Vozitën pa patentë dhe në gjendje të dehur, arrestohen nëntë shoferë

0

Nëntë shoferë janë privuar nga liria gjatë 24 orëve të fundit në lokacione të ndryshme në vend, për drejtim të pakujdesshëm të automjetit, njofton Ministria e Punëve të Brendshme.

Sipas policisë, tre prej tyre kanë drejtuar automjete pa e dhënë provimin e vozitjes, ndërsa gjashtë të tjerë kanë qenë nën ndikimin e alkoolit.

MPB-ja bën të ditur se shoferët e dehur kanë shkaktuar edhe aksidente rrugore, ndërsa njëri prej tyre ka drejtuar automjetin edhe pa patentë shoferi.

Pas dokumentimit të plotë të rasteve, ndaj të dyshuarve do të parashtrohen kallëzime penale përkatëse.

Policia apelon te të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë rregullat dhe të mos drejtojnë automjete pa patentë shoferi ose nën ndikimin e alkoolit.

Erërat e forta paralizojnë trafikun ajror në Amsterdam, dhjetëra fluturime anulohen

0

Dhjetëra fluturime janë anuluar në aeroportin Schiphol të Amsterdamit, për shkak të erërave të forta të shkaktuara nga stuhia “Boelo”.

Sipas Agjencisë Franceze të Lajmeve (AFP), në tabelën e nisjeve të aeroportit janë regjistruar 90 fluturime të anuluara, kryesisht drejt destinacioneve evropiane, përfshirë Parisin, Romën dhe Dublinin.

Ndërprerje janë raportuar edhe në fluturimet e mbërritjes, ku dhjetëra avionë janë anuluar ose kanë pësuar vonesa për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike.

Përmes një njoftimi, aeroporti Schiphol paralajmëroi se stuhia do të ndikojë në trafikun ajror gjatë së dielës, më 25 tetor.

“Për shkak të erërave të forta, sot, të dielën, më 25 tetor, pritet të ngrihen dhe të ulen më pak avionë”, thuhet në njoftimin e aeroportit.

Autoritetet nuk kanë bërë të ditur ende numrin e saktë të fluturimeve që do të preken nga stuhia.

Ndërkohë, pasagjerëve u është bërë thirrje që të kontrollojnë paraprakisht statusin e fluturimeve të tyre, për shkak të mundësisë së anulimeve dhe vonesave të tjera.

“Zhurmën e kanë të madhe, shanset zero”, Rama mesazh protestuesve: Nuk do ta tradhtoj asnjëherë besimin e shqiptarëve, anëtarësojmë vendin në BE

0

Kryeministri Edi Rama prezantoi paketën e re ligjore kundër dhunës, e cila parashikon dëmshpërblimin e bizneseve të dëmtuara dhe gjoba deri në 500 mijë lekë për personat që qëndrojnë në turma ku ushtrohet dhunë, duke qenë në dijeni të saj.

Prezantimi vjen një ditë pas protestës së të shtunës në Tiranë, e cila u shoqërua me përplasje të dhunshme, sulme me bomba molotov ndaj institucioneve dhe dëmtime të pronës publike e private.

Gjatë prezantimit, Rama akuzoi Partinë Demokratike se ishte vënë në krye të dhunës së ushtruar gjatë protestës, ndërsa pretendoi se selia e saj ishte përdorur si strehim dhe pikë furnizimi me lëndë plasëse.

Kryeministri foli edhe për procesin e integrimit europian, duke e cilësuar situatën e krijuar si përpjekjen e fundit të kundërshtarëve përpara përmbylljes së procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

“Durim dhe kurajo. Duhet ta kalonim edhe këtë, sepse jo të gjithë e duan suksesin, paqen dhe sigurinë e Shqipërisë. Është përpjekja e tyre e fundit përpara se ne ta vulosim faqen e fundit të historisë së anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Zhurmën e kanë të madhe, shanset i kanë zero”, u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë theksoi se nuk do të tërhiqet nga misioni për integrimin europian të Shqipërisë, duke u zotuar se do të vijojë punën për realizimin e këtij objektivi. Ai nënvizoi se synimi është që flamuri shqiptar të jetë përkrah flamujve të vendeve anëtare të Bashkimit Europian.

“Më keni votuar ose jo, unë nuk e kam tradhtuar misionin për të cilin më ka dhënë besën shumica e Shqipërisë dhe e shqiptarëve dhe nuk do ta tradhtoj asnjëherë besimin e çdo shqiptari që e do Shqipërinë më të mirë dhe që e do flamurin e Ismail Qemalit dhe Skënderbeut në radhë me flamujt e tjerë të shteteve të BE-së”, deklaroi kryeministri.

