Çmimet e larta rëndojnë qytetarët në Tetovë! Shporta konsumatore “ndan” Ministrinë dhe Sindikatën

TË FUNDIT

Qytetarët në tregun e Tetovës shprehen të dëshpëruar me çmimet e larta, duke theksuar se mundësitë për të blerë produkte bazë janë ngushtuar ndjeshëm.

“Po shtrenjtë janë, s’kemi çka blejmë, sa mundemi do t’blejmë, asgjë s’mund t’blejmë, veç i shohim”, tha një qytetar.

“Shtrenjtë, duhet të hash, të pish, s’e di sa mund të arrimë të blejmë”, shtoi një qytetar tjetër.

“Këtë javë ishte shumë shtrenjtë, tregu shumë shtrenjtë është këtë javë”, u shpreh qytetari.

Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria, një familjeje katëranëtarëshe i nevojiteshin 58.475 denarë për shpenzimet mujore në gusht, prej të cilave 21.132 denarë vetëm për ushqim dhe pije. Krahasuar me korrikun, shporta u rrit për 29 denarë, kurse në raport me janarin shënoi rritje prej 3,7 për qind. Por shporta konsumatore minimale sindikale kapërceu shifrën e 68 mijë denarëve. Po ministri i ekonomisë Durmishi e konsideron përllogaritjen e sindikatave më shumë si fushatë politike sesa reale:

“Ne edhe ata persona të cilët e kanë formuluar dhe përpiluar të dhënat e shportës konsumatore kanë thënë vetë se ajo nuk është shportë minimale por është një shportë e dëshiruar, kështu që sindikalistët e bëjnë një fushatë më shumë politike se sa reale. Mund të them se kemi shportën tonë që në Këshillin Ekonomik dhe Social në javën që vjen do të prezantohet para anëtarëve të këshillit ekonomik. Dhe për çdo muaj do të bëjmë publike të dhënat për shportën mesatare”, deklaroi ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi.

Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë mbron qëndrimin e saj se shporta minimale për gushtin ishte 68.675 denarë, ndërsa në shtator u rrit në 69.432 denarë, ku vetëm për ushqim e pije nevojiteshin 25.259 denarë. Sipas sindikatës, nëse familja jeton me qira, shpenzimet mujore arrijnë deri në 84.807 denarë.