Trump optimist: Rusia dhe Ukraina, më pranë se kurrë marrëveshjes së paqes

0

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, është shprehur optimist për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje paqeje mes Rusisë dhe Ukrainës, duke deklaruar se palët janë më pranë se kurrë një zgjidhjeje që mund t’i japë fund konfliktit.

Gjatë një deklarate për mediat, Trump tha se gjasat për një marrëveshje janë rritur ndjeshëm, pavarësisht tensioneve dhe mosmarrëveshjeve të thella që kanë karakterizuar marrëdhëniet mes udhëheqësve të dy vendeve.

“Unë mendoj se po i afrohemi shumë një marrëveshjeje. Nuk e kam thënë këtë më parë, sepse në fillim armiqësia mes dy udhëheqësve ishte shumë e madhe. Por tani besoj se ekziston një mundësi shumë e mirë për ta zgjidhur edhe këtë çështje. Po punojmë për shumë marrëveshje”, deklaroi Trump.

Deklarata e presidentit amerikan vjen mes spekulimeve se një marrëveshje e mundshme për paqen mund të finalizohet gjatë samitit të G20, që pritet të zhvillohet në muajin dhjetor në resortin Doral në Florida.

Komentet e Trump kanë rritur pritshmëritë për një rifillim të negociatave diplomatike mes Moskës dhe Kievit, ndërsa komuniteti ndërkombëtar vijon përpjekjet për t’i dhënë fund luftës që ka shkaktuar pasoja të mëdha humanitare dhe ekonomike.

Megjithatë, deri më tani nuk janë bërë publike detaje konkrete mbi kushtet e një marrëveshjeje të mundshme, ndërsa mbetet e paqartë nëse palët janë gati të bëjnë kompromiset e nevojshme për arritjen e një paqeje të qëndrueshme.

Shtetet e Bashkuara kanë luajtur një rol kyç në përpjekjet diplomatike për zgjidhjen e konfliktit, ndërsa deklaratat e fundit të Trump konsiderohen si një sinjal pozitiv për mundësinë e afrimit të palëve drejt një marrëveshjeje.

Hedhja e bombave molotov ndaj policisë, arrestohen disa protestues në Tiranë

0

Policia ka kryer këtë të shtunë disa shoqërime dhe arrestime gjatë protestës së zhvilluar në Tiranë.

Top Channel raporton se tre persona janë arrestuar, ndërsa gjatë ndërhyrjes u janë sekuestruar edhe bomba molotov.

Kujtojmë se gjatë protestës së sotme, ndaj efektivëve të Policisë janë hedhur gurë dhe molotovë, ndërsa këta të fundit janë përgjigjur me ujë me presion dhe spraj me piper.

Binance rikuperon 90 për qind të 6.3 miliardë dollarëve të vjedhur

0

Binance, platforma më e madhe në botë për shkëmbimin e kriptomonedhave, njoftoi sot se ka arritur të rikuperojë 90 për qind të aseteve të vjedhura gjatë një sulmi të madh kibernetik të enjten.

Sulmuesit nxorën nga sistemi kriptomonedha me vlerë rreth 6,3 miliardë dollarë; kompania siguron se përdoruesit nuk do të pësojnë asnjë humbje financiare.

Binance deklaroi se ka vënë në dispozicion mbi 6,34 miliardë dollarë nga fondet e veta për të mbuluar humbjet. Që nga e premtja, kompania kishte raportuar rikuperimin e rreth 80 për qind të aseteve të vjedhura, një shifër që tashmë është rritur në 90 për qind.

Sipas Binance, 10 përqindëshi i mbetur përbëhet nga kriptomonedha me vëllime më të ulëta tregtimi, çka e bën më të vështirë sigurimin e tyre në sasitë e nevojshme.

Kompania vazhdon t’i blejë këto asete në tregun e hapur dhe përmes marrëveshjeve të drejtpërdrejta me pjesëmarrës të tjerë në treg, raporton KosovaPress.

Binance konfirmoi se do t’i vazhdojë këto blerje derisa të sigurojë mbulimin e plotë për të gjitha tokenat e prekura nga sulmi. Kompania theksoi se ajo – dhe jo përdoruesit e saj – do të mbajë barrën financiare të vjedhjes. Përdoret gjithashtu fondi i emergjencës.

Për të kompensuar asetet e vjedhura, Binance po përdor gjithashtu “Fondin e Aseteve të Sigurta për Përdoruesit” (SAFU). Ky është një fond rezervë me vlerë rreth një miliard dollarë, i krijuar për të mbrojtur përdoruesit në rast të shkeljeve të mëdha të sigurisë.