Rama: Ndryshojmë ligjin për tubimet, perimetër sigurie mbi godinat shtetërore

0

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar paketën ligjore kundër dhunës dhe anarkisë urbane.

Rama njoftoi ndryshim të ligjit për tubimet, gjithashtu theksoi se do të ketë perimetër sigurie mbi godinat shtetërore

Më tej kryeministri shtoi se do të fshihen postimet që nxisin dhunë në internet.

Sipas masave të prezantuara, kush qëndron në një turmë duke e ditur se përreth po ushtrohet dhunë dhe po shkatërrohet prona, mund të gjobitet deri në 500 mijë lekë. Nga kjo masë përjashtohen gazetarët, mjekët, vëzhguesit, nëpunësit në detyrë dhe kalimtarët.

Për të miturit, përgjegjësia për pagesën e gjobave dhe mbulimin e dëmeve do t’u kalojë prindërve ose kujdestarëve.

Trump synon biznes me Moskën dhe Kievin pas përfundimit të luftës

0

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se SHBA-ja synon të rikthejë bashkëpunimin ekonomik si me Ukrainën, ashtu edhe me Rusinë, pas përfundimit të luftës.

Duke folur para gazetarëve në Florida, përpara nisjes drejt Xhorxhias, Trump theksoi se një marrëveshje mes Moskës dhe Kievit do të krijonte mundësi për rikthimin e marrëdhënieve tregtare me të dyja vendet.

“Do të dëshironim të riktheheshim në një situatë ku Rusia dhe Ukraina të arrijnë një marrëveshje, në mënyrë që të mund të bëjmë biznes me të dyja”, deklaroi Trump.

“Sigurisht që do të bëjmë biznes si me Ukrainën, ashtu edhe me Rusinë, pasi kjo luftë të përfundojë”, shtoi presidenti amerikan.

Deklaratat e Trump vijnë në kuadër të interesit të Uashingtonit për rivendosjen e lidhjeve ekonomike pas përfundimit të konfliktit në Ukrainë.

Megjithatë, normalizimi i marrëdhënieve tregtare me Rusinë do të varet edhe nga zhvillimet diplomatike dhe regjimi i sanksioneve ndërkombëtare ndaj Moskës.

Bereqet me humbje, mollët e këtij viti shiten nën kosto! Problem edhe mungesa e depove – po çon në kalbjen e mollëve

0

Viti 2026 solli kushte ideale klimatike dhe një nga të vjelat më cilësore të mollës në vendin tonë. Mirëpo, ajo që duhej të ishte një vit fitimi për pemëtarët, u shndërrua në krizë financiare. Çmimi i blerjes me shumicë ka rënë deri në vetëm 20 denarë për kilogram – çmim që nuk mbulon as koston e plehërimit, ujitjes dhe fuqisë punëtore. Në Sellarcë të Tetovës, Amet Ismaili, prej dekadash merret me pemëtari, ndërsa tregon se tregu vendor është mbytur nga mbiprodhimi për shkak të dështimit të eksportit.

“Ky ka qenë viti më kualitativ sepse temperaturat e verës ishin të më të ngrohta dhe nuk pati dështime. Pra ka kuantitet më shumë se sa vitet tjera. Tregu në Maqedoni është i vështirë sepse kur ka prodhim ka shumë mollë dhe nuk eksportohet dhe bëhet problem, sepse Maqedonia ka më tepër mollë se sa i nevojitet, dhe me automatizëm bie çmimi, pra është shumë i dobët dhe nuk ke llogari ta shesësh sepse kostoja e prodhimit është më e lartë se sa që merren momentalisht në treg”, tha Amet Ismaili – pemëtar.

Sipas Ismailit, problem në vendin tonë vazhdon të mbetet mungesa e depove ku ruhen mollët në rast të pamundësisë për t’i shitur, andaj, kërkon nga shteti që të investojë në këtë drejtim, e sidomos edhe në fabrikat për selektim dhe paketim, sepse kjo do ndihmonte për eksport më të lehtë jashtë shtetit.

“Depot ku duhet të ruhen mollët mungojnë në vendin tonë, andaj apeloj Ministrinë e bujqësisë që më shumë të investoj në këtë drejtim dhe në paketimin e mollëve se ka nevojë vendi edhe për shkak të kësaj vinë nga vendet tjera mollë, se i kanë të seleksionura”, u shpreh Amet Ismaili – pemëtar.

