Policia ka kryer sot një kontroll në një objekt hotelierik në territorin e komunës së Karposhit, në Shkup, pas informacioneve se aty u shërbehej alkool personave të mitur.
Sipas njoftimit të MPB-së, gjatë kontrollit janë gjetur të mitur në gjendje të dehur. Tetë persona janë shoqëruar në Stacionin Policor të Karposhit, ndërsa testimi me alkooltest ka konfirmuar praninë e alkoolit në organizmin e të gjithëve.
Një person që ndodhej në lokal është dërguar në Klinikën e Toksikologjisë në kompleksin klinik “Nëna Terezë”, për marrjen e ndihmës mjekësore.
“Pas dokumentimit të plotë të rastit, do të parashtrohet kallëzim përkatës në bazë të nenit 204 të Kodit Penal – ‘Shërbimi i pijeve alkoolike personave të mitur’”, thuhet në njoftimin e Policisë.