Përveç këtij fondi, Binance po përdor burime nga rezervat e veta korporative dhe një pjesë të fondit të sigurimit për kontratat e së ardhmes (futures). Kompania ka njoftuar se do ta rimbushë fondin SAFU për ta mbajtur vlerën e tij në rreth një miliard dollarë.

Bashkë-drejtori ekzekutiv i Binance, Richard Teng, deklaroi dje se incidenti përfshinte një sulm kibernetik të sofistikuar. Sipas gjetjeve të deritanishme, sulmuesit shfrytëzuan një laptop të komprometuar që i përkiste njërit prej inxhinierëve dhe përdorën softuerë keqdashës, të krijuar për të fshehur gjurmët e tyre.

Kjo metodë sulmi e bëri më të vështirë si zbulimin e tij, ashtu edhe hetimin që pasoi. Pas incidentit, Binance forcoi kontrollet e sigurisë dhe, në bashkëpunim me autoritetet përkatëse dhe firmat që monitorojnë transaksionet e kriptomonedhave, vazhdon kërkimet për fondet e vjedhura.

Binance njoftoi gjithashtu se ka përfunduar një regjistrim të ri të gjendjes së aseteve në platformën e saj, i njohur si “dëshmi e rezervave” (proof of reserves). Ky regjistrim u krye më 31 tetor, në orën 00:00 sipas Kohës Universale të Koordinuar (UTC).

Kompania deklaron se ka siguruar mbulim të plotë për fondet e përdoruesve në dhjetë kriptomonedha të ndryshme. Bëhet fjalë për tokenat BTC, ETH, USDT, BNB, SOL, USDC, XRP, USD1, RLUSD dhe ZEC, për të cilat Binance pretendon se janë të mbuluara në një raport të paktën 1:1.

Kjo do të thotë se për çdo njësi të këtyre kriptomonedhave që zotërohet nga përdoruesit në platformë, Binance duhet të mbajë në rezervë të paktën një njësi përkatëse të asetit. Përdoruesit do të mund ta verifikojnë këtë në mënyrë të pavarur sapo të përfundojë dëshmia kriptografike, gjë që pritet të ndodhë më 3 nëntor.

Pas sulmit, Binance pezulloi përkohësisht tërheqjet për të verifikuar sigurinë e sistemit dhe për të parandaluar transaksione të tjera të paautorizuara. Depozitat janë riaktivizuar ndërkohë, ndërsa tërheqjet mbeten ende të pezulluara përkohësisht.

Kompania konfirmoi se po vijon sipas planit për të rifilluar tërheqjet për përdoruesit të dielën, më 1 nëntor. Ora e saktë e rifillimit të tërheqjeve do të bëhet e ditur sapo të përfundojnë kontrollet e sigurisë.

Ademi i reagon Dimitrievskit për jurisprudencën në shqip: Nuk e keni lexuar Kushtetutën e Maqedonisë

0

Mevlan Ademi, një nga iniciatorët e kërkesës për dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, ka reaguar ndaj deklaratës së kryetarit të Lëvizjes ZNAM, Maksim Dimitrievski, i cili tha se përderisa partia e tij është pjesë e Qeverisë, provimi i jurisprudencës do të mbahet në gjuhën maqedonase.

Ademi, përmes një reagimi, ka kritikuar ashpër politikanët që kundërshtojnë kërkesën për provimin në gjuhën shqipe, duke i quajtur ata “pseudo-nacionalistë” dhe duke vënë në pikëpyetje njohjen e tyre të Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut.

“Ka ardhur koha që politikanët e kastës së vjetër, pseudo-nacionalistët, të ikin pas shokut të tyre Vuçiq! Nuk e di a e lexojnë ende Kushtetutën e Jugosllavisë, por një gjë është e sigurt, definitivisht nuk e lexojnë Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut!”, ka shkruar Ademi.

Reagimi i tij vjen pas qëndrimit të Dimitrievskit në Koçan, ku ky i fundit theksoi se ZNAM nuk do të tërhiqet nga qëndrimi që provimi i jurisprudencës të mbahet në gjuhën maqedonase.

Dy humbësit e zgjedhjeve, Vuçiq dhe Orban shfaqen së bashku! Thonë se do të rikthehen

0

Aleksandar Vuçiq e priti Viktor Orbanin në shtëpinë e babait të tij, pranë Beogradit, duke e cilësuar atë si mik të madh dhe vëlla. Në fjalimin e tij, Vuçiq tha se të dy së fundmi i kanë humbur zgjedhjet, por kanë ruajtur dinjitetin, krenarinë dhe besimin.