Pikërisht shkaku i uljes së çmimit të blerjes me shumicë të mollëve, bën që shumica e pemëtarëve të heqin dorë nga ky biznes sepse thonë se nuk ia vlen barra qiranë. Si pasojë e mungesës së blerjes me shumicë dhe me çmim të mirë, tonelata mollë kalben dhe hidhen. Në Maqedoni ka rreth 17 mijë hektarë tokë të mbjella me mollë, ndërsa tregu është shumë i vogël.

Gjykatësit dhe prokurorët kërkojnë rritje pagash, ekzekutivi kërkon punë për rroga të arsyeshme

0

Gjykatësit dhe prokurorët kërkojnë më shumë para për të arritur rezultatet e duhura. Maja e organit të hetuesisë – Prokuroria për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit, por edhe gjykatësit penal. Tre nga pesë kandidatët për PNKOK, në ClickPlus, thanë se pushteti ekzekutiv po i sigmatizon ata në produktivitet.

“Përkrahjen dhe njëkohësisht vullnetin politik nuk mund ta kushtëzojnë, të shprehem kështu, me kritika të pakufishme e të vazhdueshme për të krijuar alibi për anën tjetër të burimeve që ne i kërkojmë. Kuptohet që ai është proces në vazhdimësi dhe dua të mendoj konstruktivisht”, tha Iskra Haxhi-Vasileva – kandidate për kryetare të Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

“Tregoi dëshirë të madhe, ambicie dhe vendosmëri që të përpiqet që Prokuroria Publike t’i merr ato mjete financiare që janë të domosdoshme që hetuesi ti jep rezultatet e duhura. Neve na duhet një qendër hetuesie të ekipuar që prokurori publik me buxhet të mbushur me para të mund të ballafaqohet me të gjitha sfidat që i imponon puna”, u shpreh Faton Azizi – kandidat për kryetar të Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

“Unë isha në atë prokurori në periudhën kur kishe më pak pajisje, kur nuk kishte qendër hetuesie e as numër aq të lartë të të punësuarve profesionistë, kur me të vërtetë pagat ishin shumë më të ulëta, por rezultatet nuk ngecnin si sot, edhe atëherë kishte kriminalitet të lartë. Të gjithë dëshmojë për një prokurori speciale që kishte resurse të larta jashtë normales, dhe ekip dhe pajisje e mjete financiare, vetura, metoda të fuqishme, por nuk kishin rezultate”, potencoi Lidija Raiçeviq – kandidate për kryetare të Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

Nga ana tjetër Kryeministri Mickoski mbetet në qëndrimin se nuk mund t’u rrisë pagat njerëzve që nuk kanë produktivitet, duke kundërshtuar kërkesat e gjykatësve dhe prokurorëve që t’u shtohen rrogat në 1.3% të Bruto Prodhimit Vendor, kur mesatarja në vendet e BE-së është 0.3% e BPV Evropiane. Sipas tij, brenda një viti fislak sistemi gjyqësor po kërkon 260 milionë dollarë nga arka e shtetit që me koeficientin e ri do të rritej paga e krerëve të gjykatave deri në 5,000€.

“Ka kryetarë gjykatash që rrogën mujore e kanë 180 mijë denarë ose rreth 3,000€. Unë si kryeministër me stazhin e vjetëve në përvojë pune pagën e kam 155 mijë denarë ose 2,500€. Mos të jetë më pak se e kryeministrit, por të mbetet e njejtë e kretëve të gjykatave. Gjykatësit marrin jo më pak se nga 100 mijë denarë”, deklaroi Hristijan Mickoski – kryeministër i Maqedonisë së Veriut.

Nga Shoqata e Gjykatësve kumtuan që sistemi gjyqësor është në prag të mbijetesës funksionale,
duke u bazuar në raportin e 2025 mbi punën e gjykatave njoftojnë nevojën për strategji të reja. Ata thonë se nevojiten kushtet e duhura për një gjyqësor të pavarur, efikas dhe të përgjegjshëm, i cili nuk do të lihet të funksionojë me staf dhe burime financiare minimale. Sipas tyre, pavarësia e gjyqësorit sigurohet jo vetëm nga garancitë kushtetuese dhe ligjore, por edhe nga një buxhet i përshtatshëm, shërbim profesional dhe kushte për kryerjen e qetë të funksionit gjyqësor.

Ahmeti dhe VLEN thirrje shqiptarëve të Luginës, për dalje masive në votime, për mobilizim dhe përfaqësim më të madh shqiptar

0

Në prag të zgjedhjeve parlamentare të 25 tetorit në Serbi, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, u është drejtuar shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc, Medvegjë dhe vendbanimet e tjera, duke u bërë thirrje të ushtrojnë të drejtën e votës dhe të marrin pjesë sa më masivisht në procesin zgjedhor.

