Punon në sektorin privat në Maqedoni? Mos e humb K-15, ja sa para duhet të të japë shefi

0

Nëse ke të paktën 6 muaj pa ndërprerje te i njëjti punëdhënës gjatë vitit, ke të drejtë për regresin e pushimit vjetor – K-15.

Shuma minimale është rreth 19.560 denarë, ndërsa pagesa mund të jetë edhe më e lartë, në varësi të pagës mesatare dhe kushteve të kompanisë.

Punëdhënësit kanë afat ta paguajnë K-15 deri më 31 dhjetor.

Por kujdes! Punëdhënësi nuk mund të të paguajë K-15 dhe më pas të të detyrojë t’ia kthesh paratë cash.

Për mosrespektimin e detyrimit parashikohen gjoba, ndërsa në raste të caktuara mund të ketë edhe përgjegjësi penale.

Pra, nëse i plotëson kushtet, K-15 është e drejtë e jotja – jo favor nga punëdhënësi.

Stresi kritikon studentët, braktis protestën: Kokë turku nuk bëhem, nuk duan t’a rrëzojnë Ramën

0

Reperi Arkimed Lushaj, i njohur me emrin e artit Stresi, ka paralajmëruar largimin nga protesta, duke shprehur pakënaqësi për mënyrën se si po zhvillohet qëndresa. Sipas tij, protesta nuk po shkon drejt rrëzimit të qeverisë.

Reagimi vjen vetëm një ditë pas incidenteve në protestën e të shtunës, ku deputetë të PD-së nuk u pranuan në protestën e studentëve. Përmes një postimi në “Instastory”, reperi shkruan se nuk dëshiron që të vazhdojë të qëndrojë në protestë, duke pretenduar se pjesëmarrësit nuk duan realisht rrëzimin e Edi Ramës.

“Byeeeeeeeeee. Kokë turku nuk bohem. Nuk dun me e rrëzu Ramën. E gëzofshi! Sapo të largohem sonte, kismet nesër jua shpjegoj që s’dun me e rrëzu Edi Ramën”, shkruan ai.

Stresi shton se nuk ka ardhur për t’u “rraskapitur çdo ditë pa lidhje”, ndërsa shprehet se për rrëzimin e qeverisë do të nevojitej, sipas tij, një “kryengritje”.

“Nuk erdha me u rraskapit çdo ditë pa lidhje, sepse shteti është shtet dhe shteti do kryengritje me u rrëzu, ndryshe përditë ai fuqizohet dhe ty të shkatërron si popull”, shkruan Stresi.

Në këtë kontekst, largimi i paralajmëruar nga Stresi mund të lidhet edhe me përplasjen mes protestuesve dhe figurave të PD-së.

Hong-Kong, Ekspozita e Teknologjisë Logjistike 2026 përqendrohet te përdorimet e logjistikës inteligjente

0

E organizuar nga Këshilli i Produktivitetit i Hong-Kongut (HKPC), Ekspozita e Teknologjisë Logjistike 2026 u hap ditët e fundit në këtë rajon të posaçëm administrativ të Kinës. Me temën “Nxitja e transformimit përmes inteligjencës, drejt së ardhmes së logjistikës”, aktiviteti synon të nxisë integrimin e thelluar të teknologjive inovative me operacionet logjistike.

Ekspozita mblodhi së bashku mbi 50 kompani nga sektorët e logjistikës, zinxhirit të furnizimit, si edhe inovacionit teknologjik, duke paraqitur aplikime në fusha si inteligjenca artificiale (AI), magazinimi inteligjent, robotika logjistike, logjistika e gjelbër dhe ekonomia e lartësive të ulëta. Ndër risitë kryesore ishin robotët me katër këmbë, sistemet inteligjente të klasifikimit, sistemet inteligjente të ruajtjes dhe nxjerrjes së mallrave, si edhe pajisjet inteligjente për magazinimin e zgjuar.