“Jam shumë i lumtur që po e pres Viktor Orbanin, mikun tim të madh, vëllain tim. Do të kalojmë kohë të bukur këtu, në shtëpinë e babait tim pranë Beogradit. Dhe po, të dy së fundmi i humbëm zgjedhjet, por nuk i humbëm dinjitetin, krenarinë dhe besimin”, deklaroi Vuçiq.

Orban e falënderoi për ftesën, duke theksuar se miqtë mbeten miq dhe se miqësia e vërtetë forcohet edhe më shumë në kohë të vështira.

“Mund të jesh i sigurt, Aleksandar, se unë do të jem gjithmonë në anën tënde”, tha Orban.

Ai theksoi se marrëdhënia mes tyre ka rëndësi edhe për raportet ndërmjet dy vendeve, duke vlerësuar se së bashku kanë kontribuar në përmirësimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Hungarisë, si dhe në afrimin e serbëve dhe hungarezëve.

“Kjo ishte më shumë se një miqësi mes nesh të dyve. Ishte një arritje e madhe përmirësimi i marrëdhënieve, madje edhe i vëllazërisë mes Serbisë dhe Hungarisë, serbëve dhe hungarezëve”, u shpreh Orban.

Ai shtoi se mbetet i përkushtuar për vazhdimin e këtij raporti dhe i uroi suksese Serbisë, Vuçiqit dhe familjes së tij.

Ndahet nga jeta këngëtari legjendar kroat, Misho Kovaç

0

Në moshën 85-vjeçare, në Split të Kroacisë, ka ndërruar jetë këngëtari legjendar kroat, Mišo Kovač. Lajmin e ka konfirmuar një mik i familjes për portalin kroat “Tportal”.

Mišo Kovač lindi më 16 korrik 1941 në Shibenik dhe pas vetes lë një karrierë muzikore disa dekadëshe. Ai konsiderohej një nga këngëtarët më të njohur në Kroaci dhe në rajon, i dalluar për zërin e tij dhe interpretimet emocionuese.

Ndër këngët e tij më të njohura janë “Ostala si uvijek ista”, “Poljubi zemlju”, “Ako me ostaviš” dhe “Svi pjevaju, ja ne čujem”.

Gjatë karrierës së tij, Kovač ka shitur mbi 20 milionë disqe dhe ka fituar një numër të madh çmimesh për kontributin e tij muzikor. Këngët e tij u bënë pjesë e trashëgimisë muzikore të Kroacisë dhe u dëgjuan nga disa gjenerata.

Kënga e tij “Ostala si uvijek ista” u interpretua edhe nga këngëtari ynë i ndjerë, Toše Proeski, duke u bërë veçanërisht e popullarizuar edhe te gjeneratat e reja në Maqedoni.

Me vdekjen e tij, skena muzikore e rajonit humb një nga emrat më të njohur dhe më të dashur.

U publikuan informacione se është arrestuar – Bilal Kara, pronar i “Sante Plus”, i mohon: Asnjëherë nuk jam arrestuar, këto janë dezinformata

0

Pas informacioneve të publikuara se është arrestuar, pronari i spitalit privat “Sante Plus”, Bilal Kara, ka reaguar duke i mohuar këto pretendime dhe duke deklaruar se informacionet për arrestimin e tij janë të pavërteta.

Kara, në reagimin e tij publik, theksoi se është qytetar i lirë, se ndodhet në vendin e tij të punës dhe se është plotësisht i gatshëm të bashkëpunojë me institucionet kompetente.

“Asnjëherë nuk jam arrestuar. Këto janë dezinformata. Siç mund ta shihni, unë jam qytetar i lirë dhe ndodhem në vendin tim të punës, në zyrën time”, deklaroi Kara.

Ai theksoi se i gjithë dokumentacioni është në dispozicion të organeve kompetente dhe se është i gatshëm të bashkëpunojë pa asnjë pengesë me institucionet.

“Jam këtu për të bashkëpunuar me institucionet. I gjithë dokumentacioni është në dispozicion dhe jam i gatshëm të bashkëpunoj me organet hetimore dhe të gjitha institucionet kompetente në Maqedoninë e Veriut”, u shpreh pronari i “Sante Plus”.

Me këtë deklaratë, Kara i hedh poshtë publikisht informacionet për arrestimin e tij të pretenduar, duke shprehur gatishmëri për bashkëpunim me organet hetimore.

