjithë problemin e transportuesve maqedonas përmes lëshimit të vizave afatgjata të punës për ta, të cilat tashmë kanë filluar t’u lëshohen”, theksoi Aleksandar Nikolloski, zëvendëskryeministër dhe Ministër i Transportit.

Ai theksoi se Maqedonia nuk është dhe nuk do të jetë pjesë e asnjë grupi të vendeve të rajonit dhe se procesin e udhëheq në mënyrë të pavarur, sepse, siç tha, është keqpërdorur nga disa vende të tjera, një pjesë për skenë dhe një pjesë për pikë politike.

“Ajo që më revolton veçanërisht është se në mars filluam bisedimet me Delegacionin Evropian dhe me Komisionin Evropian në nivel ekspertësh. Këto bisedime janë me dyer të mbyllura, sepse duhen të paktën tre-katër cikle për të arritur në një zgjidhje. Në mënyrë magjike pati brifingje nga ato bisedime në një shtet fqinj, dolën në publik dhe humbi i gjithë kuptimi, gjë që mendoj se është e papranueshme. Prandaj vendosëm që procesin ta udhëheqim dhe ta përfundojmë vetë dhe po e përfundojmë”, tha Aleksandar Nikolloski, zëvendëskryeministër dhe Ministër i Transportit.

Për Greqinë dhe Bullgarinë, Nikolovski tha se tashmë funksionon, përkatësisht konsiderohen si zona ndërkufitare dhe aty fare nuk numërohen ditët e qëndrimit.