Foto nga HKPC

Foto nga HKPC

Foto nga HKPC

Foto nga HKPC

Yau Cheukhang, Sekretar i Përhershëm për Transportin dhe Logjistikën në qeverinë e Rajonit të Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut, shprehu shpresën se operatorët industrialë do ta shfrytëzojnë këtë ekspozitë për të eksploruar zgjidhjet më të fundit teknologjike në logjistikë, duke rritur kështu produktivitetin dhe duke ruajtur konkurrueshmërinë e sektorit logjistik të rajonit.

Gjatë ekspozitës u zhvilluan më shumë se 10 forume tematike dhe sesione shkëmbimi teknik, që trajtuan tema si inteligjenca artificiale, logjistika për tregtinë elektronike ndërkufitare, transparenca e zinxhirit të furnizimit dhe ekonomia e lartësive të ulëta.

Edi Rama ia beson strategjinë e medias ish-kandidates së Vetëvendosjes, që vjen nga Maqedonia e Veriut

0

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ia ka besuar këshillimin për çështjet e medias Vlerë Gjakovës, e cila e ka marrë zyrtarisht këtë detyrë para dy javësh. Kështu raporton Top Channel, duke iu referuar burimeve qeveritare.

Gjakova ka lindur në Maqedoninë e Veriut dhe për një periudhë të gjatë ka jetuar e vepruar në Kosovë. Në vitin 2018 iu bashkua Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa në zgjedhjet e vitit 2019 ishte kandidate për deputete nga kjo parti.

Top Channel raporton se shefja e kabinetit të kryeministrit, Vilma Guri, u ka dërguar një e-mail sekretarëve të përgjithshëm të ministrive, duke kërkuar që këshilltarët e medias të zhvillojnë takime me Gjakovën dhe t’i prezantojnë strategjitë e tyre të komunikimit.

Sipas profilit të saj në LinkedIn, Gjakova ka 18 vjet përvojë në strategjinë e medias dhe marrëdhëniet me publikun. Në të kaluarën ka punuar si zëdhënëse dhe përfaqësuese për marrëdhënie me publikun në EVN Maqedoni, si dhe ka bashkëpunuar me Komunën e Çairit, BIRN dhe organizata e kompani të tjera në rajon.

Në Bërvenicë deri në orën 11 kanë votuar 2.245 persona! Sallai: Jehona e votuesve është rritur për 4,71%

0

Deri në orën 11:00, në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Komunës së Bërvenicës kanë votuar gjithsej 2.245 qytetarë, njoftoi Nedime Sallai nga Komisioni Komunal i Zgjedhjeve, përcjell TV21. Sipas saj, pjesëmarrja është rritur për 4,71 pikë përqindjeje në krahasim me raundin e parë. Në të njëjtën periudhë kohore, në raundin e parë kishin votuar 1.480 qytetarë, ndërsa në raundin e dytë numri ka arritur në 2.245. Dalja më e lartë është regjistruar në vendvotimin 2044 në Stençë, me 22,12%, ndërsa më e ulëta në vendvotimin 2047 në Tenovë, me 5,33%.

“Bashkë me KSHZ-në, sot kemi qenë në terren dhe të gjitha vendvotimet janë hapur me kohë. Nuk ka pasur pengesa gjatë procesit të votimit. Sa u përket kundërshtimeve, deri më tani është paraqitur vetëm një kundërshtim, i cili është miratuar. Që nga mëngjesi, KSHZ-ja ka vënë në funksion një linjë telefonike pa pagesë, ku qytetarët mund të paraqesin ankesa dhe të informohen për të drejtën e votës. Gjithashtu, është në dispozicion edhe shërbimi në gjuhën e shenjave”, shtoi Sallai.

Kontroll në një lokal në Karposh, të miturit kapen në gjendje të dehur!

0

Policia ka kryer sot një kontroll në një objekt hotelierik në territorin e komunës së Karposhit, në Shkup, pas informacioneve se aty u shërbehej alkool personave të mitur.