Nga gozhdat te teknologjia, si ka ndryshuar profesioni i vjetër i këpucëtarit! Këpucëtari tetovar tregon sfidat e mbajtjes gjallë të traditës

0

Meseri është këpucëtar nga Tetova. Këtë profesion e ushtron qysh prej moshës 10-vjeçare. Fillimisht ka qenë çirak, ndërsa pasi e ka mësuar zanatin, ka punuar te të tjerë e më pas ka hapur dyqanin e tij. Sot, në Tetovë numëron tri dyqane të tilla. Meseri thotë se punë ka, por ky profesion – si shumë të tjerë – ka ndryshuar rrënjësisht, pasi kërkon makineri moderne dhe investime të mëdha. Më parë, këpucët riparoheshin me gozhda, ndërsa sot ato i kanë lënë vendin makinerive profesionale.

“Unë këtë zanat e punoj prej klasës së tretë. Dhjetë vjet i kam pasur, unë kam punuar te minxha, këpucëtari. Mua më pas më ka shkuar edhe 11 vjet, dhe më pas e kam hapur dyqanin tim. Punë tash ka, punë ka shumë, por rinia nuk interesohet për këtë zanat. Zanati është i mirë, po të përparosh, dhe punë ka sa të duash. Ajo periudhë ka qenë më e vështirë, normal si çdo fillim, por ngadalë-ngadalë tash i kam tri dyqane. Por punëtorë tash nuk ka, dhe njërin dyqan do ta mbyll në fund të vitit, shkaku se punëtorin që e kam shumë të mirë do të shkojë në Zvicër. Dhe do të mbaj vetëm atë, dhe atë me shitje”, theksoi Meser Hamndi – këpucëtar.

Por cili është dallimi mes prodhimit të para 20 vitesh dhe sot? Çfarë kërkon rinia? Meseri tregon se ky profesion sot kërkon investime në makineri me qindra mijë euro. Edhe modeli i këpucëve ka ndryshuar; ato janë më të shtrenjta dhe kërkojnë një teknikë tjetër pune.

“Tash më nuk ka gozhda, se të rinjtë veshin të gjithë patika të shtrenjta, nga 100 euro deri në 300 euro, dhe ti patjetër e ke këtë, ndryshon punën dhe nuk mund t’i punosh si ke punuar atëherë. Prodhori këpucë vetë? Kam prodhuar, kam pasur unë 7 punëtorë, kam dhënë unë edhe me shumicë, por e kemi ndalur prodhimin se nuk ka punëtorë dhe shumë mall hyn nga jashtja. Kualiteti është më i lartë me dorë të punohet. Kualiteti jonë ka qenë i mirë, por s’ka punëtorë dhe shumë mall hyn nga Kina dhe nuk ke llogari më”, u shpreh theksoi Meser Hamndi – këpucëtar.

Si Meseri, në Tetovë kanë ngelur vetëm tre persona. Riparimi i këpucëve kërkon një mjeshtri të rrallë, por edhe një përkushtim të madh. Është një zanat që sjell fitime, por kërkon precizitet dhe të qenit në hap me kohën, modelet dhe materialet që ndryshojnë çdo vit. Ndërkohë, të rinj që e duan këtë profesion nuk ka; ata kërkojnë diçka më të lehtë, pasi zanati kërkon vite përkushtim derisa të mësohet dhe të arrihet në gradën e mjeshtrit.

Udhëheqësi Suprem i Iranit, Khamenei urdhëron përgjigje ushtarake pa ‘kufizime gjeografike’

0

Udhëheqësi Suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, ka urdhëruar forcat e armatosura iraniane të jenë të gatshme për t’iu përgjigjur menjëherë çdo kërcënimi që vjen nga kundërshtarët e vendit. Sipas një deklarate të publikuar në kanalin e tij zyrtar në Telegram, ai theksoi se Irani do të përcaktojë vetë kohën dhe kushtet për t’i dhënë fund çdo sulmi të ri ushtarak apo veprimi armiqësor ndaj vendit.

Khamenei urdhëroi gjithashtu përditësimin e listës së objektivave ushtarakë, duke synuar që asetet amerikane dhe izraelite të jenë brenda kapaciteteve goditëse të forcave iraniane.

Ndërkohë, ushtria iraniane paralajmëroi se çdo sulm i ri nga Shtetet e Bashkuara mund të çojë në përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit. Zëdhënësi i ushtrisë, Mohammad Akraminia, deklaroi se një ndërhyrje e re ushtarake amerikane do të mund të zgjeronte ndjeshëm përmasat gjeografike të luftës.

Edhe ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, përsëriti qëndrimin e Teheranit, duke paralajmëruar se forcat e armatosura iraniane do të reagojnë ndaj çdo veprimi që cenon sigurinë e vendit dhe të qytetarëve të tij.

