Raundi i dytë i zgjedhjeve në Bërvenicë, 16.256 qytetarë me të drejtë vote

0

Në dhjetë vendbanime të Komunës së Bërvenicës sot po zhvillohet raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetar komune, përcjell TV21. Raundi i parë u mbajt më 18 tetor, por asnjëri nga gjashtë kandidatët nuk arriti të sigurojë shumicën e nevojshme. Të drejtë vote më 18 tetor kishin 16.256 qytetarë, ndërsa dalja në votime ishte 46,56 për qind, përkatësisht votuan 7.565 qytetarë. Numrin më të madh të votave e fituan kandidatët e VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së.

Votimi fillon në orën 07:00, kur hapen vendvotimet, dhe do të zgjasë deri në orën 19:00. Në Listën Zgjedhore janë të regjistruar 16.256 votues, prej të cilëve 449 janë me punë të përkohshme jashtë vendit, ndërsa në burg ose paraburgim ndodhen nëntë votues.

Fitues i zgjedhjeve do të jetë kandidati që merr numrin më të madh të votave. Nëse, për çfarëdo arsyeje, as në raundin e dytë nuk zgjidhet kryetar komune, Komisioni Zgjedhor brenda 15 ditëve e njofton Qeverinë.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) rezultatet fillestare të zgjedhjeve, të pranuara në mënyrë elektronike, i publikon në mënyrë të njëpasnjëshme, ndërsa rezultatet e bazuara në të dhënat nga procesverbalet e Komisionit Komunal Zgjedhor (KKZ) i publikon brenda 12 orëve pas përfundimit të votimit.

KKZ-ja rezultatet fillestare i publikon brenda shtatë orëve pas përfundimit të votimit, bazuar në të dhënat nga këshillat zgjedhorë. Ato i afishon në tabelën e shpalljeve në komunë dhe i kumton përmes mediave.

KSHZ-ja rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve i publikon menjëherë, por jo më vonë se 24 orë nga dita e përfundimit të procedurës për përcaktimin e tyre.

Banorët e dhjetë vendbanimeve të Komunës së Bërvenicës zgjedhin kryetarin e ri të komunës, pasi më 23 qershor 2026, në moshën 58-vjeçare, ndërroi jetë kryetari i atëhershëm i komunës, Jovica Ilievski. Funksionin e ushtruesit të detyrës së kryetarit gjatë muajve të fundit e ka kryer Robert Millosheski.

Milani fiton derbin e Madoninës, mposht Interin 3-1 në “San Siro”!

0

Milani ka fituar derbin e parë të sezonit ndaj Interit, duke triumfuar me rezultatin 3-1 në “San Siro”, përcjell TV21. Christian Pulisic (4’), Adrien Rabiot (10’) dhe Diego Moreira (43’) realizuan për kuqezinjtë, ndërsa Alessandro Bastoni (22’) shënoi golin e vetëm për zikaltërit.

Interi tentoi të rikthehej në lojë në pjesën e dytë, por Milani administroi epërsinë deri në fund. Me këtë fitore, kuqezinjtë i shkaktojnë rivalit të qytetit një tjetër zhgënjim, duke e zgjatur serinë e Interit në tetë derbi pa fitore.

Erdogan optimist për paqen në Ukrainë, Zelensky kërkon përfshirjen e Evropës dhe Turqisë në bisedime

0

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan shprehu optimizëm për bisedimet e ardhshme të paqes mes Shteteve të Bashkuara, Ukrainës dhe Rusisë, pas takimit që zhvilloi të shtunën me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Pallatin Dolmabahçe në Stamboll.

Në konferencën e përbashkët për shtyp, Erdogan tha se Turqia është e gatshme të japë çdo kontribut për avancimin e procesit të paqes dhe theksoi se Ankaraja synon të vazhdojë konsultimet edhe me Moskën për arritjen e një marrëveshjeje.

“Dua të theksoj se jemi të gatshëm të bëjmë çdo përpjekje për të hapur rrugën për paqe. Besoj se arritja e një marrëveshjeje do t’i japë një shtysë të re përpjekjeve për të arritur paqe të qëndrueshme në Ukrainë. Synojmë ta çojmë përpara procesin duke diskutuar këtë çështje edhe me Rusinë”, deklaroi presidenti turk.

