Dalja në votime në raundin e dytë të zgjedhjeve të parakohshme për kryetar të Komunës së Bërvenicës deri në orën 09:00 është 3,98 për qind. Të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar 646 qytetarë, njoftoi zëdhënësja e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), Radica Todorovska-Aleksovska, përcjell TV21. Sipas të dhënave të para të pranuara nga KSHZ-ja, dalja në votime është rritur për 1,52 pikë përqindjeje krahasuar me raundin e parë të zgjedhjeve, të mbajtur më 18 tetor. Në atë kohë, deri në orën 09:00 kishin votuar 400 qytetarë, përkatësisht 2,46 për qind e votuesve të regjistruar.
Dalja më e lartë deri në orën 09:00 është regjistruar në vendvotimin 2037, ku kanë votuar 8,7 për qind e votuesve, ndërsa dalja më e ulët është shënuar në vendvotimin 2048, me vetëm 1,25 për qind. Zëdhënësja e KSHZ-së bëri të ditur se votimi ka filluar në orën 07:00 dhe të gjitha vendvotimet janë hapur me kohë. Deri më tani, procesi zgjedhor po zhvillohet në atmosferë të qetë.
Në zgjedhjet e parakohshme për kryetar të Komunës së Bërvenicës, qytetarët zgjedhin mes dy kandidatëve. Të drejtë vote kanë gjithsej 16.256 qytetarë, të cilët votojnë në 24 vendvotime.
Nga KSHZ-ja rikujtojnë se edhe në raundin e dytë qytetarët mund të shfrytëzojnë linjën telefonike pa pagesë 0800 555 44, ku mund të marrin informacione për çështjet që lidhen me ushtrimin e të drejtës së votës.
Për personat me dëmtim të dëgjimit është në dispozicion numri telefonik 076 488 360, përmes të cilit mund të marrin informacione në gjuhën e shenjave përmes video-thirrjes. Nga Komisioni njoftuan se opinioni do të informohet rregullisht për rrjedhën e votimit dhe daljen në zgjedhje përmes konferencave për shtyp dhe komunikatave.
Konferenca e ardhshme për shtyp është paralajmëruar për në orën 11:30 në Bërvenicë, në ndërtesën e komunës, ku ndodhet edhe Komisioni Komunal Zgjedhor.
