Fidan: Pothuajse të gjitha vendet pajtohen se lufta e re mes SHBA-së dhe Iranit duhet shmangur

0

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, ka deklaruar se gati të gjitha vendet e pranishme në tryezën e bisedimeve janë dakord që duhet shmangur një konflikt i ri midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit dhe se diplomacia duhet të ketë gjithmonë prioritet.

Fidan i bëri këto komente në një intervistë për mediat shtetërore turke, në anën e takimit të ministrave të Jashtëm të G20-së që po zhvillohet në Atlanta të shtetit të Xhorxhias në SHBA.

Sipas tij, mosmarrëveshja midis SHBA-së dhe Iranit, e cila ka çuar në mbylljen e ngushticës së Hormuzit, duhet zgjidhur sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që rrugët kritike tregtare të rihapen.

“Ka një ndjenjë pritjeje dhe kureshtjeje se si do të zhvillohen bisedimet e vazhdueshme midis SHBA-së dhe Iranit dhe nëse do të lindë apo jo një konflikt i ri,” tha ministri turk.

Ai përfundoi duke theksuar se “praktikisht të gjitha vendet në tryezë janë dakord se një konflikt i ri duhet shmangur dhe se diplomacia duhet të ketë vazhdimisht një shans.”

Ngushtica e Hormuzit është një nga rrugët më të rëndësishme të transportit të naftës dhe gazit në botë. Mbyllja e saj ka shkaktuar shqetësime të mëdha për tregtinë ndërkombëtare dhe furnizimin me energji. Deklarata e Fidanit vjen në një moment të tensionuar në rajon, ku bisedimet diplomatike shihet si rruga kryesore për të shmangur përshkallëzimin e situatës.

Turqia, e cila ka mbajtur një pozicion të ekuilibruar në çështjet e Lindjes së Mesme, vazhdon të theksojë rëndësinë e dialogut dhe zgjidhjeve paqësore.

Deri në ora 9, në Bërvenicë kanë votuar 646 qytetarë! Rritet jehona e votuesve krahasuar me raundin e parë

0

Dalja në votime në raundin e dytë të zgjedhjeve të parakohshme për kryetar të Komunës së Bërvenicës deri në orën 09:00 është 3,98 për qind. Të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar 646 qytetarë, njoftoi zëdhënësja e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), Radica Todorovska-Aleksovska, përcjell TV21. Sipas të dhënave të para të pranuara nga KSHZ-ja, dalja në votime është rritur për 1,52 pikë përqindjeje krahasuar me raundin e parë të zgjedhjeve, të mbajtur më 18 tetor. Në atë kohë, deri në orën 09:00 kishin votuar 400 qytetarë, përkatësisht 2,46 për qind e votuesve të regjistruar.

Dalja më e lartë deri në orën 09:00 është regjistruar në vendvotimin 2037, ku kanë votuar 8,7 për qind e votuesve, ndërsa dalja më e ulët është shënuar në vendvotimin 2048, me vetëm 1,25 për qind. Zëdhënësja e KSHZ-së bëri të ditur se votimi ka filluar në orën 07:00 dhe të gjitha vendvotimet janë hapur me kohë. Deri më tani, procesi zgjedhor po zhvillohet në atmosferë të qetë.

Në zgjedhjet e parakohshme për kryetar të Komunës së Bërvenicës, qytetarët zgjedhin mes dy kandidatëve. Të drejtë vote kanë gjithsej 16.256 qytetarë, të cilët votojnë në 24 vendvotime.

Nga KSHZ-ja rikujtojnë se edhe në raundin e dytë qytetarët mund të shfrytëzojnë linjën telefonike pa pagesë 0800 555 44, ku mund të marrin informacione për çështjet që lidhen me ushtrimin e të drejtës së votës.

Për personat me dëmtim të dëgjimit është në dispozicion numri telefonik 076 488 360, përmes të cilit mund të marrin informacione në gjuhën e shenjave përmes video-thirrjes. Nga Komisioni njoftuan se opinioni do të informohet rregullisht për rrjedhën e votimit dhe daljen në zgjedhje përmes konferencave për shtyp dhe komunikatave.

Konferenca e ardhshme për shtyp është paralajmëruar për në orën 11:30 në Bërvenicë, në ndërtesën e komunës, ku ndodhet edhe Komisioni Komunal Zgjedhor.

Kaká përlotet në “San Siro”, futet në “Hall of Fame” të Milanit para fitores në derbi ndaj Interit

0

Legjenda e Milanit dhe e Brazilit, Kaká, u përfshi në Sallën e Famës së klubit (AC Milan Hall of Fame), në një ceremoni të mbajtur para një stadiumi të mbushur plot me tifozë në “San Siro”, më 1 nëntor, para derbit të Serie A-së kundër Interit.

