Studentët rrëzuan Vuçiqin! Vuçiq pranon humbjen: Studentët fituan zgjedhjet, marrin deri në 140 mandate!

0

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka pranuar humbjen në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të zhvilluara këtë të diel, më 25 tetor, duke deklaruar se lista e studentëve ka siguruar shumicën në Parlamentin e ri.

Në një deklaratë drejtuar qytetarëve pas mbylljes së qendrave të votimit, Vuçiç bëri të ditur se rezultatet nuk janë ende përfundimtare, por sipas të dhënave paraprake të bazuara në një mostër statistikore, Lista studentore pritet të marrë nga 135 deri në 140 mandate në Parlamentin me 250 vende.

“Nuk kemi rezultate përfundimtare. Shumë do të habiten dhe do ta kuptoni sa shumë gënjyen disa dhe çfarë shpikën. Dua t’ju informoj se, bazuar në mostrën e stratifikuar, është e qartë se i humbëm këto zgjedhje”, deklaroi Vuçiç.

Presidenti serb tha se lista e studentëve ka fituar zgjedhjet, ndërsa forca e tij politike ka siguruar rreth 105 mandate.

“Lista e studentëve-bllokues fitoi. Ata do të kenë midis 135 dhe 140 mandate, ne kemi rreth 105”, u shpreh ai.

Sipas Vuçiçit, në Parlament pritet të përfaqësohen edhe pakicat kombëtare. Ai përmendi tre mandate për përfaqësuesit e hungarezëve të Vojvodinës dhe një mandat për shqiptarët.

Duke iu referuar numrit të votave, presidenti serb deklaroi se lista studentore ka marrë rreth 2.2 milionë vota, ndërsa forca e tij politike rreth 1.72 milionë.

Shefi i Delegacionit të BE-së në Serbi: Jemi thellësisht të shqetësuar

0

Shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Serbi, Andreas von Beckerath, ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me incidentet e dhunshme të raportuara në disa qendra votimi gjatë zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të sotme.

Ai bëri thirrje për sigurimin e një mjedisi paqësor dhe të sigurt për votim, raporton N1.

“Qytetarët e Serbisë duhet të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike për të votuar në një mjedis paqësor dhe të sigurt. U bëjmë thirrje të gjithë aktorëve të ruajnë qetësinë, të veprojnë me përgjegjësi dhe të përmbahen nga dhuna e provokimet; gjithashtu, u bëjmë thirrje institucioneve kompetente të garantojnë sigurinë e të gjithë pjesëmarrësve në procesin zgjedhor”, deklaroi von Beckerath.

Tiranë, policia shpërndan protestuesit me gaz lotsjellës! Përplasje edhe me gazetarët

0

Situata te Kryesia e Kuvendit dhe para Kryeministrisë ka agravuar në përplasje të dhunshme, pasi protestuesit kanë hedhur sërish gurë dhe kapsolla në drejtim të forcave të rendit.

Për të shpërndarë turmën, policia ka ndërhyrë duke përdorur gaz lotsjellës. Edhe pse protestuesit janë shpërndarë përkohësisht pas ndërhyrjes, një pjesë e tyre janë rikthyer më pas në zonë, duke vazhduar hedhjen e gurëve dhe mjeteve piroteknike drejt efektivëve. Disa persona janë shoqëruar por ende nuk dihet një numër i saktë.

Tensione janë shënuar gjithashtu mes gazetarëve dhe forcave të policisë. Mediat janë kërkuar të spostohen nga vendi i ngjarjes, ndërsa gazetarët kanë kërkuar shpjegime për këtë urdhër, pa mundur të marrin një përgjigje zyrtare nga autoritetet.

Zona vijon të mbetet nën një tension të lartë dhe me prani të shtuar të forcave të sigurisë./Euronewsalbania

Çmimet e larta rëndojnë qytetarët në Tetovë! Shporta konsumatore “ndan” Ministrinë dhe Sindikatën

0

Qytetarët në tregun e Tetovës shprehen të dëshpëruar me çmimet e larta, duke theksuar se mundësitë për të blerë produkte bazë janë ngushtuar ndjeshëm.