Sipas njoftimit të MPB-së, gjatë kontrollit janë gjetur të mitur në gjendje të dehur. Tetë persona janë shoqëruar në Stacionin Policor të Karposhit, ndërsa testimi me alkooltest ka konfirmuar praninë e alkoolit në organizmin e të gjithëve.

Një person që ndodhej në lokal është dërguar në Klinikën e Toksikologjisë në kompleksin klinik “Nëna Terezë”, për marrjen e ndihmës mjekësore.

“Pas dokumentimit të plotë të rastit, do të parashtrohet kallëzim përkatës në bazë të nenit 204 të Kodit Penal – ‘Shërbimi i pijeve alkoolike personave të mitur’”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Dy persona arrestohen në Gostivar, sekuestrohen kokainë dhe marihuanë

0

Dy persona nga Gostivari, të moshës 42 dhe 48 vjeç, janë arrestuar sot gjatë një aksioni policor kundër tregtisë së paligjshme me drogë.

Sipas njoftimit të Policisë, ndërhyrja është realizuar në rrugën “Beliçica” në Gostivar, në momentin e një blerjeje-shitjeje të dyshuar të narkotikëve. Gjatë kontrollit te personat janë gjetur kokainë dhe marihuanë.

Me urdhër gjykate, policia ka kontrolluar edhe shtëpinë e njërit prej të arrestuarve, ku janë gjetur dhe sekuestruar edhe gjashtë paketime me kokainë, si dhe para në prerje të ndryshme.

“Dy personat janë ndaluar në stacionin policor për procedurë të mëtejshme, pas së cilës ndaj tyre do të parashtrohen kallëzimet përkatëse”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Dy të arrestuarit do të përballen me procedurat e mëtejshme ligjore.

Goditën me molotov dhe sfera metalike policinë në Tiranë, arrestohen 6 persona

0

Gjashtë persona janë arrestuar pas akteve të dhunës gjatë protestës së mbajtur dje në Tiranë, njofton Policia e Shtetit. Mes të arrestuarve janë katër persona të moshës 18 deri në 38 vjeç, njëri prej tyre shtetas i huaj, si dhe dy të mitur.

Gjithashtu, tre persona janë proceduar penalisht, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim. Gjatë kontrolleve, policia ka sekuestruar bomba molotov në posedim të dy prej të arrestuarve.

Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale, të kryera nën drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin ligjor të akteve të dhunës gjatë tubimit të zhvilluar ditën e djeshme, u arrestuan shtetasit:

A. Sh., 26 vjeç, L. K., 18 vjeç, F. Ç., 38 vjeç, K. R., 35 vjeç (shtetas i huaj), si dhe 2 shtetas të mitur.

Gjithashtu, u proceduan penalisht 3 shtetas dhe u shpallën në kërkim 2 të tjerë.

Gjatë kontrolleve, shtetasve L. K. dhe A. Sh. iu gjetën dhe iu sekuestruan bomba molotov.

Specialistët për Hetimin e Krimit, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë veprimet për dokumentimin e plotë të veprimeve të kundërligjshme të kryera gjatë tubimit, identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprat penale “Vrasja e punonjësit të Policisë”, e mbetur në tentativë, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Prishja e qetësisë publike”, “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit”.

FBI: Koreja e Veriut qëndron pas vjedhjes rekord prej 6.3 miliardë dollarësh në Binance

0

Byroja Federale e Hetimeve e SHBA-së ( FBI ) tha të shtunën se Koreja e Veriut qëndronte pas sulmit kibernetik ndaj bursës së kriptomonedhave Binance, në të cilin u vodhën 6.3 miliardë dollarë fonde.

Në mënyrë specifike, FBI tha se hakerat nga grupi TraderTraitor, i cili mbështetet nga regjimi i Koresë së Veriut, ishin përgjegjës për sulmin kibernetik në shkallë të gjerë. Ajo vuri në dukje se zbuloi se anëtarët e këtij grupi u përpoqën të konvertonin fondet e vjedhura në kriptomonedhë ethereum, duke parashikuar se do të pasojnë veprime të ngjashme.