Kaká, i cili ka luajtur për Milanin nga viti 2003 deri në vitin 2009 dhe më pas nga viti 2013 deri në vitin 2014, është një nga futbollistët më të dekoruar në historinë e klubit. Gjatë periudhës së tij të parë me kuqezinjtë, ai fitoi titullin e Serie A-së, Ligën e Kampionëve dhe Topin e Artë.

Braziliani shënoi golin e tij të parë kundër Interit në tetor të vitit 2003, duke kontribuar në fitoren 3-2 të Milanit. Në një letër drejtuar tifozëve para ndeshjes, ai shkroi:

“ Të dashur tifozë të Milanit, derbi do të mbetet përgjithmonë i gdhendur në kujtesën time. Shënimi i golit tim të parë në këtë ndeshje ishte një ndjenjë vërtet e veçantë. Disa momente magjike nuk harrohen kurrë dhe disa dashuri nuk përfundojnë kurrë”.

Ai e përfundoi mesazhin me fjalët: “Forza Milan!”.

Gjatë pranimit të çmimit për përfshirjen në Sallën e Famës, Kaká u emocionua dukshëm nga pritja e ngrohtë dhe duartrokitjet e tifozëve kuqezi.

Në derbin e zhvilluar mes Milanit dhe Interit, kuqezinjtë triumfuan me rezultatin 3-1, duke vazhduar serinë pozitive ndaj rivalëve të qytetit në sezonin 2026/27 të Serie A-së.

Nën drejtimin e trajnerit Ruben Amorim, Milani ka regjistruar tashmë tetë ndeshje radhazi pa humbje ndaj Interit në të gjitha garat, me gjashtë fitore dhe dy barazime.

Milani kaloi në epërsi të dyfishtë që në dhjetë minutat e para. Christian Pulisic shënoi në minutën e katërt, ndërsa Adrien Rabiot realizoi golin e dytë në minutën e dhjetë. Të dy golat erdhën pas asistimeve të Diego Moreiras.

Interi ngushtoi epërsinë në minutën e 22-të përmes Alessandro Bastonit, i cili shënoi me kokë pas një harkimi të Manuel Akanjit.

Më pas, në minutën e 43-të, Moreira shënoi golin e tretë për Milanin, duke vulosur epërsinë e kuqezinjve para përfundimit të pjesës së parë.

Në pjesën e dytë, Interi pati vështirësi të krijonte raste të rrezikshme, pavarësisht 19 goditjeve drejt portës. Portieri i Milanit, Mike Maignan, bëri disa pritje vendimtare, duke ruajtur epërsinë dhe duke mos lejuar që rezultati të ndryshonte deri në fund.

Raundi i dytë i zgjedhjeve në Bërvenicë, 16.256 qytetarë me të drejtë vote

0

Në dhjetë vendbanime të Komunës së Bërvenicës sot po zhvillohet raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetar komune, përcjell TV21. Raundi i parë u mbajt më 18 tetor, por asnjëri nga gjashtë kandidatët nuk arriti të sigurojë shumicën e nevojshme. Të drejtë vote më 18 tetor kishin 16.256 qytetarë, ndërsa dalja në votime ishte 46,56 për qind, përkatësisht votuan 7.565 qytetarë. Numrin më të madh të votave e fituan kandidatët e VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së.

Votimi fillon në orën 07:00, kur hapen vendvotimet, dhe do të zgjasë deri në orën 19:00. Në Listën Zgjedhore janë të regjistruar 16.256 votues, prej të cilëve 449 janë me punë të përkohshme jashtë vendit, ndërsa në burg ose paraburgim ndodhen nëntë votues.

Fitues i zgjedhjeve do të jetë kandidati që merr numrin më të madh të votave. Nëse, për çfarëdo arsyeje, as në raundin e dytë nuk zgjidhet kryetar komune, Komisioni Zgjedhor brenda 15 ditëve e njofton Qeverinë.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) rezultatet fillestare të zgjedhjeve, të pranuara në mënyrë elektronike, i publikon në mënyrë të njëpasnjëshme, ndërsa rezultatet e bazuara në të dhënat nga procesverbalet e Komisionit Komunal Zgjedhor (KKZ) i publikon brenda 12 orëve pas përfundimit të votimit.