Erdogan shprehu gjithashtu shqetësim për përshkallëzimin e incidenteve në Detin e Zi, duke dënuar sulmet ndaj anijeve tregtare dhe civile.

“Është e qartë se sulmet ndaj anijeve civile dhe masat që do të çojnë në përshkallëzim të mëtejshëm të tensionit në Detin e Zi nuk i sjellin dobi askujt. Nuk është e mundur të pranohen këto sulme, pavarësisht se kush i kryen ato dhe cili është justifikimi i tyre”, tha ai.

Nga ana e tij, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky bëri të ditur se me Erdoganin diskutoi për bisedimet e ardhshme trepalëshe mes negociatorëve të SHBA-së, Ukrainës dhe Rusisë, të cilat pritet të zhvillohen në fillim të muajit nëntor.

Zelensky theksoi se Kievi dëshiron që në procesin diplomatik të përfshihen edhe vendet evropiane, si dhe Turqia, me synimin për t’i dhënë fund luftës që tashmë ka hyrë në vitin e pestë.

Presidenti ukrainas vlerësoi gjithashtu mbështetjen e Ankarasë në fushën e energjisë, duke njoftuar se të dy vendet kanë rënë dakord për rritjen e bashkëpunimit në këtë sektor, ndërsa Ukraina vazhdon të përballet me sulme të shtuara ruse ndaj infrastrukturës energjetike.

Në aspektin strategjik, Erdogan riafirmoi mbështetjen për integritetin territorial të Ukrainës dhe përfshirjen e kompanive turke në procesin e rindërtimit të vendit pas luftës.

Ndërkohë, Zelensky e cilësoi Turqinë një partner të rëndësishëm të Ukrainës, veçanërisht në industrinë e mbrojtjes.

“Turqia dhe Ukraina janë aleatë natyrorë në industrinë e mbrojtjes. Ne po punojmë për të forcuar partneritetin tonë dypalësh”, u shpreh presidenti ukrainas.

Derbi i zjarrtë në Milano, katër gola në pjesën e parë!

0

Milani ka mbyllur pjesën e parë me epërsi 3-1 ndaj Interit në derbin e zhvilluar në “San Siro”.

Kuqezinjtë kaluan në avantazh me golat e Christian Pulisic (4’) dhe Adrien Rabiot (10’), ndërsa Alessandro Bastoni ngushtoi rezultatin për Interin në minutën e 22-të. Pak para pushimit, Diego Moreira shënoi një supergol nga goditja e dënimit (43’), duke vulosur rezultatin e pjesës së parë.

Tifozët e MZT-së sulmojnë ata të Rabotniçkit në Shkup, një person i lënduar dhe një i arrestuar

0

Një përleshje fizike mes grupeve të tifozëve ka ndodhur sonte rreth orës 18:55, para sallës sportive “Jane Sandanski”, në lagjen Aerodrom të Shkupit. Sipas njoftimit të MPB-së, tifozët e grupit “Family” kanë sulmuar mbështetësit e klubit të basketbollit Rabotniçki.

Sipas informacioneve policore, disa pjesëtarë të „Family“ janë nisur nga rruga „Vasko Karangeleski“ në drejtim të sallës sportive, ku paraprakisht ishin mbledhur rreth 50 tifozë të Rabotniçkit, të cilët prisnin të ndiqnin një ndeshje sportive.

Në një moment, një grup më i vogël i tifozëve të „Family“ ka ndezur mjete piroteknike, është afruar te tifozët e Rabotniçkit dhe i ka sulmuar fizikisht. Pas përleshjes, pjesëmarrësit janë larguar në drejtime të ndryshme.

“Një person është privuar nga liria, ndërsa një person tjetër ka pësuar lëndime dhe me automjet të Ndihmës së Shpejtë është transportuar në Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit ‘Shën Naum Ohridski’, ku i është ofruar ndihmë mjekësore”, njoftojnë nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Policia po ndërmerr masa për zbardhjen e plotë të rastit.

Milani shpërthen në derbi, 2 gola ndaj Interit brenda 10 minutave!

0

Milani ka nisur furishëm derbin ndaj Interit, duke kaluar në epërsi të dyfishtë brenda vetëm 10 minutave të para të ndeshjes.

Christian Pulisic zhbllokoi rezultatin në minutën e 4-t, ndërsa Adrien Rabiot shënoi golin e dytë në minutën e 10-të, duke i dhënë kuqezinjve avantazhin 2-0 në “San Siro”.