Paralelisht me retorikën e ashpër, po zhvillohen përpjekje diplomatike për të shmangur një përshkallëzim të mëtejshëm. Sipas burimeve të informuara për Reuters, negociatorët iranianë kanë mbërritur në Doha për bisedime me ndërmjetësuesit e Katarit, ndërsa ekipi ndërmjetësues ka mbajtur kontakte të vazhdueshme edhe me përfaqësuesit amerikanë.

Katari dhe Pakistani po përpiqen të ndërmjetësojnë mes palëve, por deri më tani bisedimet nuk kanë prodhuar një marrëveshje të qëndrueshme për uljen e tensioneve.

Pretendime për incident në Ngushticën e Hormuzit

Autoritetet iraniane njoftuan të shtunën se dy peshkatarë, të raportuar më herët si të zhdukur pas një incidenti në Ngushticën e Hormuzit, janë gjetur.

Mediat shtetërore iraniane raportuan fillimisht se dy persona ishin zhdukur dhe dy të tjerë ishin plagosur në atë që zyrtarët iranianë e cilësuan si një sulm amerikan ndaj një anijeje peshkimi. Më vonë, televizioni shtetëror njoftoi se peshkatarët e zhdukur ishin lokalizuar.

Nga ana tjetër, Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) nuk ka dhënë ende një reagim publik lidhur me pretendimet e ngritura nga Teherani.

Situata mes Iranit, SHBA-së dhe Izraelit mbetet e tensionuar, ndërsa përpjekjet diplomatike vijojnë për të shmangur një konflikt më të gjerë në rajon.

Radhët mëngjesin e sotëm para “Alta Bank SHA Manastir”! Banka Popullore: Licenca e marrë i përket vetëm Alta Bankës në Serbi

0

Vetëm disa orë pas marrjes së licencës së punës së Alta Bankës në Serbi, reagime dhe shqetësim edhe në vend. Që nga mëngjesi, qytetarët janë para ekspoziturave të kësaj banke në Manastir dhe presin të tërheqin paratë e tyre. Nga “Alta Banka SHA Manastir”, ndërkaq, kanë njoftuar se nuk ka vend për shqetësim, pasi banka është likuide, me punë të qëndrueshme dhe të pandërprerë. Siç shpjegojnë, ajo është person juridik i pavarur, i regjistruar në Maqedoni, i cili punon në përputhje me legjislacionin vendor dhe është nën mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë të Bankës Popullore të Maqedonisë.

ALTA BANKA SHA MANASTIR:

“Alta Banka SHA Manastir është likuide dhe vazhdon me punën e rregullt dhe të pandërprerë. Të gjitha ekspoziturat dhe bankomatet funksionojnë normalisht, ndërsa klientët kanë qasje të papenguar në mjetet e tyre. Klientët mund të disponojnë lirisht depozitat e tyre, të tërheqin para të gatshme dhe të kryejnë të gjitha transaksionet bankare sipas kushteve të zakonshme të punës. Ngjarjet që lidhen me bankën në Serbi nuk nënkuptojnë automatikisht ndryshim të gjendjes financiare ose të statusit juridik të Alta Bankës SHA Manastir”

Edhe nga Banka Popullore u prononcuan me tone qetësuese, duke theksuar se vendimi për marrjen e licencës së punës së Alta Bankës i referohet vetëm funksionimit të bankës në Serbi dhe se kjo nuk ndikon në punën e bankës në vend, e cila është e regjistruar këtu dhe funksionimi i së cilës vlerësohet në përputhje me kornizën ligjore dhe rregullatore vendore.

BANKA POPULLORE:

“Banka Popullore thekson se vendimi për marrjen e licencës i referohet punës së bankës në Republikën e Serbisë dhe në vetvete nuk nënkupton marrjen automatike të licencës së punës së Alta Bankës SHA Manastir. Banka Popullore, si mbikëqyrëse kompetente, e ndjek gjendjen dhe vepron në përputhje me dispozitat ligjore. Banka Popullore i ndjek edhe të gjitha rrethanat që mund të ndikojnë në punën e bankës vendore, përfshirë edhe rreziqet që rrjedhin nga lidhja e saj pronësore”

Banka Popullore e Serbisë ia mori licencën e punës Alta Bankës SHA Beograd për shkak të përkeqësimit të ndjeshëm të gjendjes së saj financiare dhe rrezikimit të interesave të depozituesve. Që nga mëngjesi, radhë qytetarësh janë krijuar para ekspoziturave të kësaj banke në Serbi, të shqetësuar për paratë e tyre.