KKZ-ja rezultatet fillestare i publikon brenda shtatë orëve pas përfundimit të votimit, bazuar në të dhënat nga këshillat zgjedhorë. Ato i afishon në tabelën e shpalljeve në komunë dhe i kumton përmes mediave.

KSHZ-ja rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve i publikon menjëherë, por jo më vonë se 24 orë nga dita e përfundimit të procedurës për përcaktimin e tyre.

Banorët e dhjetë vendbanimeve të Komunës së Bërvenicës zgjedhin kryetarin e ri të komunës, pasi më 23 qershor 2026, në moshën 58-vjeçare, ndërroi jetë kryetari i atëhershëm i komunës, Jovica Ilievski. Funksionin e ushtruesit të detyrës së kryetarit gjatë muajve të fundit e ka kryer Robert Millosheski.

Milani fiton derbin e Madoninës, mposht Interin 3-1 në “San Siro”!

0

Milani ka fituar derbin e parë të sezonit ndaj Interit, duke triumfuar me rezultatin 3-1 në “San Siro”, përcjell TV21. Christian Pulisic (4’), Adrien Rabiot (10’) dhe Diego Moreira (43’) realizuan për kuqezinjtë, ndërsa Alessandro Bastoni (22’) shënoi golin e vetëm për zikaltërit.

Interi tentoi të rikthehej në lojë në pjesën e dytë, por Milani administroi epërsinë deri në fund. Me këtë fitore, kuqezinjtë i shkaktojnë rivalit të qytetit një tjetër zhgënjim, duke e zgjatur serinë e Interit në tetë derbi pa fitore.

Erdogan optimist për paqen në Ukrainë, Zelensky kërkon përfshirjen e Evropës dhe Turqisë në bisedime

0

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan shprehu optimizëm për bisedimet e ardhshme të paqes mes Shteteve të Bashkuara, Ukrainës dhe Rusisë, pas takimit që zhvilloi të shtunën me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Pallatin Dolmabahçe në Stamboll.

Në konferencën e përbashkët për shtyp, Erdogan tha se Turqia është e gatshme të japë çdo kontribut për avancimin e procesit të paqes dhe theksoi se Ankaraja synon të vazhdojë konsultimet edhe me Moskën për arritjen e një marrëveshjeje.

“Dua të theksoj se jemi të gatshëm të bëjmë çdo përpjekje për të hapur rrugën për paqe. Besoj se arritja e një marrëveshjeje do t’i japë një shtysë të re përpjekjeve për të arritur paqe të qëndrueshme në Ukrainë. Synojmë ta çojmë përpara procesin duke diskutuar këtë çështje edhe me Rusinë”, deklaroi presidenti turk.

Erdogan shprehu gjithashtu shqetësim për përshkallëzimin e incidenteve në Detin e Zi, duke dënuar sulmet ndaj anijeve tregtare dhe civile.

“Është e qartë se sulmet ndaj anijeve civile dhe masat që do të çojnë në përshkallëzim të mëtejshëm të tensionit në Detin e Zi nuk i sjellin dobi askujt. Nuk është e mundur të pranohen këto sulme, pavarësisht se kush i kryen ato dhe cili është justifikimi i tyre”, tha ai.

Nga ana e tij, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky bëri të ditur se me Erdoganin diskutoi për bisedimet e ardhshme trepalëshe mes negociatorëve të SHBA-së, Ukrainës dhe Rusisë, të cilat pritet të zhvillohen në fillim të muajit nëntor.

Zelensky theksoi se Kievi dëshiron që në procesin diplomatik të përfshihen edhe vendet evropiane, si dhe Turqia, me synimin për t’i dhënë fund luftës që tashmë ka hyrë në vitin e pestë.

Presidenti ukrainas vlerësoi gjithashtu mbështetjen e Ankarasë në fushën e energjisë, duke njoftuar se të dy vendet kanë rënë dakord për rritjen e bashkëpunimit në këtë sektor, ndërsa Ukraina vazhdon të përballet me sulme të shtuara ruse ndaj infrastrukturës energjetike.

Në aspektin strategjik, Erdogan riafirmoi mbështetjen për integritetin territorial të Ukrainës dhe përfshirjen e kompanive turke në procesin e rindërtimit të vendit pas luftës.

Ndërkohë, Zelensky e cilësoi Turqinë një partner të rëndësishëm të Ukrainës, veçanërisht në industrinë e mbrojtjes.

“Turqia dhe Ukraina janë aleatë natyrorë në industrinë e mbrojtjes. Ne po punojmë për të forcuar partneritetin tonë dypalësh”, u shpreh presidenti ukrainas.