“Po shtrenjtë janë, s’kemi çka blejmë, sa mundemi do t’blejmë, asgjë s’mund t’blejmë, veç i shohim”, tha një qytetar.

“Shtrenjtë, duhet të hash, të pish, s’e di sa mund të arrimë të blejmë”, shtoi një qytetar tjetër.

“Këtë javë ishte shumë shtrenjtë, tregu shumë shtrenjtë është këtë javë”, u shpreh qytetari.

Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria, një familjeje katëranëtarëshe i nevojiteshin 58.475 denarë për shpenzimet mujore në gusht, prej të cilave 21.132 denarë vetëm për ushqim dhe pije. Krahasuar me korrikun, shporta u rrit për 29 denarë, kurse në raport me janarin shënoi rritje prej 3,7 për qind. Por shporta konsumatore minimale sindikale kapërceu shifrën e 68 mijë denarëve. Po ministri i ekonomisë Durmishi e konsideron përllogaritjen e sindikatave më shumë si fushatë politike sesa reale:

“Ne edhe ata persona të cilët e kanë formuluar dhe përpiluar të dhënat e shportës konsumatore kanë thënë vetë se ajo nuk është shportë minimale por është një shportë e dëshiruar, kështu që sindikalistët e bëjnë një fushatë më shumë politike se sa reale. Mund të them se kemi shportën tonë që në Këshillin Ekonomik dhe Social në javën që vjen do të prezantohet para anëtarëve të këshillit ekonomik. Dhe për çdo muaj do të bëjmë publike të dhënat për shportën mesatare”, deklaroi ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi.

Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë mbron qëndrimin e saj se shporta minimale për gushtin ishte 68.675 denarë, ndërsa në shtator u rrit në 69.432 denarë, ku vetëm për ushqim e pije nevojiteshin 25.259 denarë. Sipas sindikatës, nëse familja jeton me qira, shpenzimet mujore arrijnë deri në 84.807 denarë.

Deri në orën 16:00, në Serbi kanë votuar 56,4 për qind e votuesve

0

Deri në orën 16:00, në zgjedhjet në Serbi kanë votuar 56,4 për qind e votuesve të regjistruar, tregojnë vlerësimet e organizatës CRTA, e cila publikoi të dhënat më të fundit për pjesëmarrjen në votime.

Sipas të dhënave të organizatës, pjesëmarrja deri në orën 16:00 është 14 pikë përqindjeje më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë gjatë zgjedhjeve parlamentare të vitit 2023.

Pjesëmarrja është më e lartë edhe krahasuar me atë që ishte regjistruar në orën 19:00 gjatë zgjedhjeve të dhjetorit të vitit 2023.

Vlerësimi i CRTA-s ka një marzh gabimi prej 0,9 pikë përqindjeje.

Kina propozon krijimin e një rrjeti kombëtar “blockchain” deri në vitin 2030

0

Kina synon të përfundojë pjesë më të madhe të rrjetit kombëtar “blockchain” deri në vitin 2030 dhe të përshpejtojë zbatimin e një interneti inteligjent, sipas një plani që përshkruan zhvillimin digjital të vendit për pesë vitet e ardhshme, shkruan “Xinhua”.

Dokumenti, i publikuar nga Komisioni Qendror për Çështjet e Hapësirës Kibernetike, propozon gjithashtu nisjen komerciale të shërbimeve celulare të gjeneratës së gjashtë (6G) në një moment të përshtatshëm.

Dokumenti synon arritjen e përparimit të ndjeshëm në fushën e informatizimit deri në vitin 2030, ku teknologjitë digjitale do të luajnë një rol më të madh në avancimin e modernizimit kinez.

Sipas dokumentit, shkalla e depërtimit të internetit në Kinë pritet të rritet në 85 për qind deri në vitin 2030, nga 80.1 për qind në vitin 2025, ndërsa numri i stacioneve bazë 5G për çdo 10.000 banorë parashikohet të rritet nga 34 në 50.