“Përfaqësimi politik i shqiptarëve në Parlamentin e Serbisë ka rëndësi të veçantë për mbrojtjen e të drejtave kombëtare, gjuhësore dhe qytetare, si dhe për ngritjen e shqetësimeve lidhur me diskriminimin, padrejtësitë dhe sfidat me të cilat përballen shqiptarët në këto treva. Në këto zgjedhje, forcat politike shqiptare paraqiten të bashkuara në listën e përbashkët “Koalicioni Shqiptar”, me numër 17”, u shpreh kreu i BDI-së, Ali Ahmeti.

Edhe koalicioni VLEN u ka bërë thirrje shqiptarëve të Luginës që të dalin masivisht në votime, duke e cilësuar 25 tetorin si një mundësi për të forcuar përfaqësimin shqiptar në Parlamentin e Serbisë. Apeli i VLEN-it u drejtohet veçanërisht shqiptarëve të Luginës që jetojnë në Maqedoninë e Veriut.

“Bashkimi tashmë është realitet. Tani është koha që ky bashkim të dëshmohet me votë, me mobilizim dhe me përfaqësim sa më të madh në Parlamentin e Serbisë. Apelojmë veçanërisht te shqiptarët e Luginës që jetojnë në Maqedoninë e Veriut, të udhëtojnë drejt vendvotimeve të tyre dhe ta ushtrojnë të drejtën e votës”, thonë nga VLEN.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi vijnë në një periudhë tensionesh të larta politike dhe protestash të vazhdueshme kundër qeverisë, të cilat kanë shtuar presionin për ndryshime politike në vend. Zgjedhjet u shpallën pas propozimit të qeverisë për shpërndarjen e Kuvendit, në një klimë protestash të vazhdueshme të udhëhequra nga studentët pas tragjedisë në Novi Sad dhe kërkesash për përgjegjësi e luftë kundër korrupsionit.

Për 10 ditë mbi 1.400 shkelje në Rajonin Jugperëndimor! 85% e gjobave për shpejtësi, qytetarët ende po mësohen me kamerat

0

Sistemi i Qyteti i Sigurt në Ohër, Strugë, Dibër dhe Kërçovë hyri në fuqi më 12 tetor dhe vetëm për 10 ditë janë regjistruar një numër i madh dënimesh. 85% e gjobave janë për shpejtësi mbi normën e lejuar.

“Prej atëherë e deri më sot janë regjistruar 1415 shkelje në të gjithë rajonin që e mbulon SPB Ohër, ndërkaq sa u takon shkeljeve më të shpeshta mund të them se shkeljet më të shpeshta janë tejkalimi i shpejtësisë dhe janë regjistruar në total 1211 shkelje”, tha Stefan Dimovski – zëdhënës i SPB-Ohër.

Dimovski thotë se Safe City ndihmon në parandalimin e aksidenteve dhe zvogëlimin e numrit të aksidenteve me pasoj vdekje.

“Çdo mosrespektim i shpejtësisë do të thotë pikë e zezë dhe do të thotë mundësi për shkaktimin e një aksidenti, prandaj një nga prioritetet kryesore të Safe City është zvogëlimi i aksidenteve para së gjithash me pasoja vdekje dhe lëndime të rënda me një fjalë uljen e numrit të aksidenteve”, shtoi Dimovski.

Banorët kanë mendime të ndara sa i takon Safe City, disa thonë se në 10 ditët e fundit, vozitësit kanë qenë të kujdesshëm, ndërsa të tjerë thonë se efekti nuk është parë ende sepse qytetarët ende nuk janë mësuar me këtë stil të gjobave.

Serbia nesër në zgjedhje parlamentare, 18 lista garojnë për 250 ulëve, 6.45 milionë qytetarë me të drejtë vote

0

Në zgjedhjet e nesërme të parakohshme në Serbi rreth 6,45 milionë qytetarë kanë të drejtë vote për të zgjedhur përbërjen e re të Kuvendit, ndërsa në garë janë 18 lista zgjedhore për gjithsej 250 ulëse parlamentare.

Votimi do të zhvillohet në 8.392 vendvotime, përfshirë 93 jashtë vendit.

Në Bosnjë e Hercegovinë do të funksionojnë 27 vendvotime, ku për votim janë regjistruar rreth 20 mijë shtetas serbë.

Gara zhvillohet mes disa forcave politike, përfshirë listën e Aleksandar Vuçiqit dhe listën studentore “Studentët fitojnë“.

Sondazhet japin vlerësime të ndryshme, ndërsa pjesëmarrja dhe votat e të pavendosurve mund të ndikojnë në rezultatin përfundimtar.