Derbi i zjarrtë në Milano, katër gola në pjesën e parë!

0

Milani ka mbyllur pjesën e parë me epërsi 3-1 ndaj Interit në derbin e zhvilluar në “San Siro”.

Kuqezinjtë kaluan në avantazh me golat e Christian Pulisic (4’) dhe Adrien Rabiot (10’), ndërsa Alessandro Bastoni ngushtoi rezultatin për Interin në minutën e 22-të. Pak para pushimit, Diego Moreira shënoi një supergol nga goditja e dënimit (43’), duke vulosur rezultatin e pjesës së parë.

Tifozët e MZT-së sulmojnë ata të Rabotniçkit në Shkup, një person i lënduar dhe një i arrestuar

0

Një përleshje fizike mes grupeve të tifozëve ka ndodhur sonte rreth orës 18:55, para sallës sportive “Jane Sandanski”, në lagjen Aerodrom të Shkupit. Sipas njoftimit të MPB-së, tifozët e grupit “Family” kanë sulmuar mbështetësit e klubit të basketbollit Rabotniçki.

Sipas informacioneve policore, disa pjesëtarë të „Family“ janë nisur nga rruga „Vasko Karangeleski“ në drejtim të sallës sportive, ku paraprakisht ishin mbledhur rreth 50 tifozë të Rabotniçkit, të cilët prisnin të ndiqnin një ndeshje sportive.

Në një moment, një grup më i vogël i tifozëve të „Family“ ka ndezur mjete piroteknike, është afruar te tifozët e Rabotniçkit dhe i ka sulmuar fizikisht. Pas përleshjes, pjesëmarrësit janë larguar në drejtime të ndryshme.

“Një person është privuar nga liria, ndërsa një person tjetër ka pësuar lëndime dhe me automjet të Ndihmës së Shpejtë është transportuar në Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit ‘Shën Naum Ohridski’, ku i është ofruar ndihmë mjekësore”, njoftojnë nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Policia po ndërmerr masa për zbardhjen e plotë të rastit.

Milani shpërthen në derbi, 2 gola ndaj Interit brenda 10 minutave!

0

Milani ka nisur furishëm derbin ndaj Interit, duke kaluar në epërsi të dyfishtë brenda vetëm 10 minutave të para të ndeshjes.

Christian Pulisic zhbllokoi rezultatin në minutën e 4-t, ndërsa Adrien Rabiot shënoi golin e dytë në minutën e 10-të, duke i dhënë kuqezinjve avantazhin 2-0 në “San Siro”.

Trump optimist: Rusia dhe Ukraina, më pranë se kurrë marrëveshjes së paqes

0

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, është shprehur optimist për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje paqeje mes Rusisë dhe Ukrainës, duke deklaruar se palët janë më pranë se kurrë një zgjidhjeje që mund t’i japë fund konfliktit.

Gjatë një deklarate për mediat, Trump tha se gjasat për një marrëveshje janë rritur ndjeshëm, pavarësisht tensioneve dhe mosmarrëveshjeve të thella që kanë karakterizuar marrëdhëniet mes udhëheqësve të dy vendeve.

“Unë mendoj se po i afrohemi shumë një marrëveshjeje. Nuk e kam thënë këtë më parë, sepse në fillim armiqësia mes dy udhëheqësve ishte shumë e madhe. Por tani besoj se ekziston një mundësi shumë e mirë për ta zgjidhur edhe këtë çështje. Po punojmë për shumë marrëveshje”, deklaroi Trump.

Deklarata e presidentit amerikan vjen mes spekulimeve se një marrëveshje e mundshme për paqen mund të finalizohet gjatë samitit të G20, që pritet të zhvillohet në muajin dhjetor në resortin Doral në Florida.

Komentet e Trump kanë rritur pritshmëritë për një rifillim të negociatave diplomatike mes Moskës dhe Kievit, ndërsa komuniteti ndërkombëtar vijon përpjekjet për t’i dhënë fund luftës që ka shkaktuar pasoja të mëdha humanitare dhe ekonomike.

Megjithatë, deri më tani nuk janë bërë publike detaje konkrete mbi kushtet e një marrëveshjeje të mundshme, ndërsa mbetet e paqartë nëse palët janë gati të bëjnë kompromiset e nevojshme për arritjen e një paqeje të qëndrueshme.

Shtetet e Bashkuara kanë luajtur një rol kyç në përpjekjet diplomatike për zgjidhjen e konfliktit, ndërsa deklaratat e fundit të Trump konsiderohen si një sinjal pozitiv për mundësinë e afrimit të palëve drejt një marrëveshjeje.