Nga gozhdat te teknologjia, si ka ndryshuar profesioni i vjetër i këpucëtarit! Këpucëtari tetovar tregon sfidat e mbajtjes gjallë të traditës

TË FUNDIT

Meseri është këpucëtar nga Tetova. Këtë profesion e ushtron qysh prej moshës 10-vjeçare. Fillimisht ka qenë çirak, ndërsa pasi e ka mësuar zanatin, ka punuar te të tjerë e më pas ka hapur dyqanin e tij. Sot, në Tetovë numëron tri dyqane të tilla. Meseri thotë se punë ka, por ky profesion – si shumë të tjerë – ka ndryshuar rrënjësisht, pasi kërkon makineri moderne dhe investime të mëdha. Më parë, këpucët riparoheshin me gozhda, ndërsa sot ato i kanë lënë vendin makinerive profesionale.

“Unë këtë zanat e punoj prej klasës së tretë. Dhjetë vjet i kam pasur, unë kam punuar te minxha, këpucëtari. Mua më pas më ka shkuar edhe 11 vjet, dhe më pas e kam hapur dyqanin tim. Punë tash ka, punë ka shumë, por rinia nuk interesohet për këtë zanat. Zanati është i mirë, po të përparosh, dhe punë ka sa të duash. Ajo periudhë ka qenë më e vështirë, normal si çdo fillim, por ngadalë-ngadalë tash i kam tri dyqane. Por punëtorë tash nuk ka, dhe njërin dyqan do ta mbyll në fund të vitit, shkaku se punëtorin që e kam shumë të mirë do të shkojë në Zvicër. Dhe do të mbaj vetëm atë, dhe atë me shitje”, theksoi Meser Hamndi – këpucëtar.

Por cili është dallimi mes prodhimit të para 20 vitesh dhe sot? Çfarë kërkon rinia? Meseri tregon se ky profesion sot kërkon investime në makineri me qindra mijë euro. Edhe modeli i këpucëve ka ndryshuar; ato janë më të shtrenjta dhe kërkojnë një teknikë tjetër pune.

“Tash më nuk ka gozhda, se të rinjtë veshin të gjithë patika të shtrenjta, nga 100 euro deri në 300 euro, dhe ti patjetër e ke këtë, ndryshon punën dhe nuk mund t’i punosh si ke punuar atëherë. Prodhori këpucë vetë? Kam prodhuar, kam pasur unë 7 punëtorë, kam dhënë unë edhe me shumicë, por e kemi ndalur prodhimin se nuk ka punëtorë dhe shumë mall hyn nga jashtja. Kualiteti është më i lartë me dorë të punohet. Kualiteti jonë ka qenë i mirë, por s’ka punëtorë dhe shumë mall hyn nga Kina dhe nuk ke llogari më”, u shpreh theksoi Meser Hamndi – këpucëtar.

Si Meseri, në Tetovë kanë ngelur vetëm tre persona. Riparimi i këpucëve kërkon një mjeshtri të rrallë, por edhe një përkushtim të madh. Është një zanat që sjell fitime, por kërkon precizitet dhe të qenit në hap me kohën, modelet dhe materialet që ndryshojnë çdo vit. Ndërkohë, të rinj që e duan këtë profesion nuk ka; ata kërkojnë diçka më të lehtë, pasi zanati kërkon vite përkushtim derisa të mësohet dhe të arrihet në gradën e mjeshtrit.