Trump optimist: Rusia dhe Ukraina, më pranë se kurrë marrëveshjes së paqes

0

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, është shprehur optimist për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje paqeje mes Rusisë dhe Ukrainës, duke deklaruar se palët janë më pranë se kurrë një zgjidhjeje që mund t’i japë fund konfliktit.

Gjatë një deklarate për mediat, Trump tha se gjasat për një marrëveshje janë rritur ndjeshëm, pavarësisht tensioneve dhe mosmarrëveshjeve të thella që kanë karakterizuar marrëdhëniet mes udhëheqësve të dy vendeve.

“Unë mendoj se po i afrohemi shumë një marrëveshjeje. Nuk e kam thënë këtë më parë, sepse në fillim armiqësia mes dy udhëheqësve ishte shumë e madhe. Por tani besoj se ekziston një mundësi shumë e mirë për ta zgjidhur edhe këtë çështje. Po punojmë për shumë marrëveshje”, deklaroi Trump.

Deklarata e presidentit amerikan vjen mes spekulimeve se një marrëveshje e mundshme për paqen mund të finalizohet gjatë samitit të G20, që pritet të zhvillohet në muajin dhjetor në resortin Doral në Florida.

Komentet e Trump kanë rritur pritshmëritë për një rifillim të negociatave diplomatike mes Moskës dhe Kievit, ndërsa komuniteti ndërkombëtar vijon përpjekjet për t’i dhënë fund luftës që ka shkaktuar pasoja të mëdha humanitare dhe ekonomike.

Megjithatë, deri më tani nuk janë bërë publike detaje konkrete mbi kushtet e një marrëveshjeje të mundshme, ndërsa mbetet e paqartë nëse palët janë gati të bëjnë kompromiset e nevojshme për arritjen e një paqeje të qëndrueshme.

Shtetet e Bashkuara kanë luajtur një rol kyç në përpjekjet diplomatike për zgjidhjen e konfliktit, ndërsa deklaratat e fundit të Trump konsiderohen si një sinjal pozitiv për mundësinë e afrimit të palëve drejt një marrëveshjeje.

Hedhja e bombave molotov ndaj policisë, arrestohen disa protestues në Tiranë

0

Policia ka kryer këtë të shtunë disa shoqërime dhe arrestime gjatë protestës së zhvilluar në Tiranë.

Top Channel raporton se tre persona janë arrestuar, ndërsa gjatë ndërhyrjes u janë sekuestruar edhe bomba molotov.

Kujtojmë se gjatë protestës së sotme, ndaj efektivëve të Policisë janë hedhur gurë dhe molotovë, ndërsa këta të fundit janë përgjigjur me ujë me presion dhe spraj me piper.

Binance rikuperon 90 për qind të 6.3 miliardë dollarëve të vjedhur

0

Binance, platforma më e madhe në botë për shkëmbimin e kriptomonedhave, njoftoi sot se ka arritur të rikuperojë 90 për qind të aseteve të vjedhura gjatë një sulmi të madh kibernetik të enjten.

Sulmuesit nxorën nga sistemi kriptomonedha me vlerë rreth 6,3 miliardë dollarë; kompania siguron se përdoruesit nuk do të pësojnë asnjë humbje financiare.

Binance deklaroi se ka vënë në dispozicion mbi 6,34 miliardë dollarë nga fondet e veta për të mbuluar humbjet. Që nga e premtja, kompania kishte raportuar rikuperimin e rreth 80 për qind të aseteve të vjedhura, një shifër që tashmë është rritur në 90 për qind.

Sipas Binance, 10 përqindëshi i mbetur përbëhet nga kriptomonedha me vëllime më të ulëta tregtimi, çka e bën më të vështirë sigurimin e tyre në sasitë e nevojshme.

Kompania vazhdon t’i blejë këto asete në tregun e hapur dhe përmes marrëveshjeve të drejtpërdrejta me pjesëmarrës të tjerë në treg, raporton KosovaPress.

Binance konfirmoi se do t’i vazhdojë këto blerje derisa të sigurojë mbulimin e plotë për të gjitha tokenat e prekura nga sulmi. Kompania theksoi se ajo – dhe jo përdoruesit e saj – do të mbajë barrën financiare të vjedhjes. Përdoret gjithashtu fondi i emergjencës.