Plani bën thirrje për një kërkim bazë më të fuqishëm në matematikën kompjuterike, rrjetet e komunikimit dhe shkencën e të dhënave, si dhe pret arritje thelbësore në teknologjitë kyçe në sektorë të rëndësishëm, siç është integrimi më i thellë i inteligjencës artificiale (IA) me sistemet operative dhe mjetet për zhvillimin e softuerit.

Ndërsa inteligjenca artificiale vazhdon të përparojë me shpejtësi, plani kërkon zgjerimin e arsimimit mbi inteligjencën artificiale në të gjitha nivelet shkollore, promovimin e njohurive për inteligjencën artificiale në të gjithë shoqërinë dhe përshpejtimin e zhvillimit të një sistemi arsimor profesional për talentet në fushën digjitale.

Plani synon gjithashtu hapjen e mëtejshme të sektorëve të telekomunikacionit dhe internetit në një mënyrë të rregullt.

Ministria e Industrisë dhe Teknologjisë së Informacionit e Kinës parashikon se të ardhurat e industrisë së informacionit dhe komunikimit në vend do të arrijnë në 4.1 trilionë juanë (rreth 615 miliardë dollarë amerikanë) deri në vitin 2030.

Gjithashtu, theksohet nevoja për të forcuar sigurinë e të dhënave dhe për të mbrojtur informacionin personal.

Serbia voton në zgjedhjet parlamentare! Vuçiq përballë sfidës më të madhe politike – a po i vjen fundi epokës së tij?

0

Radhë të gjata për të votuar u panë që në orët e para të mëngjesit.

Serbët votuan këtë të dielën në zgjedhjet parlamentare, të cilat shihen si një përballje mes liderit populist Aleksandar Vuçiq, dhe lëvizjes së studentëve universitarë që udhëhoqën protesta kundër tij për gati dy vjet.

Votuesit shprehën pritshmëritë e tyre.

“Kjo më kujton kohën kur isha e re, kur ishte një ditë e veçantë kur dilnim dhe votonim, dhe kjo ditë e sotme ishte një ditë e veçantë për mua. Jam shumë e emocionuar; pas 30 vjetësh, jam vërtet e emocionuar”, tha Aida Rodiq – votuese.

“Shpresoj që gjithçka të shkojë në mënyrë paqësore dhe që gjithçka të përfundojë mirë, në mënyrë që, pavarësisht se si dalin të tjerët, të mos shkaktojnë probleme dhe që më në fund të agojë dita në këtë vend pas shumë vitesh”, u shpreh Jovan Mitroviq – votues.

Edhe pse 6,4 milionë votuesit e Serbisë mund të zgjedhin mes 18 partive që synojnë të hyjnë në Parlamentin me 250 vende, zgjedhjet janë shndërruar në një referendum mes Partisë Progresive Serbe të krahut të djathtë të Vuçiqit dhe Listës së Studentëve, të mbështetur nga të rinjtë.

Vuçiq, pasi hodhi fletëvotimin, tha se do ta pranojë rezultatin sido që të jetë.

“Besoj se do të shohim vullnetin demokratik të popullit. Siç thashë, mund t’i fitoni zgjedhjet, mund t’i humbni zgjedhjet, por ne gjithmonë do të veprojmë me përgjegjësi. Nëse humbim, do ta pranojmë humbjen dhe do ta njohim vullnetin e votuesve, nëse fitojmë, askush nuk do të na e marrë fitoren. Kaq. Serbia sot po zgjedh rrugën e saj. A do të shkojë drejt së ardhmes apo drejt së kaluarës? – u shpreh Aleksandar Vuçiq – lider i Partisë Progresive Serbe.

Gjersa Vuçiq ka arritur vazhdimisht ta mposhtë opozitën e përçarë të Serbisë në të kaluarën, lëvizja studentore pa një udhëheqës të vetëm është dëshmuar si një kundërshtare e fortë, e cila ka tronditur kontrollin e tij të fortë mbi pushtetin në Serbi, si askush tjetër gjatë 14 viteve të fundit, që kur partia e tij erdhi në pushtet.