Ndërkohë, platforma Binance njoftoi se ka zëvendësuar 90% të fondeve të vjedhura . Pjesa e mbetur prej 10% ka të bëjë me asete dixhitale (tokena) me më pak likuiditet, që do të thotë se ato kërkojnë më shumë kohë për t’u marrë.

“Ne kemi zëvendësuar 90% të aseteve të vjedhura dhe jemi të përkushtuar të mbulojmë 10% të mbetura. Përdoruesit tanë nuk do ta mbajnë barrën financiare të këtij incidenti”, siguroi bashkë-CEO i Binance, Richard Teng.

Sulmi kibernetik konsiderohet nga ekspertët si vjedhja më e madhe e kriptomonedhave ndonjëherë . Hetimi paraprak tregoi se shkelja mund të ketë filluar nga një laptop i hakuar që i përkiste njërit prej inxhinierëve të platformës, duke u lejuar hakerëve të fitojnë akses në një nga sistemet e saj dhe të bëjnë tërheqje të paligjshme, sipas Binance.

“Gjenerata Z sundon”, mijëra të rinj protestuan në mbi 30 qytete gjermane! Regjistrohen incidente të izoluara

0

Mijëra të rinj dolën të shtunën në rrugët e më shumë se 30 qyteteve gjermane në kuadër të protestave me moton “Gjenerata Z sundon”, duke kërkuar përmirësimin e arsimit, kosto më të përballueshme të jetesës dhe më shumë pjesëmarrje në vendimmarrjen politike.

Demonstratat nisën kryesisht në mënyrë paqësore në qytete si Berlini, Mynihu, Hamburgu, Frankfurti, Këlni, Shtutgarti dhe Mainz.

Megjithatë, gjatë pasdites dhe mbrëmjes, në disa zona u regjistruan incidente, përplasje me forcat e rendit dhe dëmtime të pronës.

Në Berlin, pjesëmarrja rezultoi më e ulët se pritshmëritë e organizatorëve. Nga rreth 10 mijë protestues të parashikuar, sipas organizatorëve dhe policisë morën pjesë afërsisht 5 mijë persona. Protestat në kryeqytet vijuan kryesisht pa incidente serioze.

Situata u tensionua më shumë në Frankfurt, Hamburg, Këln dhe Shtutgart. Në Frankfurt, protestues të maskuar hodhën fishekzjarrë, shishe dhe objekte të tjera drejt policisë, ndërsa disa vitrina dyqanesh në rrugën tregtare “Zeil” u dëmtuan. Autoritetet raportuan edhe për disa policë të plagosur.

Në Hamburg, pas përfundimit zyrtar të demonstratës, grupe protestuesish ngritën barrikada, u vunë flakën objekteve në rrugë dhe hodhën gurë e shishe ndaj efektivëve. Policia ndërhyri me topa uji dhe spraj me piper për të kontrolluar situatën.

Ndërkohë, në Këln marshimi i planifikuar u anulua me marrëveshje mes organizatorëve dhe autoriteteve, por më vonë pati përplasje me policinë, e cila rrethoi qindra protestues. Edhe në Shtutgart dhe Frankfurt pati përdorim të piroteknikës dhe incidente të izoluara.

Pavarësisht përshkallëzimeve në disa qytete, shumica e protestave u zhvilluan paqësisht, me pjesëmarrësit që theksuan kërkesat për reforma në arsim, përmirësim të kushteve të jetesës dhe më shumë vëmendje ndaj shqetësimeve të të rinjve.

Protestat e “Gjeneratës Z” konsiderohen ndër mobilizimet më të mëdha të të rinjve në Gjermani gjatë muajve të fundit, duke tërhequr vëmendjen e politikës dhe opinionit publik në mbarë vendin.