Për të kompensuar asetet e vjedhura, Binance po përdor gjithashtu “Fondin e Aseteve të Sigurta për Përdoruesit” (SAFU). Ky është një fond rezervë me vlerë rreth një miliard dollarë, i krijuar për të mbrojtur përdoruesit në rast të shkeljeve të mëdha të sigurisë.

Përveç këtij fondi, Binance po përdor burime nga rezervat e veta korporative dhe një pjesë të fondit të sigurimit për kontratat e së ardhmes (futures). Kompania ka njoftuar se do ta rimbushë fondin SAFU për ta mbajtur vlerën e tij në rreth një miliard dollarë.

Bashkë-drejtori ekzekutiv i Binance, Richard Teng, deklaroi dje se incidenti përfshinte një sulm kibernetik të sofistikuar. Sipas gjetjeve të deritanishme, sulmuesit shfrytëzuan një laptop të komprometuar që i përkiste njërit prej inxhinierëve dhe përdorën softuerë keqdashës, të krijuar për të fshehur gjurmët e tyre.

Kjo metodë sulmi e bëri më të vështirë si zbulimin e tij, ashtu edhe hetimin që pasoi. Pas incidentit, Binance forcoi kontrollet e sigurisë dhe, në bashkëpunim me autoritetet përkatëse dhe firmat që monitorojnë transaksionet e kriptomonedhave, vazhdon kërkimet për fondet e vjedhura.

Binance njoftoi gjithashtu se ka përfunduar një regjistrim të ri të gjendjes së aseteve në platformën e saj, i njohur si “dëshmi e rezervave” (proof of reserves). Ky regjistrim u krye më 31 tetor, në orën 00:00 sipas Kohës Universale të Koordinuar (UTC).

Kompania deklaron se ka siguruar mbulim të plotë për fondet e përdoruesve në dhjetë kriptomonedha të ndryshme. Bëhet fjalë për tokenat BTC, ETH, USDT, BNB, SOL, USDC, XRP, USD1, RLUSD dhe ZEC, për të cilat Binance pretendon se janë të mbuluara në një raport të paktën 1:1.

Kjo do të thotë se për çdo njësi të këtyre kriptomonedhave që zotërohet nga përdoruesit në platformë, Binance duhet të mbajë në rezervë të paktën një njësi përkatëse të asetit. Përdoruesit do të mund ta verifikojnë këtë në mënyrë të pavarur sapo të përfundojë dëshmia kriptografike, gjë që pritet të ndodhë më 3 nëntor.

Pas sulmit, Binance pezulloi përkohësisht tërheqjet për të verifikuar sigurinë e sistemit dhe për të parandaluar transaksione të tjera të paautorizuara. Depozitat janë riaktivizuar ndërkohë, ndërsa tërheqjet mbeten ende të pezulluara përkohësisht.

Kompania konfirmoi se po vijon sipas planit për të rifilluar tërheqjet për përdoruesit të dielën, më 1 nëntor. Ora e saktë e rifillimit të tërheqjeve do të bëhet e ditur sapo të përfundojnë kontrollet e sigurisë.

Ademi i reagon Dimitrievskit për jurisprudencën në shqip: Nuk e keni lexuar Kushtetutën e Maqedonisë

0

Mevlan Ademi, një nga iniciatorët e kërkesës për dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, ka reaguar ndaj deklaratës së kryetarit të Lëvizjes ZNAM, Maksim Dimitrievski, i cili tha se përderisa partia e tij është pjesë e Qeverisë, provimi i jurisprudencës do të mbahet në gjuhën maqedonase.

Ademi, përmes një reagimi, ka kritikuar ashpër politikanët që kundërshtojnë kërkesën për provimin në gjuhën shqipe, duke i quajtur ata “pseudo-nacionalistë” dhe duke vënë në pikëpyetje njohjen e tyre të Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut.

“Ka ardhur koha që politikanët e kastës së vjetër, pseudo-nacionalistët, të ikin pas shokut të tyre Vuçiq! Nuk e di a e lexojnë ende Kushtetutën e Jugosllavisë, por një gjë është e sigurt, definitivisht nuk e lexojnë Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut!”, ka shkruar Ademi.

Reagimi i tij vjen pas qëndrimit të Dimitrievskit në Koçan, ku ky i fundit theksoi se ZNAM nuk do të tërhiqet nga qëndrimi që provimi i jurisprudencës të mbahet në gjuhën maqedonase.