Në këto zgjedhje, kandidatët kryesorë besohet se kanë mbështetje pothuajse të barabartë në sondazhe, duke i bërë zgjedhjet e së dielës më të pasigurtat e viteve të fundit. Për shkak të pjesëmarrjes së lartë, ka gjasa që shumica e partive më të vogla të mos e kalojnë pragun prej 3 për qind, të nevojshëm për të hyrë në Kuvend.

Një fitore e studentëve ka të ngjarë të kishte jehonë përtej Serbisë, pasi vendet në mbarë Evropën po përballen me protesta të të rinjve dhe studentëve.

Shoferi i dehur godet tre të mitur në Tetovë, një aksident tjetër në Pirok, pesë të lënduar

0

Tre të mitur, të gjithë 16-vjeçarë, janë lënduar pasi një veturë e tipit “BMW”, e drejtuar nga një 42-vjeçar nga Tetova, i goditi në bulevardin “Vidoe Smilevski Bato“ dhe më pas u largua nga vendi i ngjarjes.

Njëri prej të miturve pësoi lëndime të rënda, ndërsa dy të tjerët u lënduan lehtë.

Policia e arrestoi shoferin, ndërsa testi tregoi 2,22 promilë alkool në gjak. Gjatë kontrollit të veturës u gjetën edhe tri paketime me marihuanë.

Ndërkohë, një aksident tjetër ndodhi në Pirok, ku një 19-vjeçar pa leje drejtimi, me 1,29 promilë alkool në gjak, u përplas me një shtyllë betoni dhe vitrinën e një objekti.

Tre bashkudhëtarë pësuan lëndime të rënda, ndërsa dy persona të tjerë, përfshirë shoferin, u lënduan. Të dy shoferët u arrestuan dhe ndaj tyre do të parashtrohen kallëzimet përkatëse.

Zgjedhjet në Serbi, 46.4 për qind pjesëmarrje deri në orën 14:00

0

Dita e zgjedhjeve në Serbi po vazhdon me rritjen e numrit të qytetarëve që kanë ushtruar të drejtën e tyre të votës. Sipas të dhënave më të fundit të CeSID-it dhe „Ipsos“, deri në orën 14:00, në zgjedhjet parlamentare kanë votuar 46,4 për qind e votuesve të regjistruar.

Vlerësimi është bërë në bazë të përpunimit të 84 për qind të të dhënave, njoftuan dy organizatat që po e monitorojnë procesin e votimit.

Votimi në Serbi vazhdon gjatë ditës, ndërsa vendvotimet janë të hapura deri në orën 20:00. Ndërkohë, organizatat që monitorojnë zgjedhjet publikojnë periodikisht të dhëna për pjesëmarrjen, ndërsa priten edhe vlerësime të reja për daljen e votuesve në zgjedhje.

Vozitën pa patentë dhe në gjendje të dehur, arrestohen nëntë shoferë

0

Nëntë shoferë janë privuar nga liria gjatë 24 orëve të fundit në lokacione të ndryshme në vend, për drejtim të pakujdesshëm të automjetit, njofton Ministria e Punëve të Brendshme.

Sipas policisë, tre prej tyre kanë drejtuar automjete pa e dhënë provimin e vozitjes, ndërsa gjashtë të tjerë kanë qenë nën ndikimin e alkoolit.

MPB-ja bën të ditur se shoferët e dehur kanë shkaktuar edhe aksidente rrugore, ndërsa njëri prej tyre ka drejtuar automjetin edhe pa patentë shoferi.

Pas dokumentimit të plotë të rasteve, ndaj të dyshuarve do të parashtrohen kallëzime penale përkatëse.

Policia apelon te të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë rregullat dhe të mos drejtojnë automjete pa patentë shoferi ose nën ndikimin e alkoolit.